Plagosja e gardianit të burgut, shoqërohen në polici disa persona

Uniformat blu të Tiranës, kanë shoqëruar disa persona lidhur me plagosjen e një dite më parë të gardianit të burgut të Fushë-Krujës, Albert Kryemadhi. Sipas policisë janë shoqëruar për t’u pyetur persona, që kanë dijeni për këtë ngjarje. Bëhet e ditur gjithashtu se policia, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, po punon intensivisht për zbardhjen e motiveve të kësaj ngjarje, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve. Ngjarja ndodhi pasditen e së enjtes në rrugën “Irfan Tomini”, kur persona të paidentifikuar kanë tentuar të vrasin me armë zjarri shtetasin Albert Kryemadhi, 50 vjeç, banues në Selitë-Tiranë, me detyrë shef i regjimit të brendshëm në burgun e Fushë Krujës. Në vendngjarje shkuan shërbimet e policisë së Komisariatit të Policisë Nr.2 Tiranë dhe të Sektorit Kundër Krimeve të Renda, të cilat i dhanë ndihmën e parë të dëmtuarit, i cili si pasojë e plagëve të marra u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak për trajtim mjekësor. Policia njofton se është duke punuar intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Comments are closed.