Pr/ligji, Pollo: Fermerët pa hipotekë, tapitë ndahen brenda 9 muajve

Ministri për Inovacionin dhe TIK, Genc Pollo, i cili është njëkohësisht Kryetar i Komisionit Qeveritar të Tokës, u shpreh se projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9948, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, i miratuar dje në mbledhjen e qeverisë, synon që pronarëve t’u lëshohen titujt e pronësisë dhe për këtë proces përgjegjës do të jenë kryetarët e këshillave të komunave.  Gjatë konferencës për shtyp Ministri Pollo tha se projektligjii miratuar nga qeveria synon të formalizojë pronësinë në komuna, në tokat e bujqësore, kryesisht në ato kodrinore e malore, ku për një arsye apo një tjetër, 20 vitet e fundit, toka është ndarë, por tapitë nuk janë lëshuar. “Në disa raste kjo tokë është ndarë edhe në parimin e tokës së babës. Projektligji synon që pronarëve tu lëshohen titujt e pronësisë dhe për këtë proces përgjegjës do të jenë kryetarët e këshillave të komunave. Ky proces, dhe zbatimi rigoroz i procedurave të tij, do të monitorohet nga komisionet vendore për verifikimin e titujve të pronësisë pranë prefekturave dhe nga Drejtoritë e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, pranë Këshillit të Qarkut dhe përfundimisht titujt e pronësisë do të regjistrohen në ZRPP. Përjashtohen nga ky proces tokat në proces gjyqësor, apo në proces legalizimi, si dhe ato për të cilat janë lëshuar tapi dhe janë regjistruar në ZRPP. Benefitet, për pronarët dhe për shoqërinë, janë të mëdha, sepse të gjithë subjektet e këtij procesi do ta gëzojnë pronën, bazuar mbi dokumente, mund ta shesin, ta trashëgojnë dhe ta lënë si kolateral sipas normave ligjore”, u shpreh ai. Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave shqyrtoi e miratoi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9948, datë 7.7.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”. Shqyrtimi i vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore po kryhet prej 3 vjetësh në vendin tonë. Komisionet Vendore të verifikimit të titujve të pronësisë janë ngritur e po funksionojnë pranë Prefektëve të secilit Qark. Ndarja e tokës bujqësore në territoret e ish-kooperativave bujqësore është shoqëruar me probleme të plotësimit të dokumentacionit ligjor. Komisionerët e ngarkuar me këtë detyrë nuk e kanë finalizuar procesin e ndarjes së tokës, ndërkohë që përfituesit e disponojnë atë, e përdorin për qëllime bujqësore dhe e kanë burim të të ardhurave dhe jetesës së tyre, por nuk disponojnë Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi. Kjo i pengon qytetarët të disponojnë lirisht pronën e tyre, të përfituar me ligj. Qëllimi kryesor i këtyre shtesave dhe ndryshimeve ligjore është pikërisht rregullimi ligjor dhe dhënia fund e problemeve të mbartura ne vite, në lidhje me plotësimin e dokumentacionit ligjor, në territoret e ish-Kooperativave Bujqësore. Ligji ngarkon Kryetarët e Komunave/Bashkive, që për rastet kur  komisioni i ndarjes së tokës bujqësore nuk ka plotësuar aktet e marrjes së tokës në pronësi, në fshatrat e ish-kooperativave bujqësore, t’i plotësojnë ato për familjet bujqësore ose individët që janë subjekte ligjorë të trajtimit me tokë bujqësore në pronësi, sipas ligjit nr. 7501, datë 19.07.1991 “Për tokën”, dhe që faktikisht e përdorin tokën bujqësore. Kryetarët e fshatrave, kryesitë e tyre, administrata e komunës/bashkisë dhe kryetari i komunës/bashkisë, do të realizojnë proçesin e evidentimit, përcaktimit e saktësimit të përdoruesve realë të tokës, vendodhjen e saj, sasinë dhe kufitarët për çdo përdorues, ndërsa Këshilli i Komunës, do të jetë organi vendimmarrës, i cili shqyrton informacionin e  mësipërm së bashku me pretendimet e mundshme. Vetëm pas kësaj vendimarrje, do të fillojë proçesi i plotësimit të Akteve të Marrjes së Tokës në pronësi nga Kryetari i Komunës, sipas një procedure të mirëpërcaktuar. Në ligj përcaktohen sipërfaqet e tokave bujqësore në të cilat nuk lejohet të plotësohen AMTP-të dhe konkretisht:

1) Toka bujqësore rezulton e regjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme si pronë private.

2) Toka bujqësore, rezulton e përfshirë në proçesin e legalizimeve sipas Ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006 ”Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar.

3) Toka bujqësore është dhënë në pronësi nëpërmjet AMTP, të lëshuar deri në datën 15.08.2008 nga komisionet e ndarjes së tokës, pavarësisht nëse është regjistruar ose jo në regjistrin e pasurive të paluajtshme.

4) Toka bujqësore është objekt i një konflikti gjyqësor dhe Komuna apo Bashkia është vënë në dijeni zyrtarisht nga gjykata.

Comments are closed.