Përurohet në Elbasan libri i Serxhio Mazrekut “Mbi politikën dhe demokracinë”

Një libër i rezonancës socpolitike

Shoqata e shkrimtarëve të Elbasanit, klubi “Kostandin Kristoforidhi”, përuroi të mërkurën në Elbasan librin me refleksione “Mbi politikën dhe demokracinë”, të autorit Serxhio Mazreku. Në praninë e shkrimtarëve elbasanas si: Fatmir Musai, Mihal Disho, Dhimo Tarusha, Xhemal Lufta, Alfred Maloholli, Ilir Mborja, Beatriçe Balliçi, Elisabeta Myftari, etj., si dhe të ftuarve nga Tirana, Nasho Jorgaqi, Bahri Myftari, Dukagjin Hata, Vasil Bozo, Baxhul Merkaj, Riza Dervishi, atmosfera e këtij takimi i ngjau një feste të vërtetë të librit, ku, më se dy orë, u diskutua mbi vlerat e tij dhe veçmas për autorin si stërnip i Aqif Pashë Elbasanit, si një familje me rrënjë dhe tradita në historinë kombëtare. Si një shkrimtar dhe publicist i ri, Serxhio Mazreku, përurimin e librit e zhvillon, së pari, në Elbasan, me një kredo të fortë morale, duke mbartur nga emri i mirë i brezave të shkuar ato tipare dhe virtyte të cilat ata i manifestuan në kohë të vështira. Ai e ndjen veten mirë në këtë qytet të traditave dhe të kulturës, duke pas parasysh faktin domethënës se në këtë qytet kanë punuar dhe jetuar, shkrimtarë me emër si Dhimitër Shuteriqi, Ethem Haxhiademi, Ali Abdihoxha, Fatos Kongoli, Bahri Myftari, Musa Vyshka, Milianov Kallupi, Nexhip Ejupi dhe vazhdojnë ta pasurojnë këtë traditë emra të rinj të prozës dhe poezisë e kjo nuk është rastësore. Elbasani ka bërthamën më të organizuar të njerëzve të artit në Republikë. Ai ka një shoqatë tepër funksionale të shkrimtarëve dhe artistëve, me një denduri aktivitetesh që e shtrin në qark, në Librazhd, Peqin dhe Gramsh. Ndaj, një promovim libri në Elbasan merr një karakter tjetër, duke përzier poetikën me akademizmin, racionalen me ndjenjën, çka ndodhi edhe me librin e Serxhio Mazrekut, një libër publicistik me vlera të spikatura, i cili nga dita në ditë po vihet re dhe po tërheq vëmendjen e lexuesit të interesuar mbi çështje dhe probleme kombëtare dhe të politikës së ditës. Në fjalën e tij, poeti, kritiku dhe studiuesi Mihal Disho, vuri në dukje ideo-tematikën e këtij libri, duke veçuar, pikërisht këtë mozaik tematik, ku Serxhio flet, për dhunën në shoqëri, për politikën e dy blloqeve të mëdha, PD-ja e PS-ja, për tema të ndryshme me karakter studimor si Kanuni  apo Muret midis shqiptarëve. Në një referencë të plotë,larg skemave dhe paragjykimeve, studiuesi Disho vuri në dukje, vlerat e librit në zgjerimin e studimit të optikave thënëse që lançojnë ide të reja e të kohës. Ndërsa shkrimtari Bahri Myftari dhe poeti Fatmir Musai, njëherësh shef kulture në bashkinë e Elbasanit, do ta vinin theksin, tek vlerat morale që përcjell ky libër, i cili i bën apel shoqërisë për një rritje të mëtutjeshme të vëmendjes së saj ndaj sjelljes së politikës, e cila në çdo krah që të ndodhet, çuditërisht nuk paraqet ndonjë fytyrë të dallueshme, sepse klasa politike shqiptare çuditërisht manifeston sjellje të njëjtë, ashtu si vëllezërit siamezë, çka flet edhe për një dështim e papërgatitje të saj në tërësi. Studiuesi dhe kritiku i artit, Baxhul Merkaj, duke u ndalur tek vlerat e librit dhe vlerat e autorit si filantrop, e pasuroi me tej këtë takim, sepse ai veçoi tiparet e publicistit Mazreku në ndaljen e vëmendjes së tij në probleme madhore ku ndodhet shoqëria jonë, probleme të cilat çdo ditë e më tepër kërkojnë zgjedhje adekuate, e që pritet t’i japë këto zgjidhje politika duke ulur ritmin e saj të zhurmës e duke shtuar ritmin e punës dhe përpjekjeve të saj për ndryshimin e kursit politik dhe të sjelljes. Është shumë e rëndësishme që politika në Shqipëri, pas kalimit të një stazhi dhe kursi sprovash herë të suksesshme e herë jo, të ndalet e të reflektojë duke mësuar nga gabimet, duke mos iu bindur aq shumë liderëve traumatikë që kërkojnë ta mbajnë atë peng për hir të interesave klanore. Gjithë këto ide, Serxhio Mazreku i kalon përmes një analize të saktë dhe të arsyetuar, përmes filtrit të mendimeve të gjetura, gjithnjë në këndin e shikimit të një qytetari të angazhuar, larg çdo simpatie të një militant të çartur, po duke thirrur arsyen e shëndoshë të një njeriu që kërkon ta shohë politikën si një faktor zhvillues dhe jo bllokues. Poeti Vasil Bozo, e krahasoi Elbasanin si një aortë të zemrës shqiptare, Elbasani i Ditës së Verës dhe i Ballokumeve, ka ditur gjithnjë të japë mjaltin e natyrës së vet që e kanë shijuar shqiptarët dhe turistët e huaj, po edhe mjaltin e arsim-kulturës dhe të dijes, duke nxjerrë në arenë të historisë dhe kohës njerëz me vizion kombëtar dhe kulturor, të cilët kanë shënuar vlera të vetes dhe këtij qyteti, për të cilët ndjehet krenar jo vetëm ky qytet, por edhe njerëz të tjerë, që vërtet s’janë nga ky qytet po kur shkojnë aty, u duket vetja sikur ndjehen në një vatër të ngrohtë dhe rrezedhënëse. Edhe Vasil Bozo, poet lushnjar, e ndjen veten sit ë tillë, pikërisht në një ditë të tillë, midis shkrimtarëve elbasanas, të cilët, promovojnë vlera dhe japin vlera. Poetja, mësuesja e shkollës pedagogjike “Luigj Gurakuqi”, Elisabeta Myftari, do të vinte në dukje vlerat e librit në mundësinë nga aftësitë që ka ai për të përhapur ide me të cilat tisi lexues, varësisht nga formimi bindjet, kultura, mund të mos jesh dakord, po ky libër është një libër që zgjon mendime dhe përcjell mesazhe qytetarie. Një libër i tillë vlerën e ka pikërisht në këto aftësi për thyerje të mendimit, duke e mbartur mirë vlerën të një libri që zgjon dhe transmeton imazhe dhe ide, që mbeten në mendje për një kohë të gjatë. Ndërsa piktori Xhemal Lufta, u ndal në një poezi mbi Portën e Kalasë, duke sjellë kështu një element ekzotik dhe tradicional, duke përafruar kohërat tek ajo portë historike dhe kjo nuk ishte fare rastësore, po të kemi parasysh faktin se aktiviteti zhvillohej pikërisht në lagjen “Kala”, lagje që ka nxjerrë nga gjiri i vet bij të shquar duke filluar nga Konstadin Kristoforidhi i Madh e më tej… Simbolika e një takimi të tillë, pak ditë pas Ditës së Verës, është e tillë që ajo të shoqërohet me përurimin e një libri publicistik për politikën dhe demokracinë, të autorit Mazreku, simbolikë e cila përcillet në kohë dhe merr konotacione të gjëra në kohë-hapësirën e viteve të vështira, kur shumë emra të kësaj lagjeje ishin të ndaluar të ziheshin me gojë, sidomos në ditët dhe vitet kur diktatura përkundër emrave të mëdhenj, ngrinte emra të paqenë dhe me vlerëmediokre, për të bërë historinë e re të lejëfenizmit shqiptar. Në esencë këtë do ta shprehte në diskutimin e tij, Flamur Harri, ish i burgosur i ndërgjegjes, djali i arsimtarit dhe patriotit elbasanas Sulejman Harri, i cili theksoi se Serxhio Mazreku ndodhet në një trekëndësh kombëtar të fortë Shkodër-Elbasn-Leskovik, duke përcjellë vlerën e fiseve që kurrë nuk kanë mbjellë përçarje por bashkim kombëtar kulturë dhe dinjitet njerëzor. Në një ditë marsi Elbasani i ngjet një qyteti me konture të gjelbra, ndonëse ende gjelbërimi s’ka shpërthyer ende. Kjo ndodh se gjelbërimi i tij ndodhet në shpirt, në festën e lashtë pagane, e cila zbriti nga Zana e Çermenikës dhe qëndroi në Elbasan, në këto troje të lashta, ku rrjedh lumi i Shkumbinit dhe bie nga malet fërtymën e ftohtë të tyre, e cila në të ngrohtën që përparon nuk ka efekt. Në fjalën e tij përmbyllëse, zoti Serxhio Mazreku tha se ndihej i lumtur që ishte mes bashkëqytetarëve të tij, sepse ishte kënaqësi e madhe për të, ta promovonte librin së pari në qytetin e tij të lindjes e më vonë në Tiranë. Në këtë botë kaotike, të globalizmit dhe të hutimit ndërplanetar, të rreziqeve dhe pasojave që mbarten vetiu, është shumë e rëndësishme dhe po vihet re vetvetiu kërkimi i rrënjëve, jo vetëm si nostalgji, çka është e natyrshme, por edhe si një nevoje për evidentim të ca vlerave që në kohë të caktuar nuk janë vënë re si duhet. Fjalët për një libër publicistik, natyrisht janë fjalë për autorin, po edhe fjalë për tekstin, sepse çdo tekst, nuk mund të konceptohet asesi jashtë autorit, jashtë kohës në të cilën ai jeton, jashtë formimit, kulturës, arsimimit dhe aftësive të tij për ta perceptuar kohën. Libri i Serxhio Mazrekut është ndërtuar në dy shina paralele: mbi politikën dhe demokracinë, jo demokracinë si tip, konvencional, as si histori modelesh të dështuara apo të suksesshme, po mbi demokracinë shqiptare, e cila i thotë vetes demokraci, pikërisht pse do të quhet e tillë. Kjo ka ardhur si rezultat i mospërgatitjes sa duhet të shoqërisë shqiptare dhe të klasës politike që nuk është gjë tjetër, veçse ajo zierje e shoqërisë shqiptare, një zierje e çuditshme, nganjëherë eruptive. Sot, në tregun e librit duhet të ketë sa më shumë libra të autorëve shqiptar, mbi politikën, demokracinë, kulturën , qytetarinë, mjedisin, diversitetin e mendimit, sepse ne po shohim se në këtë fushë ka shumë libra të huaj dhe opinion rend pas tyre. Nuk ka ndonjë të keqe nga kjo, por edhe autorët shqiptarë duhet të ndihen pak më tepër. Libri i Edi Ramës, Blendi Fevziut, Andrea Stefanit, Sokol Ballës, shtruan një trase të mirë dhe dhanë një model nxitje në lëvrimin e prozës publicistike me protagonistë të gjallë të skenës politike, me ide dhe përvoja të ndryshme, duke dëshmuar se tek opinioni mund të përcillet ideja e guximit të fjalës,ideja e opinionit dhe përpunimit të tij. Këta libra, me sa di unë, të lexuara nga një masë e madhe njerëzish, ftojnë për reflektime dhe guxim në përcjelljen e fjalës qytetare. Një libër i tillë mbetet edhe libri i Serxhio Mazrekut, që përcjell shqetësimin qytetar për fatet e demokracisë, dhe e fton klasën politike duke i treguar sjelljen e saj të bëhet më e përgjegjshme, më e manovrueshme duke tentuar të kuptojë se ndërtimi i demokracisë në vetvete është një sfidë e vështirë, sepse së pari një politikan duhet të kapërcejë vetveten, mllefet, inatin, elaborimin e kundërshtarit si armik, e veçori të tjerë që nuk e nderojnë. Demokracia në Shqipëri vjen vetëm atëherë kur kultura të mos shihet si fasadë, as si import dhe dëshirë për kopjim, as si mumifikim të personave për hir të lavdisë së dikurshme, por vetëm kur ajo të kuptohet si një rrjedhë e lirë e mendimeve dhe veprimeve të njeriut pa pasur frikë dhe droje, duke e parë realitetin në sy, pa frikë, në mënyrë që të ndërhysh për zgjidhjet e tij me dashuri,larg çdo skeme të mundshme të imponuar. Këto na mëson së fundi edhe libri i Serxhio Mazrekut që u promovua këto ditë në Elbasan.

 Nga Qazim Shehu

Comments are closed.