Përurohet monumenti kushtuar Hasan Prishtinës

hasan prishtina

Nentor 23, 2012 / Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në ceremoninë e vendosjes së shtatores së patriotit të shquar Hasan Prishtina. Shtatorja, e realizuar nga skulptori Artan Peqini, u vendos në një nga sheshet kryesore në qendër të Tiranës. “Duke shprehur krenarinë tonë të madhe për këtë burrë të shquar të kombit, këtë arkitekt të pavarësisë së Shqipërisë, këtë arkitekt të bashkimit të shqiptarëve të të gjitha trojeve etnike, le të punojmë ne së bashku për të shndërruar në realitet ëndrrën e tij në një Evropë të Bashkuar”, theksoi kryeministri. Gjithashtu ai u shpreh se Hasan Prishtina me veprën e tij, me të gjithë përkushtimin e tij, u shndërrua në flakëmbajtësin e idealit të bashkimit kombëtar të Lidhjes së Prizrenit dhe se ky burrë trim, guximtar e i mençur i kombit udhëhoqi lëvizjet më të mëdha çlirimtare që shqiptarët kanë pasur në kohërat moderne. “Sot, Hasan Prishtina vjen këtu në gjirin e qytetarëve të kryeqytetit, në gjirin e qytetarëve shqiptarë. Ai qëndron madhërishëm në Prishtinë, qëndron në Shkup, ish kryeqyteti i lëvizjeve shqiptare nga i cili Hasan Prishtina do të trondiste në themele Portën e Lartë, do të shpaloste projektin e bashkimit të trojeve shqiptare. Ai vjen sot më krenar se kurrë, sepse shqiptarët janë të lirë në të gjitha trojet e tyre etnike, sepse shqiptarët janë sot me vetëdijen më të madhe se kurrë për të punuar me përkushtim për të shndërruar në realitet idealin e pavdekshëm të Lidhjes së Prizrenit, idealin e pavdekshëm të Hasan Prishtinës, idealin e bashkimit të shqiptarëve. Duke shprehur krenarinë tonë të madhe për këtë burrë të shquar të kombit, këtë arkitekt të pavarësisë së Shqipërisë, këtë arkitekt të bashkimit të shqiptarëve të të gjitha trojeve etnike, le të punojmë ne së bashku për të shndërruar në realitet ëndrrën e tij në një Evropë të Bashkuar”, vlerësoi kryeministri.

Të pranishëm në këtë ceremoni të organizuar nga ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve  ishte edhe  Presidentja e Republikës së Kosovës znj. Atifete Jahjaga, Kryetarja e Kuvendit znj. Jozefina Topalli, kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha, si dhe të ftuar të tjerë

Similar Posts