PS kërkon shkarkimin e kryetares së KKRT-së

Komisioni parlamentar i medias është përfshirë dje, nga debate të ashpra mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, lidhur me raportin vjetor të Këshillit Kombëtar të Radio Televizioneve. Deputetët e opozitës akuzuan KKRT-në për paaftësi dhe shpërdorime financiare, duke kërkuar shkarkimin e kryetares Endira Bushati, si dhe riformatimin e plotë të këtij institucioni. Deputetët e opozitës aluduan për shpërdorime financiare në rastin e blerjes së një automjeti tepër të shtrenjtë. “Makina është blerë rreth 600 mijë euro dhe vetëm manuali është blerë 60 milionë lekë. Dini ju ndonjë pajisje që vetëm manuali i përdorimit i kushton 60 milionë lekë dhe kjo ka ndodhur në KKRT-në e vitit 2002. Dhe unë nuk mund të mbaj barrën e zotit paraardhës të vitit 2002 për çështjen e kësaj makine”,- deklaroi kryetarja e KKRT-së, Endira Bushati. “Besoj që nuk e meriton të votohet jo vetëm rezoluta, por pa dyshim që e vetmja rrugë është shkarkimi dhe riformatimi i një këshilli të ri”,- deklaroi deputetja e PS-së, Valentina Leskaj. “Unë nuk shoh që të ketë një arsye të qëndrueshme që ne të mos e vlerësojmë punën e KKRT-së”,- u shpreh nënkryetari i komisionit, Mark Marku. Pas këtyre debateve, që zgjatën për mbi 2 orë, komisioni shtyu për mbledhjen më të afërt miratimin e rezolutës mbi raportin e KKRT-së, për 2011-ën. Ky dokument do t’i kalohet më pas për miratim Kuvendit.