Kundër xhamave të zinj, aksion i policisë rrugore në Tiranë

Zëdhënësja e policisë së Tiranës, Alma Katragjini, nëpërmjet një deklarate për mediat, bën me dije se forcat e policisë kanë nisur një aksion, me qëllim parandalimin e krimit. “Strukturat e policisë kanë kryer operacion gjithëpërfshirës mbi kontrollin e territorit për parandalimin e krimeve kundër pronës së qytetarëve, vjedhjeve me dhunë e ngjarjeve të tjera”,- tha ajo. Sipas Katragjinit, gjatë 24 orëve të fundit, është bërë i mundur ndalimi i 187 automjeteve për mangësi në dokumentacion, janë sekuestruar 10 armë zjarri dhe 10 armë të ftohta në pronësi të disa shtetasve, si dhe janë kapur 4 shtetas me doza kanabisi në afërsi të shkollave. Mësohet se ky aksion pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me qëllim për të parandaluar rastet kriminale.

Aksioni i policisë

Operacioni policor nisi mesditën e së martës në 12 pika të kryeqytetit dhe ai është firmosur nga ministri i Brendshëm, ndërsa drejtohet nga drejtori i policisë së Tiranës, Bernard Çaushaj. Në ndihmë të patrullave të policisë, janë dhe forcat speciale “Shqiponja”, si dhe reparti “Renea”, të cilat krahas dokumentacionit, kryejnë kontrolle të imtësishme edhe për armëmbajtje pa leje, por edhe persona të dyshuar si kontigjent kriminal apo persona të shpallur në kërkim.

Leave a comment