Një ditë më parë, në Pikën e Kalimit Kufitar në Portin e Durrësit, Kontrollorët nën praninë edhe të Specialistëve për Hetimin e Krimeve në DRKM kanë kapur një person me armë zjarri.

“DurrësLajm” raporton se Konstatimi i armës që i përkiste shtetasit E. A. 32 vjeç, banues në Kavajë, u bë gjatë kryerjes së procedurave të regjistrimit në dalje të Republikës së Shqipërisë në terminalin e mjeteve.

Policia sqaron se si rezultat i kontrollit të kryer në pjesën e bagazhit të automjetit të drejtuar nga shtetasi i mësipërm është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri e tipit pistoletë, pa leje, me ngjyrë të zezë me mbishkrimin “BRUNI MOD 92″, me krehër.

Arma e zjarrit nuk ishte deklaruar në kufi nga 32-vjeçari dhe nuk dispononte leje. Veprimet e mëtejshme hetimore janë kryer nga Specialistët për Hetimin e Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, të cilët konstatuan se arma e zjarrit kishte një vrimë në pjesën e sipërme dhe me tytë të bllokuar, pra ishte armë zhurmuese.

32-vjeçari po hetohet penalisht në gjendje të lirë, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për vlerësim.

/portali DurresLajm/