Prokuroria, akuza gjykatës dhe Policisë: Hiqni imunitetin

Prokuroria e Përgjithshme i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të ndryshojë Kushtetutën dhe të heqë imunitetin. Në raportin e fundit vjetor që mban firmën e Ina Ramës, kërkohet “amendimi i nevojshëm ligjor, me qëllim kufizimin e imuniteteve për t’i hapur rrugë Prokurorisë që të ushtrojë më me efektivitet ndjekjen penale edhe për këtë kategori personash në drejtim të korrupsionit dhe krimeve në detyrë”, Ina Rama kërkon që deputetët të miratojnë ndryshimin e afateve për ndjekjen penale ndaj personave me imunitet, afate që janë bërë shpesh shkas për pushimin e hetimeve. Krahas pasqyrës mbi kriminalitetin në Shqipëri gjatë vitit 2011, Kryeprokurorja ka ngritur një tjetër shqetësim: Vendimet që gjykatat kanë dhënë kundër vendimeve të Presidentit dhe Prokurorisë. Në raportin e saj, Ina Rama i referohet rikthimit në punë me vendim gjykate të 7 prokurorëve të shkarkuar nga detyra me dekret presidencial, apo shfuqizimit të masave disiplinore të dhëna nga Prokurori i Përgjithshëm. Gjatë 2 viteve të fundit – citohet në raport – janë shfuqizuar të gjitha dekretet e presidentit për shkarkimin e shkelësve të detyrës. Problematike Ina Rama cilëson edhe marrëdhëniet me Policinë e Shtetit. Ajo shpreh rezerva për nivelin profesional dhe paqëndrueshmërinë në detyrë të oficerëve të policisë. Hetuesit e policisë – sipas saj – kanë mangësi të theksuara në grumbullimin e informacioneve dhe zbulueshmëri të ulët të krimeve të rënda, si vrasjet e vjedhjet që kanë ardhur në rritje këtë vit. Shifrat dhe akuzat e ngritura do të raportohen nga vetë Kryeprokurorja në Kuvend këtë muaj.

 

 

 

Comments are closed.