Pier Mirel: Duhet gjetur një balancë për heqjen e imunitetit

Drejtori për Zgjerimin e Ballkanit në KE, Pier Mirel në konferencën përmbyllëse të takimit të Stabilizim-Asociimit mes BE dhe Shqipërisë, vlerësoi arritjet dhe ecurinë pozitive të Shqipërisë në disa drejtime. Në këtë konferencë, ai e vuri theksin tek rëndësia që ka integrimi i Shqipërisë në BE, si edhe tek hapat që janë hedhur në favor të këtij procesi. Sipas tij  heqja e imunitetit është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të përparimit drejt BE-së. “Kemi vlerësuar pozitiv faktin që është bërë zgjedhja e Avokatit të Popullit. Po ashtu kemi vlerësuar pozitivisht faktin që është vendosur edhe komisionari për mbrojtjen kundër diskriminimit, po ashtu lufta kundër korrupsionit ka angazhim tepër të qartë dhe ne kërkojmë një sërë arritjesh në vazhdimësi. Për të treguar se do të ketë një histori të qartë në këtë fushë, do të ishte e rëndësishme heqja e imuniteteve. Kur flitet për të, lind pyetja si mund të flitet që të ketë një gjyqësor që të jetë i pavarur dhe nga ana tjetër t’u hiqet imuniteti gjyqtarëve? Ekziston një balancë mes anës së të qenurit i pavarur dhe llogaridhënies. Nga ana tjetër duhet të krijohen kushte në mënyrë të plotë që të çojnë tek heqja e imunitetit”, u shpreh Mirel.

Integrimi, prioritet kryesor për vendet

Drejtori për Ballkanin në KE, duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë së dialogut politik, për të çuar përpara projektin e rëndësishëm për integrimin e vendit në BE, theksoi edhe nevojën e arritjeve konkrete në luftën kundër krimit e korrupsionit.  Sipas tij, që një projekt i tillë të jetë i suksesshëm, ajo që kërkohet është një konsensus i gjerë mes palëve politike. “Mbaj mend dhe rezolutën që është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë para 2-3 vjetësh që ka thënë se ishte qëllimi i Shqipërisë që të integrohet në BE. Është ky konsensus që ka provuar edhe këto arritje që ne i kemi përmendur deri më tashti, arritje që janë përkthyer në arritje konkrete. Ndaj është tepër thelbësore që ky konsensus të vazhdojë, siç e kemi parë të ishte gjatë muajve të shkuar. Mund të them që kjo mënyrë për të ecur përpara e për të pasur progres do të jetë duke vënë në zbatim planin e veprimit, theksoj se kjo duhet bërë nëpërmjet një angazhimi tepër të fortë të angazhimeve të ndryshme si në administratën publike. Mezi presim të shikojmë këtë ecuri të mirë në zbatimin e planit të veprimit si ecuri të mirë në rrugën e Bashkimit Evropian”, u shpreh ai. Ndër të tjera, Mirel theksoi se në Shqipëri është parë ecuri në fushat që kanë të bëjnë me gjërat që janë intensifikuar nga opinioni i KE, i nxjerrë përpara dy vitesh. Në këtë drejtim, ai përmendi tre zhvillime, punën e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, grupin e punës për rregulloren e parlamentit dhe sipas tij janë parë sinjale të mira për dialogun konstruktiv politik, që po zhvillohet në vend dhe miratimi i ligjeve me 3/5 në parlament.

Vlerësim pozitiv për ligjin e pronësisë

Ne kemi vlerësuar pozitiv faktin që është hartuar një ligj i ri për pronësinë. Dëshirojmë të themi se kjo është e rëndësishme sepse e shohim si aspekt që po pengon ecurinë në vend. Kemi parë që Shqipëria ka pasur rritje ekonomike dhe ka potencial tepër të lartë. Pasi të jenë zgjidhur çështjet e pronësisë ekonomia e Shqipërisë do të ketë mundësi të ecë akoma më tej, e kemi fjalën për investime për të huajt për të ardhur në vend. Ne kemi parë që ka pasur një ecuri të mirë në fushën e tregut të brendshëm.

Comments are closed.