Projektligji për pronat, reagon Partia Republikane: Jo ligj pa mendimin e pronarëve

Partia Republikane vlerëson se p/ligji për pronat nuk i jep zgjidhje problemit, por e përkeqëson atë. Në një konferencë për shtyp, nënkryetari i PR-së, Alfred Deshati, thekson se qeveria, me këtë ligj, po u jep goditje pronarëve, pasi një vendim i tillë nuk mund të merret pa pyetur ata. “Projektligji i jep goditje zgjidhjes në favor të pronarëve. Ligjet s’mund të kalojnë pa marrë vendimin e pronarëve. Pronarët janë skllevër për shkaqe të konjukturave politike”,- deklaroi Deshati. Nënkryetari theksoi se PR-ja gjykon se projektligji i miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave mbi kalimin pa shpërblim të pronës private është një goditje e rëndë për zgjidhjen e problemit përfundimtar të pronarëve. Sipas tij, çdo dhënie e titujve të pronësisë, në kurriz të kthimit dhe kompensimit fizik të pronës tek pronari i ligjshëm, bie ndesh me kërkesat e ligjshme të pronarëve dhe rekomandimeve të vazhdueshme të Bashkimit Evropian. “Është detyrim i qeverisë dhe Parlamentit që të zgjidhë përfundimisht çështjen e pronës private, konform Konventës Europiane, Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, për më tepër që ky është një nga 12 kushtet për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Përfaqësuesi ynë në qeveri ka kërkuar që ligjet që janë në proces nuk mund të kalojnë pa marrë mendimin e pronarëve të ligjshëm, të cilët kanë mbetur skllevër vetëm për shkak të konjukturave politike. Komiteti i Verifikimit të Titujve të Pronësisë, me ligjin e vitit 2008, ka pasur si detyrë që të verifikojë të gjitha paligjshmëritë për përfitim abuziv të tokës, sipas ligjit 7501, dhe vendimit të qeverisë për tokat e ish-fermave bujqësore. Deri më sot, nuk është bërë asgjë. Çdo dhënie e titujve të pronësisë, në kurriz të kthimit dhe kompensimit fizik të pronës tek pronari i ligjshëm bie ndesh me kërkesat e ligjshme të pronarëve dhe rekomandimeve të vazhdueshme të Bashkimit Evropian dhe si i tillë, një proces është i papranueshëm nga republikanët”,- nënvizoi Deshati. Nënkryetari, në emër të PR-së, kërkoi që këto projektligje të mos kalojnë në Kuvend, pa marrë mendimin e pronarëve si zot të pronave të tyre. Zoti Deshati theksoi se politika, qeveria dhe Parlamenti nuk janë pronarë, por shërbëtorë të së drejtës së pronarëve të ligjshëm.

Reagimi

Një ditë më parë, ministri për Inovacionin dhe TIK-un, Genc Pollo, i cili është njëkohësisht kryetar i Komisionit Qeveritar të Tokës, në një konferencë për shtyp, deklaroi se projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9948, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, i miratuar, në mbledhjen e qeverisë, “synon që t’u lëshohen titujt e pronësisë fermerëve që kanë marrë toka në zotërim nga komisionet vendore, por nuk janë të pajisur me hipotekë dhe për këtë proces përgjegjës, do të jenë kryetarët e këshillave të komunave”.

Comments are closed.