Persekutorët komunistë shqiptarë nuk kanë kërkuar ende falje për krimet e tyre

“Vaclav Havel-i i paharrueshëm tha se komunizmit, gjithçka do ia falte, veç depersonalizimin e njeriut. Persekutorët komunistë shqiptarë nuk kanë kërkuar ende falje për krimet e tyre. Ata duhet t’u kërkojnë falje viktimave që, besoj iu dalin në dritëhije apo në vetminë e shpirtligësisë së tyre. Të kërkojnë falje që nuk dëshirojnë bashkim, por vetëm ndarje, të kërkojnë falje që dëshirojnë ta lënë Shqipërinë jashtë dyerve të Evropës Perëndimore”. Fjala ime do jetë e shkurtër, ndonëse nuk mjaftojnë as libra e romane për të rrëfyer mbi këtë rast kaq unik në historinë e kombit tonë, si ndër ngjarjet më makabre të krimeve të komunizmit. Një natë dimri, gjashtëdhjetë e një vjet më parë, një bombë që theu disa xhama në Ambasadën Sovjetike, theu përgjithmonë jetët e 22 pishtarëve të demokracisë që ne nderojmë sot. Ajo bombë hodhi në erë ca grimca muri, por shkatërroi përgjithmonë në mijëra copa dhjetëra jetë, jetët e të dashurve të tyre më të afërt. Ata ishin e ardhmja perëndimore e Shqipërisë, ishin: arsimtarë, politologë, tregtarë, ushtarakë, profesionistë, avokatë, intelektualë të shkolluar në universitetet më të mira evropiane, si shumë prej nesh sot, burra të dalluar në shoqëri e familje, por, mbi të gjitha, atdhedashës e paqedashës dhe, në mes tyre, një grua e vetme: një femër sa e ditur, aq e bukur dhe optimiste. 22 të pafajshëm, ata i arrestuan padrejtësisht “në emër të popullit” pa gjyq, pa ligj. E më pas, pa gjyq e pa ligj, i pushkatuan rrëzë një ure në errësirën e territ komunist, që tashmë kishte kapluar çdo gjë. Të lidhur me tela me gjemba i pushkatuan të gjithë, përveç njërit, z. Jonuz Kaceli, gjyshi im i nderuar i cili u ripushkatua me bashkatdhetarët e tjerë i vdekur, nën torturat e numrit dy të byrosë politike të Partisë Komuniste, Mehmet Shehu. Dhe gjysmë të vdekur e të gjallë i varrosën në gropën e përbashkët të arkivës tokë. Dhe, më pas, një ditë të trazuar marsi të ftohtë, Tirana u drodh nga kalimet e rënda të kamionëve që dëbonin përgjithmonë, duke i drejtuar në kampet e internimit, vejushat e reja dhe fëmijët e tyre. Besoj dhe dua të veçoj se është pikërisht në sjelljen ndaj femrës që dallohet në ç’masë ndryshon njeriu nga shtazët dhe ata pa kurrfarë droje a respekti për jetën e vlerat e saj, vranë edhe Sabihanë, intelektualen nga Libohova. Ata e vranë Kasimatin e mençur e të ditur hitiologen, me të cilën do krenohej e gjithë Shqipëria. Strategjia e krimit komunist u përpunua në mënyrë kapilare në sjelljen ndaj gruas dhe femrës. Gjatë diktaturës genocidare shqiptare, trumbetonte fort barazia gjinore dhe barazia e burrit, gruas dhe e fëmijës, si një ndër principet bazë të edukimit politik të partisë. Të gjithë duhet të ishin të barabartë: por barazia gjinore e vërtetë dhe totale i rezervohej kryesisht grave të deklasuara. Gratë shqiptare, armiket e popullit dhe të pushtetit popullor, shqiponja pa krahë, ishin po aq viktima sa edhe burrat: denigroheshin me fjalët më fyese. Ato, gjatë diktaturës më të kobshme, u vranë, u torturuan e persekutuan me mijëra gra, me mijëra lule. Dhe është e papërsëritshme dhe e paprecedentë në historinë botërore që pikërisht një grua, për më tepër vetë nënë, prononcoi fjalët “ne do t’i persekutojmë armiqtë e popullit e të partisë deri në brezin e shtatë, madje do t’i lëmë pa martuar”, jo vetëm pa iu dridhur qerpiku e pa një ndjenjë humanizmi, por me krenarinë dhe vetëdijen më të shthurur. Dhe kjo qe e veja e diktatorit Nexhmije Hoxha, më 1979. Kjo fjali rrëqethëse përbën, në thelb, të gjithë filozofinë perverse kriminale të atij sistemi që nuk u ngop kurrë me krime e gjak. Gruaja e dhimbjes dhe e përballjes, bija jetime, vejusha të reja, si gjyshja ime, zoja Mereme Tagani Kaceli, nënë 33 vjeçe, grua e ve tashmë më shtatë jetimë që u internua në pyjet e Çorovodës, në thellësinë e largët të Skraparit, ku vajzat e saj, pra hallat e mia ende të njoma, thyenin gurë lumenjve për të ndërtuar “Shqipërinë socialiste” apo zonja Shehu, e cila mbeti e ve shtatzënë, me zotin Hysen, që partia, të cilin nuk dëshironte ta shihte në jetë, nuk i dha as mundësinë të lindte në spital. Por, në fakt, ai lindi në rrugë, i fortë mbijetoi, pasi Zoti i kishte dhënë misionin e birit që i pari do gjente eshtrat e babait të tij dhe të gjithë të dashurve tanë e, sot, falë ditëve të bardha të demokracisë, kemi një vend ku i kujtojmë me një dritë qiriri apo një lule. Diktatura qe fort e egër me ato gra heroike, i arrestoi, i dënoi me vdekje, shumë të burgosura, të torturuara, të internuara, vajza të detyruara në punët më të renda, motra e nëna, lotët e të cilave nuk pushuan kurrë se rrjedhuri mbi fytyrat e tyre të vuajtura e të dhunuara, lot që nuk qanin dot vëllezërit e bijtë që nuk reshtnin se kërkuari ku ishin zhdukur natën në terr e ku kishin përfunduar, kushedi se ku e shumë prej tyre ende sot nuk dihen ku janë. Breza të tërë të pafajshëm. Shumë nëna shqiptare kanë derdhur një Adriatik a Jon, me lot mjerimi e dhimbje, por me një forcë të çeliktë, ato nuk u thyen kurrë përfundimisht. Barazia e kuqe nuk përjashtonte as fëmijët, përkundrazi, ata qenë destinatare të pafat. Por trajtimi, ashtu si për gratë, qe i barabartë për fëmijët në çdo aspekt: Fëmijëve shqiptarë i morën fëmijërinë, lodrat e bukura, ëndrrat, dashurinë, i rrëmbyen baballarët e dashur, për të cilët ato qenë idhuj e model jete, i lanë të pastrehë, të pangrënë, mbetën jetimë dhe trauma e tyre do përcillej tek pasardhësit në nipër e stërnipër, mbesa e stërmbesa. Ndonëse e përsëris, as bijtë, as nipërit e mbesat nuk u thyen kurrë përfundimisht. Po! Sepse duhet t’u themi atyre që ata nuk ia arritën kurrë qëllimit. Ata nuk na e mësuan kurrë urrejtjen. Ata nuk na i përcollën ideologjitë e tyre kriminale dhe ne nuk i përdorëm kurrë si “instrumentum regni”, pra si mjet për t’i mësyer. Ata patën fatin e madh që na zgjodhën ne si armiq, miq të dashur, pasi kurrë nuk kërkuam hakmarrje, por drejtësi. Neve na u edukua të përcjellim integritet virtytesh dhe autoritet moral dhe ata patën fatin e madh që ndonëse persekutimi përshkoi trupat tanë, shpirtin dhe zemrën na e lanë të pastër e të mbushur me ato vlera që ata deshën të asgjësonin. Vaclav Havel-i, i paharrueshëm, tha se komunizmit gjithçka do ia falte, veç depersonalizimin e njeriut. Persekutorët komunistë shqiptarë nuk kanë kërkuar ende falje për krimet e tyre. Ata duhet t’u kërkojnë falje viktimave, që besoj iu dalin në dritëhije apo në vetminë e shpirtligësisë tyre. Të kërkojnë falje që nuk dëshirojnë bashkim, por vetëm ndarje, të kërkojnë falje që dëshirojnë ta lënë Shqipërinë jashtë dyerve të Evropës Perëndimore. Dëshiroj të falënderoj përzemërsisht Kryetaren e Kuvendit, Kryeministrin Berisha. Faleminderit nga zemra dhe më shumë respekt e mirënjohje për çka kemi sot, për vajzën që jam sot dhe gruan që do jem nesër, falë jush, z. Jonuz Kaceli, gjyshi im i dashur e i nderuar, engjëlli im mbrojtës. Kejda Kaceli është familjare e një prej intelektualëve të pushkatuar, 61 vite më parë, nga regjimi komunist.

Nga Kejda Kaceli

Comments are closed.