Pse Ahmet Zogolli vrau atdhetarin Bajram Curri?

Fati ma i madh në jetë, për një shqiptar që do me njoh historinë e popullit të vet, asht kur në moshë të re, ka fatin me pas ndër duert e veta, të paktën “ndonjë artikull” të historianit kroat, Milan Shuflaj (Milan Sufflay 1879 – 1931). Porsa të fillojë njeriu me kuptue fjalën “Histori e Shqipnisë së Veriut”, për të cilin ka shkrue ai autor aq i madh i historisë sonë dhe porsa fillon me krahasue ndjenjat shpirtnore që të ngjallë ai me penën e vet, me historianët e periudhave 1925 – 1939 apo 1944 – 2012, përnjëherë ke me kujtue se je zvoglue, aq sa me t’u duk vetja se je me ndonjë “gjysh”, që të ka marrë përdore dhe të ka çue në teatrin e vogël të kukullave, të shkollës së fretenëve të Gjuhadolit në Shkodër, ku do të shohësh në skenën e vjetër të gjimnazit “Illyricum”, disa figura që nga lëvizja e dorës së mjeshtërve të dramës së zhvillume ndaj popullit shqiptar, tash mbi 80 vjet, vazhdojnë me “kënaqë” cirkusin ballkanik me “Tragjedinë shqiptare”…

    Mbas nënshkrimit të “Marrëveshjes me Pashiq”, në gushtin e 1924-ës, në fund të dhjetorit të po atij viti, manikini Zogolli, i pajisun me “virtytet” e dajës së vet, Esad Pashë Toptanit, zbriti nga Beogradi në Tiranë… Mbasi i kishte dhurue Shen Naumin dhe ba disa ndryshime në kufinin e Vermoshit, pak kohë ma parë të vendosuna nga Gjyqi i Hagës, për me i mbetë Shqipnisë, Zogu për me ardhë në kolltukun e drejtuesit të shtetit shqiptar, mori përsipër me zbatue detyrat e shovinistëve sllavë, për shkombëtarizimin e atdheut dhe me vendosë “qetësinë” në tokat shqiptare, që ishin të robnueme nga ata me vrasje.

    Me datën 2 mars 1925, me anën e Çatin Saraçit, gjeti dorasin Baltjon Stambolla, dhe vrau Luigj Gurakuqin nëBarit’Italisë, pak ditë mbasi i dorëzoi shtetit shqiptar paret që mori me vete për mos me i vjedhë mercenarët, që po hynin në Tiranë në dhjetor 1924.

Kjo nuk ishte e papritun prej Gurakuqit, mbasi sinjali ishte dhanë kur Zogu vrau Avni Rrustemin, por ajo vrasje e djalit trim të Vlonës kjé një këputje e njenit krah edhe per Bajram Currin, një nga shqiptarët ma të spikatun të atdhetarizmit në krejt Shqipninë Etnike. Figura e Bajram Currit ishte daltue ndër male dhe përveç gjakut të kulluem të atyne trojeve ku e lindi Nana, brenda kafazit të kraharorit rrihte një zemër ku ishin mbledhë virtytet ma fisnike të njenit prej burrave tanë shqiptarë, që asht e vështirë me e përsëritë historia. Jo vetëm guximtar, po trim që nuk i gjendet shoku, mbasi forca e atij burri ishte formue mbi virtytin e sakrificës për atdhe, kur robnia e kishte shpartallue nё tё katër anёt me Hot e Grudё, Kosovё e Çamёri, deri poshtё nё Vorio-Epir.

    Ideali i lirisë së atdheut të robnuem kishte mposhtë interesin personal, frikën për me luftue për qëllimin e naltë dhe egoizmin për pushtet personal, cilësi që as nuk i ka njohë dhe as nuk i pranonte në sofrën e vet të shtrume ndër shkëmbinj të atyne shpellave, ku gostia ma e madhe për të ishte Besa, Burrnia, Bujaria e Malësorit Alpeve, për të cilët jo vetëm nuk i dhimbsej jeta, por jeta e tij ishte e para që do të dhurohej për ato Alpe.

    Shtëpia bujare ku shtroja nder dërrasa atij burri i dukej luksi ma i madh asht kenë sofra e të vobektëve t’Asizit, në Gjuhadolin e Shkodrës, ku buka kollomoqe me djathë Kelmendit e qepë të Drishtit i viheshin përpara si ma të dashtunit mik besnik të tyne.

Nuk mungonte me u sjellë rrotull në kuvendin e burrave të asaj kështjelle të vogël “Rozafat”, as kutia e duhanit ku ishte ma i zgjedhuni nga krahina e Sheldisë, mbasi për burra të fortë, françeskanët ishin të vetmit me ua forcue zemrën me trimni. Porsa burri i maleve vinte kambën në prakun e atij Kuvendi, veç ndihej zani i lajmëtarit me gjithë forcën që kishte: “At, Provinçial, ja mbërriti Bajram Beg Curri…!” e thehej edhe ai “rregull” i pathyeshëm i tyne, ku “cilido kjoftë miku, pritet në dhomën e pritjes…”

Dhomat e atij Kuvendi ishin të gjitha pa përjashtim dhoma pritje, buke e fjetje per Bajram Currin. Në Shkodër, ai kishte Shpellën e Dytë të Dragobisë nder Françeskanë.

Herën e fundit aty, Bajram Curri i dhuroi Luigj Gurakuqit kutinë e vet të duhanit.

Ndoshta parandiente se nuk do të dredhin ma cigare ata dy bashkë!

Dhe ashtu ndodhi. Mbas vrasjes së Luigj Gurakuqit, më 2 mars 1925, Ahmet Zogu, më 29 mars, do të vriste trimin e Dragobisë. E gjaku i tij do të skuqte shkëmbinjtë e Rozafës së mbytun nder ujnat e rrëmbyeshëm të lumit Drinaz.

Radhën tashti e kishte kleri katolik dhe Hasan Prishtina.

E serbi, sa vinte e kujtonte se “Tragjedia e Trojeve të Arbnisë” po realizohej…

Ndoshta kjo asht arsyeja që një ditë, pak kohë mbasi Shuflaj vizitoi Shqipninë, e vranë! Ai kishte shkrue se shqiptarët kanë rrajë të lashta autoktone dhe me një vazhdimësi të pandërpreme, gja që tregon se kombi shqiptar ka aftësi me u rigjenerue në mënyrë të përjetshme, ashtu si janë vet shqiptarët thalbi autentik i historisë së lashtë të Ballkanit.

E kjo nuk i shkonte përshtat sllavëve. Prandaj edhe vendosen me i pre degët kësaj landë, që sa ma shumë krasitej, aq ma shumë shtohej e rritej si lis në mes Ballkanit…

E një ndër degët e atij lisi të përjetshëm asht edhe trimi Bajram Curri.

 Nga Fritz RADOVANI: Melbourne, mars 2012

Comments are closed.