Privatizimi i Albpetrol, Berisha: Sjell përfitime. Opozita: I heq buxhetit të shtetit 50 milion dollarë në vit

Kuvendi po vijon diskutimet për privatizimin e Albpetrol, ku në fjalën e tij kryeministri Berisha ka ftuar deputetët e opozitës të votojnë pro këtij privatizimi, duke theksuar se ky akt do të bëjë të mundur që kjo pasuri të administrohet në mënyrën sa më transparente dhe me eficencë. Sipas tij përmes privatizimit maksimizohet vlera potenciale e hidrokarbureve, sepse vlera reale është privatizuar me kohë. “Ndoqa disa nga diskutantët, u them vetëm kaq, kujdes zotëri se janë bërë kaq vite dhe nuk keni hequr dot etiken parti e naftës, ajo nuk është e partive, por e qytetarëve, kombëtare, dhe kjo pasuri partiake, nuk janë trena që përmbyseshin nga deputetet tuaj në këtë sallë që nuk shkojnë dot në vendlindjen e tyre vetëm për shkak të naftës, me atë që i djeg miza e kam, me Majkon nuk e kam unë këtë, s’mund të them për majkon. Nuk them emra unë, por them se ka që në 2005 dhe prapë ju vjen era naftë ndaj dhe kundërshtoni privatizimin”, tha Berisha. Po ashtu në fjalën e tij kreu i qeverisë deklaroi se me këtë ligj, nuk lejohet me që deputetet të përmbysin trenat, e nuk guxojnë të shkojnë më në zonat e tyre, pikërisht për shkak të naftës. Ndërsa deputeti i PS-së, Erion Braçe theksoi se vendimi për privatizimin e kompanisë së naftës Albpetrol i heq buxhetit të shtetit 50 milion dollarë në vit, të domosdoshme për buxhetin e shtetit. Duke këmbëngulur në qëndrimin kundërshtues të opozitës ndaj këtij procesi, i cili sipas saj, po bëhet në mungesë të plotë të transparencës, Braçe tha se tashmë nuk bëhet fjalë për privatizimin e thjeshtë dhe vetëm të një ndërmarrje tashmë të rrënuar si Albpetrol, por bëhet fjalë për privatizimin e një ndëmarrje që tashmë ka të drejta që i takonin dhe shtetit shqiptar.

Comments are closed.