Personat me aftësi të kufizuar, Topi: Rrugët ligjore, mjetet demokratike për gjetjen e zgjidhjeve

Presidenti Bamir Topi zhvilloi sot një takim me përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuara, të përbërë nga përfaqësues të Shoqatës së të Verbërve dhe të Para dhe Tetraplegjikëve të Shqipërisë dhe të kryesuar nga zoti Sinan Tafaj. Presidenti Topi shprehu solidaritet të plotë me kategoritë e kësaj shtrese në vështirësi të shoqërisë shqiptare, duke nënvizuar se do të ndjekë në vijimësi situatën dhe kërkesat e tyre për t’u ndierë të barabartë dhe të dobishëm në jetën shoqërore të vendit, si dhe duke siguruar mbështetje të pandërprerë institucionale e njerëzore, por dhe morale. Kreu i Shtetit shqiptar theksoi se vetëm rrugët ligjore janë mjetet demokratike për gjetjen e zgjidhjeve të duhura, të drejta dhe kushtetuese, duke vënë në dukje nevojën dhe rëndësinë e rritjes akoma edhe më tepër të ndjeshmërisë shoqërore, por sidomos të ndjeshmërisë së atyre institucioneve që e kanë për detyrë të sigurojnë të drejtat e kësaj kategorie të shoqërisë shqiptare sipas standardeve që garanton një shtet i vërtet demokratik e ligjor. Nga ana e tij, kryetari i Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuara, zoti Sinan Tafaj e njohu Presidentin Topi me çështjet kryesore që shqetësojnë personat me aftësi të kufizuara në vendin tonë lidhur me mosrespektimin e të drejtave dhe lirive të tyre dhe më konkretisht, përsa u përket ndryshimeve më të fundit ligjore mbi statusin e të verbërve, paraplegjikëve e tetraplegjikëve, të cilat, sipas zotit Tafaj përkeqësojnë gjendjen e mëparshme të kësaj kategorie të shoqërisë shqiptare, duke rritur pasigurinë juridike për të ardhmen e të drejtave të tyre. Gjithashtu, zoti Tafaj sugjeroi se institucionet shtetërore përkatëse duhet të hartojnë një strategji dhe kuadër ligjor të mbështetur në përvojat dhe standardet evropiane, për nevojat më imediate të personave me aftësi të kufizuara, në mënyrë që të shmangen situata të tilla diskriminimi e pasigurie dhe që kjo strategji të jetë në funksion, në mbrojtje dhe në interes të të drejtave të përfitimeve të personave me aftësi të kufizuara.

Comments are closed.