Përse jetojmë?

Të jetosh në këtë jetë universale dhe njerëzore si njeri dhe krijues vlerash shpirtërore, letrare e artistike, do të thotë të jesh produktiv aktiv, po në të njëjtën kohë të ekzistencës si vetvete do të thotë të mbrosh apo justifikosh në mënyrë të motivuar artistikisht, atë, që ke arritur deri më sot në pozicionin e mbrojtësit të veprës tënde (time). Letërsia dhe arti, në gjithëkohësi krijuese vlerash, për çdo shkrimtar e artist ka qënë dhe është pohimi i përhershëm i unit si njeri, individ i veçantë krijues vlerash, ndryshe nga të tjerët. Sejcili nga ne e pohojmë unin krijues si vetvete ashtu thjesht, natyrshëm, duke jetuar artistikisht e vizionar në jetën tonë. Të shkruash e të vizatosh letrarisht e artistikisht është gjurmë e vulosur shpirtërisht, që lë pas vetes dhe pohimi më emocional, mbresëlënës, i dukshëm, vizionar i përhershëm si njeri dhe krijues. Nuk ka letërsi dhe art më hyjnor përveç të krijuarit artistik të jetës, njeriut dhe natyrës universale. Krijuesi ka një vizion kozmik shumëplanësh, që shikon me syrin e mendjes një botë, një realitet ndryshe siç e shikojnë gjithë të tjerët. Ai, gjithçka ekziston në hapësirat rrethanore, i vlerëson me syrin e një kërkimtari, si objekte dhe subjekte të çmueshme për krijimtarinë letrare e artistike. Në qenien e tij, ka me vete, një objektiv këndgjerë në sytë e tij, të cilin nuk e heq për asnjë moment, bile edhe kur fle shikon një realitet të njëjtë me realitetin e perceptuar gjatë ditës me diell. Shkrimtari dhe artisti e ka konceptuar këtë realitet kohor si një mundësi produktive të krijimtarisë letrare e artistike, duke marrë atë që është e bukur, estetike, morale dhe impresionuese.

Sot ka krijues shumë produktiv që shkruajnë e vizatojnë përditë e çdo çast, gjithë jetën dhe në gjithëkohësi krijimi, të cilët përbëjnë shembuj më të dukshëm artistik, të këtij pohimi të gjithëkohshëm të unit krijues, që e merr emrin universal shpirtëror, ART. Letërsia dhe arti, si një pohim i dinamizmit jetësor në rritje të unit artistik nënkupton atë që krijuesi i angazhuar nëpërmjet veprës së krijuar flet për veten e tij i kuadruar në tërësinë e vlerave shoqërore.

Si i tillë, kur krijon, shkruan apo vizaton ato që sheh dhe e rrethojnë, natyrshëm objektivi i tij fokuson këndin e përzgjedhur nga vetë ai (ata) në mënyrën dhe karakterin vetiak, që do të thotë interpretim subjektiv i gjërave, si pohim i unit faktik të vlerave letrare dhe artistike. Në këtë jetë për krijuesin e vërtetë, nuk ka tjetër letërsi dhe art veç krijimit të gjithëkohshëm vlerash shpirtërore, morale, estetike, artistike, historike etj. për njeriun si njeri, lexues, intelektual, emocional etj. e trashëgues i të gjitha këtyre vlerave të krijuara, në kohë të reja dhe breza të rinj e pasardhës njerëzish. Për shkrimtarin dhe artistin ekziston një alternativë e vetme dhe jo dytësore, o je krijues i vërtetë e i mirëfilltë në jetë të jetëve, o nuk je kurrkushi. Letërsia dhe arti me dinamizmin e tyre energjik të flakin tej, sepse kërkojnë në esencë të tyre krijuese, nektarin pranveror të luleve të freskëta për një gjenerim vlerash letrare e artistike. Ato janë vazhdimësi e përhershme. Krijuesi potencial vlerash, në veprën e tij rrëfen konkretisht arritjen kulmore të krijimit të përhershëm, që do të thotë se letërsinë dhe artin e kthen në vlerë të përtypshme për njerëzit, pikërisht për atë që ndodh realisht çdo ditë. Kujtesa dhe historia njerëzore na ka mësuar shumë gjëra të vlefshme e sidomos kur themi se nga e tashmja kemi krijuar, shkruar e pikturuar të shkuarën letrare dhe artistike. Që të realizohen në përhershmëri të gjitha pikësynimet krijuese nga shkrimtari dhe artisti, kërkohet sakrificë e madhe dhe vetëmohim nga jeta vetjake e tyre. Jeton për të krijuar atë që përjeton çdo ditë si një njeri i përditshëm i tregut. Kthehet në diçka të llahtarshme si qenie e motivuar për sakrifica nga vetvetja për të tjerët. Nga ky çast ai nuk kupton nëse jeton apo nëse grumbullon material (brumë) jetësor për të shkruar ose për të pikturuar. Me këto lëvizje, krijuesi, bëhet promotor i natyrshëm i unit duke pohuar vetveten nëpërmjet krijimit i frymëzuar nga realiteti dhe jeta e gjallë njerëzore.

Sinteza e krijuesit të vërtetë është vepra, që shfaqet në sytë e njerëzve si emocion dhe ndjesi estetike. Pohimi i krijuesit shkrimtar dhe artist si pohim i unit në publik është shkëlqim dhe ekzistencë vlerash. Suksesin e vërtetë e shijon në piedestalin e ditës dhe të kohës së tij. Por, edhe në këtë stad arritjesh për krijuesin, vepra e krijuar deri më tani, që po shkruajmë, nuk është gjithçka e pohuar si tërësi vlerash, që përmban universi njerëzor. Krijuesi në përhershmëri të ekzistencës së tij, përpiqet të sjell mesazhe jetësore dhe njerëzore te artdashësi, lexuesi dhe publiku i gjerëvendasdhe i huaj.

Vepra e re, si një prurje krijuese e radhës nga krijuesi shkrimtar apo artist, është dëshmia më domethënëse e shfaqjes së botës në kuadrin letrar dhe artistik; është pikërisht ajo që e bën veprën si produkt, të shndërrohet në jetën e vërtetë të krijuesit dhe jeta hyjnore energjetike në kozmos e në tokë, në promotor vlerash krijuese në vazhdimësi. Kur vepra emocionale e krijuar përthithet nga njerëzit, do të thotë për krijuesin, aftësi dhe arritje. Krijimi i përhershëm, si energji lëvizëse krijuese, është ai që e shndërron jetën dhe njeriun në përjetësi, kurse krijuesi shkrimtar e artist, që na e jep këtë vlerë është kronikan i djeshëm, i sotëm dhe i të ardhmes së paparishikuar. Vepra dhe krijuesi mbeten në këtë mënyrë të përhershëm dhe monumental. Letërsia dhe arti i vërtetë natyral, njerëzor dhe historik, nuk rresht kurrë së jetuari, ekzistuari, së shkruari dhe vizatuari.

Realisht, në të vërtetë, çdo krijues, qoftë shkrimtar, piktor etj. ka tendencën drejt përkthimit autobiografik të jetës së tij, nëpërmjet idesë, mendimit në letër, vizatimit në telajo, si një gjetje, si krijim, si siguri për një besim në vetvete dhe për të arritur në finalizimin e krijimit, që kërkon të bëj. Kur i shikon gjërat e ditës në lëvizje si ngjarje e subjekte të gjalla, nuk mund të qëndrosh indiferent pa i vlerësuar dhe i menduar ato si një brumë i shkëlqyer letrar e artistik. Prandaj, si i tillë, procesi ynë mendor e krijues nuk është thjesht mekanik, apo sillet dhe vegjeton ashtu rastësisht para syve tonë. T’i jetosh gjërat realisht si njeri dhe krijues emocional i vërtetë, gjithë qenia mendore dhe fizike vihet në lëvizje për t’u bërë pjesë e tyre si vetvete dhe zanafillë e jetës sonë krijuese. Kjo vërteton faktin që ekzistenca e jonë si qenie njerëzore, është specie aktive e produktive, që e do jetën, artin dhe letërsinë. Ta shohësh veten në shtratin e jetës, që lumturohet çdo çast, është një mrekulli e pranishme në jetën tënde si njeri dhe krijues vlerash.

Lëvizja energjetike e këtij motori jetësor, është krijimi letrar dhe artistik.

Krijuesi shkrimtar dhe artist, njeriu që e bën të përhershme shfaqjen e të parit të vetes duke jetuar e krijuar shkon në mënyrë të drejtpërdrejt te jeta dhe njeriu, nëpërmjet shpirtit kërkimor të tij. Ai ka zgjedhur në jetën e tij mundësinë e të qenit krijues vlerash shpirtërore si për vete dhe për të tjerët, sepse ka besuar në talentin dhe aftësitë e tij mendore, deri në këto momente, që tashmë realisht është shkrimtar apo artist i konsoliduar nëpërmjet veprës, se me këtë emër dhe afirmim në publik, do të jetoj më gjatë si vlerë krijuese, ndoshta do të jetoj më pak fizikisht, sepse krijimtaria letrare e artistike si vetvete ka edhe koston dhe sakrificën më sublime, jetën e tij të vetme, si njeri.

Të merresh me letërsi dhe art, do të thotë të mohosh veten në kuptimin e të jetuarit të lirisë natyrore të jetës tënde si vlerë hyjnore, pa kokëçarje krijuese e sfilitëse, pa investim kohor dhe angazhimesh për letërsinë dhe artin etj; të largimit nga jeta dhe realiteti i gjallë njerëzor. Shkrimtarit dhe artistit të sotëm shqiptar i duhet të përballet me shumë probleme morale, ekonomike dhe anakronike të jetës, për ekzistencë, efektivitet dhe krijimtari artistike. Përpjekja për mbijetesë apo ekzistencë njerëzore e ka shoqëruar gjithë jetën si njeri dhe krijues. Realisht, një trajtim ekonomik simbolik për krijuesin do të na bënte të mendonim se ai krijon çdo ditë me shumë sforco shpirtërore, mendore dhe fizike, sepse është i shqetësuar për ushqimin e përditshëm. Nga eksperienca e krijuesve të gjithëkohshëm letrar e artistik, fatin e këtij lloj shkrimtari, artisti, aktori, këngëtari, muzikanti etj. e kanë patur dhe e kanë realisht jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botën më moderne të qytetërimit europian e botëror. Ata për vlerat shpirtërore, artistike dhe krijimtarinë kanë sakrifikuar gjithçka, edhe jetën. Krahas problemeve të tjera jetësore, krijuesit i duhet të krijoj përditë i angazhuar në telajo, letër, pentagram, skenë etj., që të mbijetojë përditë, i cili përballet me shumë vështirësi objektive dhe artificiale të imponuara nga një realitet i zbrazur moral, njerëzor, vlerash dhe antivlerash etj.

Shumë krijues shkrimtarë dhe artist përballë konkurrencës dhe sistemit të ekonomisë së tregut, s’e kanë gjetur veten si vetvete krijuese në rrjedhën e jetës kapitaliste, e cila, i godet ata në sytë e realitetit të dhimbshëm plot fatkeqësi e padrejtësi njerëzore dhe vlerash produktive, e sidomos të atyre shpirtërore, morale, shoqërore e kombëtare.

E megjithatë, me shumë sakrifica shumëplanëshe, përpiqen si idealist dhe njerëz shpirtëror krijues në jetën e tyre, që të jenë krijues vlerash si shkrimtar, artist etj., sepse në qenien e tyre, ekziston shpresa dhe besimi i virtytshëm i ecjes përpara në rrugën e zgjedhur dhe e përcaktuar një herë e përgjithmonë, në atë të krijimtarisë letrare dhe artistike, ndonëse kërkon investim dhe sakrificë të madhe të gjithanshëm dhe shumëplanësh. Ai (ajo) që ka zgjedhur në jetën e tij individuale, të investoj përditë, krahas përpjekjeve të tjera për jetesë njerëzore, për krijimin e vlerave shpirtërore në letërsi e art, është krijues shkrimtar e artist i lindur dhe produktiv nga Zoti. Krijimi i vlerave si përditshmëri krijuese, përbën për ta, një sintezë të afirmimit të unit si njeri dhe artist. Hap pas hapi e me këmbëngulje titanike e dashurore për qëllimin e tij në këtë jetë, ai shkon natyrshëm te bota e njeriut artdashës, e këtij njeriu të ndjeshëm e botëperceptim letrar e artistik, që vlerëson emocionalisht mesazhet estetike dhe shpirtërore të krijuesit shkrimtar, poet, prozator dhe artist, piktor, skulptor, këngëtar, aktor etj., duke harmonizuar bukur, raporte dhe marrëdhënie vlerash lexues-artdashës e në të njëjtën kohërrjedhjeje, vetë krijuesi dhe vepra e krijuar prej tij, gjen vetveten në botën e artit, qoftë në kuptimin e krijimit të vlerave, qoftë edhe të komercializmit të tregut të veprave letrare e artistike. Kjo dukuri si lëvizje dhe kompromis rrethanash ecën në mënyrë të papërcaktuar në botën komplekse njerëzore dhe krijuese të vlerave letrare e artistike, e kësaj bote që ka rregulla dhe pjell shumë paradokse antivlerash, e cila, në gjithëkohësi vlerash, pohon realisht kaosin, anomalitë dhe hallkat e saj të diktuara të lirisë dhe nevojës njerëzore për jetesë. Duam apo s’duam, është eksperiencë e tregut në formën e një letërsie apo arti, që ngjason me to. Natyrisht, është njeriu krijues, shkrimtar e artist, që i jep koherencën krijimit të veprave me vlerë, krijimit kaotik dhe i nevojshëm për jetesën e përditshme.

Botën e artit e krijojnë dhe e profilizojnë në këndvështrimin e tyre vetë shkrimtarët dhe artistët në përputhje me shijet dhe kërkesat e njerëzve në kohën e sotme. Ajo ka qenë historikisht jo vetëm në Shqipëri, por edhe në gjithë botën e qytetëruar të letërsisë dhe artit. Arti dhe letërsia kanë ecur nëpërmjet romantikëve, klasikëve, impresionistëve etj., të sintetizuar në vepra mjeshtërore të vizatimit, pikturimit, kompozimit, peizazhit, të artit figurativ, kurse në letërsi në atë të romantizmit, klasicizmit, etj, të cilat në përmbajtjen e tyre kanë edhe sot gjendjen shpirtërore të njeriut të gjithëkohshëm ekzistencial, si kohëra dhe sisteme të ndryshme shoqërore. Pra, krijuesi shkrimtar e artist, në çdo kohë dhe sistem të jetës së tij, ka jetuar dhe krijuar sipas shijeve dhe kërkesave të njerëzve, të cilët i siguronin atij si krijues, kënaqësinë shpirtërore dhe jetesën e përditshme, e në të njëjtën kohë mbillte nëpërmjet veprës letrare e artistike, jetën, emrin, firmën e tij si njeri që ka ekzistuar në këtë jetë dhe si krijues i vlerave shpirtërore njerëzore në letërsi, art e gjithçka estetike e të bukur për njerëzimin. Çdo vepër e krijuar si produkt në libër, pikturë, skulpturë etj., firmosej me emrin, autografin dhe vitin e jetës së tij krijuese letrare e artistike.

Ai (ajo) punonte dhe krijonte me mendimin e qartë se do të prodhonte vepra për njeriun si ushqim shpirtëror, ndjesi estetike dhe emocionale. Në këtë mënyrë të ndërgjegjshme, të pavarur dhe të jetuar në hapësirën e lirisë individuale, si njeri dhe krijues shprehte vetveten tërësisht dhe ishte i kënaqur për atë, që kishte bërë. Ai, nëpërmjet krijimtarisë letrare e artistike, kishte nxjerr në shesh botën e tij shpirtërore dhe njerëzore, të cilën e shndërroi në vlerë letrare dhe artistike. Vepra e bëri të përjetshëm dhe i dha gjendjen kulmore të ekzistencës si njeri në këtë botë universale. Lind pyetja, a e bëjnë shkrimtarët dhe artistët shqiptar këtë gjë? Natyrisht, që po. Të gjithë, në mënyrën e tyre, përpiqen të krijojnë dhe të jetojnë me artin që shpalosin para njerëzve artdashës, duke pohuar unin si vetvete nëpërmjet krijimtarisë dhe veprës së krijuar, qoftë ajo, roman, poezi, tregim, pikturë, skulpturë etj. Secili dëshiron të jetë kronikan i jetës dhe kohës së tij, si gjithëkohësi vlerash njerëzore, letrare e artistike. Në këtë kuptim, letërsia dhe arti i përhershëm është përpjekje dhe sakrificë, bindje dhe sukses, kur vetë koha e hyjnizon madhërishëm.

Ndini R.Bardhi

  Piktor, shkrimtar

 

Comments are closed.