Portreti i mësuesit në dy kohë

Në të gjithë kohërat e në të gjitha vendet e qytetëruara, profesioni i mësuesit është parë dhe shihet ende si një profesion që i përket grupit të idealistëve. Në një fjalë të urtë japoneze thuhet: “Nëse kërkon të shohësh një komb pas 1000 vjetëve, atëherë duhet të shohësh punën e mësuesit”. Në këtë armatë idealistësh, si specie sociale paksa në venitje, në planin profesional, me të cilin jemi mësuar ta njësojmë në të gjitha kohërat e kaluara, duket se ata të gjuhës amtare kanë zënë e do të zënë një vend të rëndësishëm në radhën e tyre. Në mesin e viteve ’60, unë isha nxënës konviktor, në shkollën e mesme pedagogjike “Luigj Gurakuqi”, të cilën, ende sot, shumë ish-nxënës dhe mësues të saj (madje edhe prindërit e tyre që kanë mbaruar këtë shkollë), kanë dëshirë ta quajnë “Shkolla Normale”. Në të vërtetë, nuk është edhe një ndryshimi i madh. Vetë Mësuesi i Popullit,Luigj Gurakuqi,kyshkodran i mençur dhe një poet kaq lirik, ka qenë drejtori i Shkollës së Parë Normale. Emri dhe busti i tij, sot përshëndesin të gjithë brezat e arsimdashësve elbasanas dhe mbarëkombëtar. Diku, në hyrje të mensës së shkollës, ku hanin çdo ditë mbi 1000 nxënës të ardhur nga të gjitha viset shqiptare, duke përfshirë edhe djemtë e Kosovës, të dëbuar në atë kohë nga regjimi serb që projektonte dhe zbatonte spastrimin e kosovarëve, ishte një parullë e shkruar nga një pedagog i shquar: “Kur vendosa t’i shërbej shoqërisë, u ndala te profesioni i mësuesisë”. Natyrisht, në këtë citat kishte pak më shumë se duhet idealizëm. Ishte një lloj morali që, po ta shikonim sot me “të drejtat dhe detyrat e njeriut”, përbënte edhe një lloj detyrimi për të ardhmen e atyre që kalonin në atë prag. Kombi ynë e ka parë vonë, shumë vonë, misionin e tij që i përket një profesioni, që është i vjetër sa edhe mbarë bota. Nuk është vështirë që në analet e historisë të jetës ekonomike, shoqërore dhe sociale të kombit tonë të gjesh e të citosh portrete mësuesish që kanë sakrifikuar aq shumë, jo vetëm atë të përditshme shpesh të varfër, në të gjitha dukuritë e saj, që e përjetojnë me pasione edhe shumë profesione të tjerë, por edhe mbarë jetën. Përballë fjalës dhe punës plot vetëmohim të mësuesit, ne mund të përmendim Petro Nini Luarasin, Babë Dudë Karbunarën, Papa Kristo Negovanin, Motrat Qiriazi, pa folur edhe për rilindësit e tjerë që sakrifikuan atë që kishin më të shtrenjtë për shkollën, për fëmijët, për të ardhmen. Për të shkuar te De Rada i thinjur, atje në Shën Dimitër Koronë, që në moshën 90-vjeçare, vdiq shumë, shumë i varfër, edhe pse iu kishte mësuar shqip fëmijëve arbëreshë dhe kishte botuar edhe libra për ta. Naim Frashëri nuk kursehej, edhe pse i sëmurë, të shkruante tregime për nxënësit e shkollave të para shqipe. Në këtë këndvështrim, mund të shihet edhe sakrifica që bënte njeriu i thjeshtë për arsimimin e vetes dhe të fëmijëve të tij. Kjo u pa në luftën që u bë kundër analfabetizmit, ku u konsumuan shumë energji të mëdha nga të gjitha shtresat që ishin në këtë punë si mësuesit dhe prindërit. Idealizimi i mësuesit ka kohë që ka humbur. Në një kohë llogarish, për të gjitha dukuritë e jetës, edhe ky profesion do të prekej nga kjo dukuri e shoqërisë që po jetojmë. Në shumë segmente të administratës, bëhet një vlerësim relativ i mirë i masës së njerëzve për mësuesin dhe një rol relativisht i rëndësishëm i tij në jetën e vendit. E parë nga ky këndvështrim, në të gjitha kohërat, njeriu dhe administrata e secilit shtet që krijohet, pavarësisht ngjyrës politike, të gjithë e kanë pranuar në heshtje, por edhe me zë të lartë misionin e mësuesit në ardhmërinë e jetës së vendit tonë, duke përfshirë këtu edhe fisnikërimin e vetë kombit, përballë një Evrope që ka rrënjë më të hershme, më të forta, më gjithëpërfshirëse të diturisë, të shkollave që ajo ka hapur dhe të vjetërsisë së mësuesit si profesion, si mision dhe si misionar. Le të bëjmë një çast atë pyetje të thjeshtë: “Si ka evoluar raporti i profesionit të mësuesit në të gjithë piramidën sociale të shoqërisë shqiptare, të paktën në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, kur në Shqipëri ka qenë shteti komunist dhe si është sot, në ditët tona, kur administrimi i vendit që i besohet politikës së pluralizmit shumëpartiak dhe ekonomisë së tregut”. Natyrisht, as që mund të diskutohet e të vihet në tryezën e debatit ajo thënie banale që i referohet kohës së Zogut se “mësuesi, në atë kohë, nuk thirrej në gjyq si dëshmitar”. Në një kohë që analfabetizmi ishte KRYEZOT i jetës sociale të vendit, mendimi i mësuesit dhe mençuria e tij, që shumë herë ishte edhe e ngjizur në shumë shkolla të vendeve të huaja, ishte një luks i madh që ta dëgjonte jo vetëm një gjykatës, por mbarë shoqëria shqiptare. Në periudhën e parë, vendi i mësuesit ishte pak më i dallueshëm nga të tjerët. Vetë shteti ishte i detyruar që ta rriste sa më shumë autoritetin e mësuesit, sepse nëpërmjet dyerve të shkollës, ai realizonte edhe më mirë objektivin e tij të sundimit, jo vetëm të arsimimit të brezave të rinj, por edhe të mbjelljes së një politizimi të tejskajshëm që kishte shoqëria e kohës. Përballë një parulle të madhe të stërmadhe, që vihej kudo: “Politika në plan të parë” nuk mund të ishte larg këtij politizimi edhe mësuesi, për të mos thënë se ai ishte në radhën e parë të “Komisarëve të Dritës”, si thuhej për mësuesin. Mungesa e dritareve të tjera të informacionit që kishte shoqëria në kushtet e një izolimi politik, ekonomik, kulturor, që kishte vendi ynë me botën (e cila, për hir të së vërtetës, kishte edhe disa norma që nuk përputheshin me identitetin tonë kombëtar) bënte që mësuesi dhe shkolla ku ai shkonte çdo ditë, të bëhej në një nga vatrat më të rëndësishme të mësimit, por edhe të edukimit të shoqërisë. Është gjëja më pozitive që në të gjithë programet politike që paraqesin partitë politike në zgjedhjet parlamentare apo edhe në ato lokale, është arsimi dhe padyshim edhe mësuesi që është palca e tij. Nuk mund të flasim për trajtimin ekonomik të tij që nuk dallohej dhe aq shumë nga një shoqëri populiste, nga një shoqëri e centralizuar në secilën qelizë të saj, edhe pse nuk kishte zyrtarisht një STATUS konkret të tij. Kjo propagandë që bëhej e vinte mësuesin në një vend më të denjë në shoqëri, edhe pse brenda tij kishte dhe shumë falsitet. Kishte një lloj argatllëku për një shtet që e paguante dhe e përpunonte edhe ideologjikisht për fjalën që do të thoshte. Kjo strategji qeverisjeje, nëse do ta quanim kështu, mund të kuptohet më mirë nëse do të shikonim konkretisht edhe reagimin e kundërt që mund të bënte një mësues fjalëlirë, i cili, në emër të shprehjes së lirisë së tij të munguar, të mund të kundërshtonte në parim atë që shkolla nuk e kishte dhe nuk duhet ta kishte. Më konkretisht, atë politizim të tejskajshëm të shkollës shqipe, të atij huazimi të jashtëzakonshëm të pedagogjive të vendeve të tjera, kryesisht ato të Lindjes, duke mohuar tiparet e një shkolle kombëtare në të gjitha qelizat e saj, që nga arsimi fillor, deri tek ai i larti. Le ta nisim nga një analizë e shkurtër që mund t’i bëjmë idealizmit të mësuesit, larg së cilës nuk mund të qëndrojë asnjëherë profesioni i mësuesit dhe i mjekut. Në emër të këtij idealizmi, a nuk do të ishte mirë që në shkollat tona të punonin në të gjitha nivelet e saj nxënësit më të mirë të kombit, duke nisur që nga fëmijët e politikanëve, që flasin me aq pasion në tribunat parlamentare dhe jo ata që e marrin këtë profesion se nuk mund të kalojnë profesionin e juristit, të ekonomistit, të arkitektit etj.? Të kthejmë sytë nga arsimi, duket nisur nga kjo kontratë e shkruar apo e pashkruar që mund dhe duhet të bëjnë të gjithë faktorët socialë dhe ato të qeverisjes. Autoriteti i mësuesit është ulur shumë. Madje, në disa raste, ai po bëhet edhe objekt i humorit më vulgar të skenave dhe ekraneve tona. Vetë shoqëria jonë nuk e sheh më mësuesin, si një këshilltar të mirë të së ardhmes. Aq më tepër, edhe të fëmijëve të tij. Vetë mësuesi e ka të vështirë që të orientohet nga udhëkryqet ku e shpie shpesh ekonomia e tregut që jo gjithmonë e motivon atë të plotësojë më së miri nevojat e tij të përditshme për të shkolluar fëmijët e tij pa folur për të çlodhur trurin në pushime të rregullta verore në një nga vilat e pushimit në Shqipëri, pa le në botë. Statusi i mësuesit, ende është i venitur në tërësinë e vet. Aq më tepër dhe i pashkruar në një letër të bardhë. Nuk bëhet fjalë vetëm për përshëndetjet nostalgjike që ai i dëgjon përherë e më rrallë në një rrugë nga ish-nxënësit e dikurshëm, kur shkon në shtëpi apo në dyqan, ku blen bukën e tij të përditshme. Mungojnë takimet periodike me mësues veteranë. Mungon një trajtim i mirë financiar. Ndoshta duhet parë edhe një herë koha e daljes së tyre në pension, qoftë edhe shkalla e ngarkesës së tyre. Nuk mund të kuptohet një mësues në moshën 65-vjeçare me të njëjtën normë mësimore me ata të 25-vjeçarëve që vijnë në bankat e fakulteteve. Ky mësues, që ka edhe një klasë në kujdestari (shpesh edhe në masën e 45 nxënësve), edhe një ritmikë ngarkese profesionale në rritje që e kërkon medoemos edhe koha, e ka të vështirë që pasioni i tij ta ushqejë në të gjitha orët e ngarkesës së tij mësimore. Ndoshta shteti dhe organet e ndryshme të qeverisjes duhet të mendojnë edhe më shumë për këtë ngërç që ekziston në këtë vend. Ende mungojnë në këtë vend mekanizmat për vlerësimin dhe rivlerësimin e figurës së mësuesit. Edhe politizimi i dikurshëm sot është zëvendësuar në një mënyrë të ndryshme me vetë qenien e tij si subjekt politik ku atij i kërkohet shpesh që të bëhet mbështetës i një partie të caktuar që është në pushtet. Këtë gjë e kritikon me të drejtë opozita kushdo qoftë ajo, por kur ajo hyn në pushtet, bëhet viktime e kësaj “sëmundjeje” të madhe sociale që nuk dëmton vetëm personalitetin e mësuesit, por edhe infrastrukturën e tij shoqërore. Përballë këtij transformimi politik, social, kulturor dhe i një mentaliteti të ri që ka shoqëria për mësuesin mendoj se duhen gjetur edhe më shpejt mekanizmat që atë, mësuesin e lodhur e të përkushtuar ndaj detyrës së tij sa idealist për sot e për shekujt, ta vëmë në vendin e duhur që jep ai misionar i informimit, të fisnikërimit dhe e kulturimit të kombit. Që dita e 7 Marsit të mos jetë vetëm kryefjala e mirënjohjes, por të jetë po aq e mirëpritur në të gjithë ditët e vitit me buzëqeshjen e ngrohtë që i drejtohet mësuesit.

Nga Namik Selmani, mësues, shkrimtar