Promovohet libri “Kohë mashtrimesh” i gazetarit Arben Vata

Shtëpia Botuese Universitare UET Press ka nxjerrë në qarkullim librin “Kohë mashtrimesh” me autor Arben Vata. Libri është një përmbledhje artikujsh të botuar në shtypin periodik gjatë periudhës 2004-2013: janë 101 artikuj të zgjedhur nga moria e atyre të botuar nga autori gjatë kësaj periudhe. Artikujt pasqyrojnë ngjarjet dhe dukuritë e realitetit tonë gjatë kësaj periudhe, si kanë ndodhur, pa u ndikuar nga faktorë të jashtëm, në mënyrë tepër korrekte dhe me një gjuhë të thjeshtë. Në renditjen e artikujve nuk është ruajtur rrjedhja kronologjike, pasi më tepër se një përmbledhje e thjeshtë, synohet ndërgjegjësimi rreth problematikave sociale e politike të vendit. Është një mundësi e mirë për të risjellë edhe një herë në vëmendje marrëdhënie, ngjarje, episode, që ndonëse përfshijnë një periudhë të shkurtër, mund të shërbejnë si një burim i shkëlqyer refrence. Libri ka 290 faqe dhe kushton 900 lekë.

Kanë thënë për librin:

Nga parathënia e librit, shkruar nga Henri Çili, Ph.D.

Vata njihet gjerësisht prej komunitetit të gazetarve në Shqipëri, si kolegu i cili nuk i është shkëputur asnjëherë themelit të gazetarisë, bazës së saj. Ka provuar disa prej roleve në gazetari duke qenë pothuajse në të gjitha figurat profesionale të medias: reporter, gazetar, gazetar dossier apo i kronikës, aktualitetit, politikës e kështu me radhë. Të gjitha këto për të formuar kompletin e një gazetari që, bashkuar me disa elementë të personalitetit të tij, e vendosin Arben Vatën në kolegjiumin e nderuar të medias shqiptare.

Vata është tolerant, korrekt, i saktë, jo agresiv, pa atë ambicien shpërthyese të shpejtësisë së lartë të disave, por që përfundon po aq shpejt ose që rrezikon të përfundojë po aq shpejt. Është konstant, i qëndrueshëm dhe me një prani të përhershme nëpër redaksitë e mediave shqiptare, shtypit të shkruar ose mediave audio-vizive tashmë. Si i tillë Vata është një dëshmitar i qetë, i saktë mbi atë që ka ndodhur në këto 20 vitet e gazetarisë së lirë shqiptare. Arben Vata njihet nga kolegët edhe si bashkëbisedues i qetë, vëzhgues i hollë dhe sintetizues i asaj që ndodh. Jo nga ata që mund të fryhen për t’i dhënë vulën ngjarjeve, për të qenë orakulli i kohëve moderne apo orakulli i zhvillimeve politike, i asaj se çfarë duhet të bëjë ose se çfarë nuk duhet të bëjë dikush. Është pikërisht ajo distanca e nevojshme e të qenit në hapësirën publike, por njëkohësisht i distancuar me hapësirën publike dhe me ngjarjet, për t’i trajtuar dhe vëzhguar, analizuar dhe njohur shkaqet dhe fenomenet, për të konstatuar prirjet e bashkë me to edhe gjithë ato elementë të cilët për shoqërinë shqiptare janë ose të reja, ose të panjohura, ose të njohura keq.

 

Artan Fuga, akademik, prof. dr. 

Përgjegjës, departamenti i gazetarisë & komunikimit, UT.

Të gjithë gazetarët shqiptarë duhet të kenë kurajon qytetare të Arben Vatës: të ridalin para lexuesit me bilancin e shkrimeveve të tyre në vite pa qenë të turpëruar për to dhe t’i thonë atij me zemër të hapur: Ja sesi të kam shërbyer, më gjyko!

 

Alfred Lela, zv.kryeredaktor, gazeta “Mapo”    

Shkrimet e kolegut Vata, të përmbledhura në këtë libër, janë një shenjë e mirë për komunikimin, jo vetëm me njëri-tjetrin, jo vetëm me kujtesën (kryesisht të shkurtër), por edhe me historinë politike demokratike (gjithashtu të shkurtër). Artikujt e Vatës janë një rivendosje e tullës në murin e gazetarisë së përditëshme dhe nevojës së këtij muri për t’u bërë dritare në histori, pikërisht se ngjarjet dhe historia, shpesh, përsëriten.

 

Armand Shkullaku, drejtor, “ABC Neës”

Kjo përmbledhje shkrimesh e Arben Vatës është dëshmia e shkruar e një punëtori të palodhur dhe të vëmendshëm të medias. Të lexuara sot, ato tregojnë koherencën e një gazetari dhe redaktori që ka përcjellë për gati dy dekada, çdo ditë, të gjitha ngjarjet e aktualitetit në Shqipëri. Kam punuar për shumë kohë me Arbenin dhe këto shkrime të përmbledhura në një libër më sollën ndërmend instiktin e tij prej profesionisti të vërtetë, që ka folur pak, por ka punuar shumë.

 

Mentor Kikia, kryeredaktor, tv “Top Channel”

Mendoj se është ide e mirë kjo e Arben Vatës për t’i bërë tog në një libër këto komente kronologjike, për të qenë në fund të fundit një dëshmi se si kanë rrjedhur ngjarjet politike atë kohë. Ndërsa ata që do të kenë qëllim të mësojnë se kush kanë qenë fajtorët që ky vend nuk hyri në udhën që duhej, kanë ç’të mësojnë nga “bëmat” e personazheve të Vatës, Berisha-Nano, Rama-Meta.