Përvjetori i 13, i sulmeve ajrore të NATO-s, Jahjaga: Kosova, respekt për gjithë angazhimin e SHBA

Presidentja kosovare, Atifete Jahjaga, deklaroi sot se përvjetori i 13-të i sulmeve ajrore të NATO-s për Republikën e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e saj ka simbolikën e ndihmës dhe të përkrahjes në momentet më të vështira të historisë, në kohën kur popullsia shpërngulej me dhunë, kur kanosej të kryhej gjenocid mbi një popull të tërë.  “Populli i Republikës së Kosovës ndjen respekt dhe nderim të veçantë për gjithë angazhimin e Shteteve te Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Evropian dhe të Aleancës Veriatlantike-NATO, që duke mbrojtur parimet e lirisë, barazisë dhe demokracisë, dolën kundër një regjimi shtypës në mbrojtje te qytetarëve të pafajshëm, duke vendosur vlerat civilizuese në këtë pjesë të Evropës. Ne, në përvjetorin e 13-të, vijoi Jahjaga, ndjejmë admirim për gjithë ata burra dhe gra, ushtarë dhe oficerë të forcave ushtarake të NATO-s, që për 78 ditë me radhë u përkushtuan për jetësimin e parimeve në te cilat ata besonin dhe që për ne si popull kjo ishte vetë jeta. Qytetarët e Republikës së Kosovës shprehin falënderimet e thella për gjithë angazhimin e misionit paqeruajtës të NATO-s-KFOR-it në Kosovë, që ndihmoi në ringritjen dhe rindërtimin e vendit, në parandalimin e çfarëdo kërcënimi dhe në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Dhe Kosova pret që në një të ardhme të afërt të bëhet anëtare e NATO-s, të japë kontributin e vet në misionet humanitare dhe paqeruajtëse në botë”, u shpreh në deklaratën e saj, presidentja Jahjaga.  Në Kosovë po kujtohet me shumë manifestime dita e ndërhyrjes shpëtimtare që i hapi rrugën lirisë së saj, 24 marsi i vitit 1999, i fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s mbi pozicionet e forcave serbe që bënin gjenocid e spastrim etnik të tmerrshëm.

Comments are closed.