Prodhuesit e energjisë, procedurat për rimbursim

Ndërtimi i burimeve të prodhimit të energjisë, përcaktohen kushtet e kompensimit

Rregullat që duhet të ndiqen kur kërkesa për rimbursim paraqitet për herë të parë. Mënyra që duhet të ndiqet për kryerjen e rimbursimit automatik 

Përcaktohen kushtet dhe procedurat për rimburimin e akcizës së paguar, për krijimin e kushteve lehtësuese, për ndërtimin e burimeve të prodhimit të energjisë elektrike, me fuqi të instaluar jo më pak se 5 MW. Kështu, në mbledhjen e radhës, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin, i cili përcakton të gjitha këto procedura e rimbursimit për të gjitha ato subjekte që janë prodhues të energjisë. Në mbështetje të ligjit nr. 8976, datë 12.12.2002, “Për akcizat”,, të ndryshuar, dhe të nenit 5, të ligjit nr. 8987, datë 24.12.2002, “Për krijimin e kushteve lehtësuese për ndërtimin e burimeve të reja të prodhimit të energjisë elektrike”, me propozimin e ministrit të Financave dhe ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës u vendos;

 

Vendimi:

Në vendimin nr. 839, datë 5.12.2007, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Në pikën 7, bëhen këto ndryshime:

në paragrafin e parë, fjalët “… në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve…” zëvendësohen me: “…brenda datës 10 të muajit pasardhës, në drejtorinë rajonale ku është i regjistruar”;

b) Pika 12 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Rimbursimi i akcizës për lëndën djegëse të konsumuar, të llogaritur sipas formulës, bëhet në mënyrë automatike, nga drejtoria rajonale e tatimeve ku është i regjistruar subjekti, nga llogaria e veçantë buxhetore e krijuar nga kjo drejtori për këtë qëllim.

Brenda datës 10 të muajit pasardhës, subjekti paraqet kërkesën për rimbursim. Me paraqitjen e kërkesës për rimbursim nga subjekti, drejtoria rajonale tatimore, ku subjekti është i regjistruar, është e detyruar të kryejë rimbursimin automatik të shumës së kërkuar, në rast se kërkesa për rimbursim plotëson kushtet e mëposhtme:

 

Kushtet që duhet të plotësohen

– Subjekti nuk bën kërkesë për rimbursim për herë të pare,

– Nëse ai është audituar në 3 (tre) vitet e fundit;

– Nuk ka asnjë detyrim tatimor ose kontribute të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore apo penalitete pa u paguar;

– ka deklarim të rregullt të TVSH-së dhe s’ka penalizime.

Kërkesa për plotësimin e kritereve të mësipërme për rimbursimin automatik vlerësohet dhe procedohet brenda 10 (dhjetë) ditëve nga inspektorët e drejtorisë rajonale tatimore. Kërkuesit për rimbursim mund të kontaktohen për të sqaruar problemet, por dokumente shtesë, përveç atyre të kërkuara në këtë pikë, nuk do të kërkohen. Ato kërkesa që nuk plotësojnë kushtet, duhet të dërgohen për kontroll dhe kërkuesit mund t’i kërkohet të paraqesë dokumente shtesë.

 

Kur kërkesa për rimbursim paraqitet për herë të parë

Në rast se kërkesa për rimbursim paraqitet nga një person i tatueshëm për herë të parë, organi tatimor duhet të verifikojë në vend saktësinë e shumës së rimbursimit të kërkuar dhe e miraton atë brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim. Kontrolli i kërkesave për rimbursim bëhet duke respektuar radhën kohore të paraqitjes së kërkesave. Rimbursimi kryhet brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike, pas miratimit të shumës për t’u rimbursuar. Në rast se drejtoria rajonale tatimore, brenda 10 ditëve kalendarike, nuk procedon me rimbursimin automatik, personit të tatueshëm i lind e drejta e mospagesës së detyrimeve të tjera tatimore, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore, në masën e akcizës së pretenduar për rimbursim. Kontrolli i kërkesave për rimbursim bëhet duke respektuar radhën kohore të paraqitjes së kërkesave. Në rast se gjatë kontrollit rezulton se ka pasur pasaktësi ose pavërtetësi të dokumenteve, subjekti përfitues i rimbursimit duhet ta kthejë të gjithë shumën e rimbursuar, ndërsa mbi të aplikohen penalitetet e përcaktuara në ligjin për procedurat tatimore”. Ndërkohë dhe afati kohor për rimbursimin që ishte 45 ditë, shkurtohet në jo më pak se 5 ditë. Ngarkohen ministri i Financave dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.

 

 

Comments are closed.