Presidenti i Hungarisë, zhvishet nga “Doktoratura”

Universiteti “Semmelweis” i Budapestit i ka hequr titullin “Doktor”, presidentit të vendit Pal Schmitt, pasi gjeti se pjesë të rëndësishme të tezës së tij ishin kopjuar. Hetimi i kryer nga ky universitet konfirmoi skandalin e ngritur nga një gazetë e përditshme në muajin janar.  Doktoratura është hequr si pasojë e shkeljes së normave shkencore. Schmitt ka hedhur poshtë akuzat dhe është shprehur se nuk do të japë dorëheqjen. Kritikët nga ana tjetër thonë se kjo ka dëmtuar integritetin e postit të tij. Për më tepër, një sondazh i fundit nxori në pah se 90 për qind e të intervistuarve ishin pro të largimit të tij nga posti. Schmitt, roli i të cilit si president është kryesisht ceremonial, i ka hedhur poshtë akuzat dhe është shprehur se nuk do të japë dorëheqjen. Një ish-kampion olimpik në skermë, Schmitt shkroi tezën e doktoraturës së tij në vitin 1992, duke u diplomuar pak kohë më pas nga Universiteti i Edukimit Fizik, pjesë e Universitetit “Semmelëeis”. Një komitet vlerësoi se në dokumentin e paraqitur prej 215 faqesh, më shumë se 200 prej tyre tregonin “ngjashmëri të pjesshme” apo ishin direkt përkthime nga punime të tjera.  Ndërsa dhe vetë universiteti është bërë objekt polemikash, të cilit iu desh një denoncim nga mediat për të kuptuar se doktoratura ishte një plagjiaturë.

Comments are closed.