Promovohet në SHBA “Rrethimi i Shkodrës” i Marin Barletit

Përkujtohet Heroi Kombëtar, Skënderbeu, dhe bëhet njohja e parë në SHBA, me botimin në anglisht të librit “The siege of Shkodra”

Ardjan Murraj, Worcester, MA (SHBA)

Një veprimtari për Skënderbeun në kujtim të 545-vjetorit të vdekjes, si dhe njohja me botimin më të ri “Rrethimi i Shkodrës” ishin dy tematika të simpoziumit të mbajtur në bibliotekën e qytetit të Usterit, Masaçusets, Neë England, me bashkëkombësit shqiptarë, shkrimtarë, historianë, shkencëtarë, poetë dhe artistë dhe gazetarë nga Usteri e Bostoni, si dhe miqtë e shteteve fqinjë nga Neë York-u, Connecticut dhe Rhode Island.

Organizatorët, lidhja qytetare shqiptaro-amerikane (LQSHA) dhe shoqata atdhetare kulturore “Kombi”, synuan të sjellin në kohë vlera të rëndësishme të historisë së shqiptarëve, e cila me Heroin Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun, si figurë botërore janë një pjesë e historisë së shquar të tyre. Dokumente historike për Skënderbeun, qëndresën shqiptare, arbëreshët, pushtimin pesëshekullor, Pavarësinë e 1912-ës, e më pas Luftën e Dytë Botërore, diktaturën 50-vjeçare komuniste, erën e demokracisë me tërësinë e problemeve të saj, si dhe kontributin e shkrimeve dhe të letërsisë së shkruar në shqip dhe të përkthyer në anglisht e sollën gjatë veprimtarisë referuese dhe ligjëruese, të njohur tashmë në diasporë.

Artur Vrekaj, kryetar i shoqatës atdhetare kulturore “Kombi”, përshëndeti pjesëmarrësit si dhe drejtoi mbarëvajtjen e simpoziumit që në fillim u shpreh: “Sot, nderojmë Heroin Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun, në 545-vjetorin e vdekjes dhe promovimin e librit “Rrethimi i Shkodrës” (në anglisht). Falënderojmë për pjesëmarrjen z. Joseph Dioguardi, kryetar i lidhjes qytetare shqiptaro-amerikane (Neë York), një ambasador i çështjes shqiptare për 25 vjet nga brigjet e Adriatikut, ku ne lindëm në verilindje të Atlantikut, ku ne shqiptarët zgjodhëm të rrojmë, ku shqiptarët ndër breza jetojnë dhe trashëgojnë historinë botërore të Skënderbeut si kampion i lirisë, i flamurit dhe i krishterimit. Ne i urojmë mirëseardhjen zonjës Shirley Cloyes Dioguardi, këshilltare e çështjes shqiptare për Ballkanin e LQSHA. Sinqerisht, ne nuk mund të gjejmë një çift si Dioguardët që kanë punuar kaq shumë për çështjen shqiptare. Më gjeni një çift që familja e tyre të përmbledhë tre kombe; amerikane, italiane dhe shqiptare. Në vitin 1929, babai i tij vjen në Neë York, në moshën 15-vjeçare, nga Greqi, një nga fshatrat arbëreshe të Italisë, ku u sistemuan ushtarët e Skënderbeut, pas thyerjes se francezeve më 1461. Joseph Dioguardi, i lindur këtu, përfaqësoi edhe kongresmenin e parë me origjinë shqiptare nga historia shekullore e emigrantëve shqiptare të Amerikës. Ai është një nga njerëzit më të përkushtuar dhe që vazhdon edhe sot të mbrojë çështjen shqiptare”.

Ish-përfaqësuesi në Kongresin Amerikan, Joseph Dioguardi, u ndal në kujtimet arbëreshe, si dhe tërheqjen pas historisë dhe studimit të kohës së Skënderbeut. Në shumë drejtime, ai tregoi se kjo figurë legjendare dhe krenarie i ka shërbyer vetë atij të lidhet më shumë me Shqipërinë dhe shqiptarët dhe çka është më e rëndësishmja, zëri i tyre të dëgjohej në politikën e lartë të Uashingtonit prej 1984 e pa u ndalur, ku mund të përmendim punën dhe përpjekjet për Kosovën si dhe rezolutën e kongresit amerikan për Skënderbeun më tetor të 2005-ës.

Bashkëngjitur kësaj përpjekjeje, zj. Shirley cloyes dioguardi epokën e Skënderbeut e lidhi me të sotmen. Atë që shqiptarët si komb të marrin mirënjohje nga bota e qytetëruar për sa kanë bërë dhe sakrifikuar, por edhe atë që është në duart e tyre të ngrenë figurën e vendit të vet me zhvillimet e demokracisë dhe të shtetit ligjor, me dije dhe zhvillim ekonomik në çdo aspekt të jetës. Në këtë drejtim, çështja kombëtare në përvojën dhe përgjegjësitë e bashkëkombësve emigrantë në SHBA tregon shumë, ku pavarësisht nga besimi dhe bindjet politike, liria e fjalës dhe e vërteta e historisë u kanë dhënë atyre mjetet e duhura, diplomacinë për ta bërë të njohur në botë se kush janë shqiptarët, një shembull që shkon sot drejtpërdrejt në vëmendjen e shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre, si dhe drejtuesve të shtetit dhe politikanëve për të mbajtur qëndrime të drejta dhe të veprojnë krahas botës së zhvilluar.

Aristotel Mici, shkrimtar dhe historian, trajtoi studimin e tij “shtegtimi i armëve të Skënderbeut”, i cili është pjesë e librit më te ri të tij “Himni i flamurit”, botuar me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Raimonda Moisiu, shkrimtare, poete e publiciste, në materialin e saj nënvizoi se shqiptarët “… E njohin atë dhe vetëm atë për hero kombëtar – Gjergj Kastriot Skënderbeun”.

Kasëm Kaso, shkrimtar dhe veteran i Luftës së Dytë Botërore, pasqyroi aftësinë e Skënderbeut si strateg ushtarak, duke detajuar mënyrat e luftimit për të thyer ushtri të mëdha në numër si ajo e perandorisë osmane.

Lediana Stillo, poete dhe përkthyese, ligjëroi pjesën poetike të shkruar për Skënderbeun nga Bajroni, si dhe disa nga krijimet e saj më të fundit.

Krisela Karaja, z/kryetare e shoqatës së studentëve të Kënektikatit (Connecticut), përcolli rezolutën për Skënderbeun që votoi më 2005 kongresi amerikan në kuadrin e 600-vjetorit të lindjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Artur Vrekaj, poet paraqiti njohjen me librin “Rrethimi i Shkodrës”, i përkthyer në anglisht nga nënshtetasi amerikan, David Hosaflook. Libri i botuar me firmën e Marin Barletit, më 1504, u përkthye në shqip nga Henrik Lacaj, më 1962. Pra, një vepër vërtetë kala e qëndresës (monumentale), e mbetur 458 vjet në gjuhën latine pa u përkthyer në shqip ose së paku 508 vjet më pas për t’u përkthyer e nxjerrë në dritë në gjuhën anglisht, si për t’i kujtuar “vetë historisë ndëshkimin e harresës”. Kjo është njohja e parë që i bëhet këtij libri-dramë në tokën amerikane.

Ai vuri në dukje fjalët e autorit përkthyes: “Sot anglishtfolësit mund të lexojnë për trimërinë shkodrane dhe për kurajën heroike që e mbrojti Evropën nga pushtimi turk për një dekadë pas vdekjes së Skënderbeut”, së cilës i shkojnë fare mirë për përforcim edhe forca e rezolutës së kongresit amerikan mbi Skënderbeun më 2005-ën: “Duke pasur parasysh se populli shqiptar, nën udhëheqjen e Skënderbeut, ndaloi rënien e Romës dhe të tërë Italisë nën sundimin e perandorisë otomane, duke i hapur kështu rrugën rilindjes italiane).

Gjithashtu, përshëndetën simpoziumin; Rita Saliu poete dhe humaniste, Rozi Theohari shkrimtare dhe poete, Hafiz Kabashi, kryetar i shoqatës “Kosova” Boston, Imer Berisha, z/konsull i Kosovës në Nju-Jork, Mëhill Velaj, zv/kryetar i shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, si dhe Xhelal Pepaj, bashkëkombës-vizitor nga Peja e Kosovës.

Në mbyllje të kësaj veprimtarie, shoqata atdhetare kulturore kombi e usterit të Masaçusetsit nderoi ish-përfaqësuesin e Kongresit Amerikan, z. Joseph Dioguardi, kryetar i lidhjes qytetare shqiptaro amerikane (LQSHA), dhe Shirley Cloyes, këshilltare për çështjen kombëtare në Ballkan (të LQSHA) me motivacion: “Për mbështetjen dhe ndihmën për të drejtat e njeriut dhe çështjen kombëtare shqiptare”.

Plot emocion shqiptarët e mbledhur në takim e fiksuan këtë kujtim në fotografi dhe bashkë me to shpesh u përmendën fjalët e urtësisë popullore dhe të patriotëve shqiptarë, “gurë gurë bëhet mur… ”Kalatë dhe qëndresa si dhe thënia e Nolit: “Mbahu, nëno, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë!”.

Similar Posts