Projektligji i ri, “PAK” proteston sërish para Parlamentit

Personat me aftësi të kufizuar do të zhvillojnë sërish sot një protestë para Parlamentit për të kundërshtuar vendimin e qeverisë për kompensimin financiar të kësaj kategorie. “Shoqata e të verbërve” në qytetin e Shkodrës ka akuzuar policinë bashkiake se nuk i lejon të shkojnë në protest në Tiranë. Në protestë do të marrin pjesë përfaqësues të “PAK” nga të gjitha qytetet e vendit ndërsa është ftuar edhe shoqëria civile të solidarizohet me ta. Ndërkohë mëngjesin e sotëm, ende pa filluar protesta paraplegjikët janë ndeshur me policinë, e cila i ka ndaluar ata të vendosnin një podium përpara selisë së Parlamentit.  Podiumi do të vendosej pasi paraplegjikët dhe të verbërit kanë organizuar për sot një protestë për ndryshimin e statusit.  Protesta ishte paralajmëruar para disa ditësh për në disa qytete të vendit. Në Shkodër, policia ka ndaluar autobusët me paraplegjikë të vijnë në Tiranë.  Shoqata e të Verbërve dhe Paraplegjikëve të Shqipërisë protestuan edhe një javë më parë kundër projektligjit për ndryshimet në statusin e tyre, i cili pritet të kalojë në seancën e radhës së kuvendit të Shqipërisë. Duke sfiduar kushtet e motit, të verbërit e paraplegjikët kërkuan nga deputetët të mos e votojnë projektligjin që rrëzon të drejtat e tyre të fituara që në vitin 1996. Sipas projektligjit, do të jetë qeveria ajo që do të përcaktojë masën e rimbursimit për shërbimet që më parë ishin përfshirë në ligj. Tashmë shërbime si ngrohja e telefonia do të përcaktohen me akte nënligjore nga Këshilli i Ministrave, gjë që është kundërshtuar nga të verbërit e paraplegjikët. Nëse miratohen ndryshimet e statusit, shoqatat e prekrura direkt nga ky projektligj kanë paralajmëruar se do t’i përshkallëzojnë protestat.

Comments are closed.