Agjencia franceze e lajmeve AFP I ka kushtuar një shkrim marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë, për çështjen e ushtarëve grek të vrarë në territorin tonë gjatë luftës italo- greke në vitet 1940-1941. Sipas AFP, ministria e Jashtme e Greqisë e quan këtë, një moment historik.

“Fushata e vitit 1940-41 në Shqipëri, ku sulmi italian u zmbraps përkundrejt të gjitha shanseve, përkujtohet çdo vit në Greqi dhe është i pari sukses i Aleatëve ndaj fuqive të Boshtit”, shkruan agjencia.

Gjithashtu në këtë artikull theksohet se Greqia ka dekada që lufton për këtë marrëveshje, që më së fundi e arriti me qeverinë Rama.

“Greqia e ka kërkuar diçka të tillë prej dekadash. Detajet u miratuan në nëntor, edhe pse marrëveshja origjinale në parim është përmbyllur në vitin 2009”, thuhet në shkrim.

Por ajo që bie në sy në këtë artikull është analiza për prapavijën e kësaj këmbëngulje të grekëve, për ti varrosur të githë ushtarët e saj të rënë në luftë me Italinë në Shqipëri, ndryshe nga kjo e fundit që i transferoi eshtrat e ushtarëve, në vendin e saj

“Shqipëria dhe Italia kanë arritur një marrëveshje të ngjashme, për të riatdhesuar eshtrat e më shumë se 6 mijë ushtarëve italianë. Por Greqia, e cila ka një minoritet etnik në jug të Shqipërisë, dhe që në të kaluarën ka kërkuar të aneksojë rajonin, gjithmonë ka insistuar që të rënët e saj të mbeten në shtetin fqinj. Trajtimi i minoritetit grek në Shqipëri është burim i përsëritur tensionesh mes dy shteteve”, thuhet në këtë shkrim të AFP.

Leave a comment