Përse Kate nuk do të jetë kurrë Diana

Nga Ros Coward *

 Kate Middleton sapo ka mbajtur fjalimin e saj të parë duke mbledhur elozhet më të mëdha të mediave britanike. Fjalimi , në fund të fundit, ishte kufizuar në vetëm pak fraza me anë të të cilave Kate ka falenderuar shoqatën e bamirësisë për ftesën që i ka bërë, ka përshkruar punën e rëndësishme të saj dhe në fund ka rrëfyer se ajo e ndjen mungesën e William. Por nëse publiciteti për spitalin e fëmijëve përfaqëson një objektiv bamirësie, vëmendja e mediave mbi Kate është shumë më problematike dhe të sjell menjëherë në mendje kujtimin ende të pashuar të kritikave dhe të lëvdatave që media bënte ndaj Princeshës Diana në daljet e saj të fillimit. Në këtë rast vëmendja e mediave ishte përqëndruar në fustanin e Kate (marrë hua nga e ëma) dhe në fizikun e saj (pse është kaq e hollë) për të nënvijëzuar më pas përshtatshmërinë e saj spontane me fëmijët. Dukej sikur rishikoje filmimet për Dianën.

Me Dianën mjaftonte vetëm prezenca e saj për të shkaktuar një furtunë iluzionesh dhe insinuatash për problemet e saj me ushqimin, ose mjaftonte që ajo të përkulej mbi një fëmijë që mediat gati ta shenjtëronin shpirtmadhësinëe saj. Më Kate u pa e njëjta taktikë, e vjetër tashmë. Dobësia e saj ka shkaktuar mijëra ankthe mbi shkakun: vallë sepse është larg të shoqit, ose sepse nuk po mundet të ketë fëmijë? Sa për atësitë e saj mëshirëplota, prindërit e fëmijëve që i kanë shtrënguar asaj dorën vrapuan për të treguar për mediat sesa e jashtëzakonshme është ajo. Pra dëshira për të gjetur një tjetër Princeshë Dianë, është e papërmbajtshme. Thuhet se ka qenë përndjekja dhe pangopësia e medias që ka luajtur një rol të madh në falimentimin e martesës së saj.  Duhet atëherë të shqetësohemi që kjo përkujdesje e medias për Kate mund të shkaktojë në të ardhmen drama të tilla? Në të vërtetë, në thellësi, ndasitë që kanë këto dy gra nga njëra –tjetra janë shumë më të forta se gjërat  që i bashkojnë ato. Kur Diana u shfaq në skenën publike ishte shumë më e re se Kate, dhe shumë më e brishtë në profilin emotiv. Vetëm me krizën e martesës së saj Diana nisi të bëjë përpara dhe të njihet si protagoniste në përpjekje e sipër për të gjetur rolin e saj të vërtetë. Herë pas here ajo e linte veten në dorë të mendimeve të saj, ashtu si në fjalimin e famshëm në të cilin ajo tha : “.. të gjithë kemi nevojë për një përqafim..”. Nuk ka rrezik, që tani për tani, Kate ta lëshojë veten dhe të bëjë nga këto shpërthime, pasi ndryshimi thelbësor i saj me Dianën është se në çdo lëvizje dhe në çdo fjalë të saj Kate ka vulën e “ndërmarrjes” ashtu si e quante Diana familjen mbretërore.  Në ndryshim me Dianën, Kate është një grua që ka marrë një mandat të qartë dhe që kontrollohet vazhdimisht dhe në mënyrë të kujdesshme. Në vitin kur celebrohej përvjetori i saj i diamandtë, mbretëresha Elisabetë mbledh frutet e jetëgjatësisë së saj. Anglezët janë mësuar me idenë e një monarkie matriarkale. Mbretëresha mishëron simbolet e pushtetit «soft»: është ajo kryefamiljare e familjes së saj dhe e të gjithë kombit dhe përfaqëson traditën dhe vazhdimësinë. Jetëgjatësia e Mbretëreshës bën të ngrihen disa dyshime për të ardhmen. Brezi i ri i grave do të ketë një rol thelbësor në monarkinë angleze të shekullit të XXI. Pra Kate është shumë më “e shtrenjtë” dhe nuk mund të lihet vetëm ashtu siç u la Diana. Media ka nisur të ketë presionin e saj mbi Kate, por këtë herë “ndërmarrja” është e përgatitur për t’i përballuar ato.

Comments are closed.