Punësimi në Itali, formulari i ri për aplikim

Marrëveshja/ Ministria e Punës shpall hapjen e regjistrimeve. Aplikimet mund të bëhen nga 27 marsi, deri më 10 prill

Nis zbatimi i projektit pilot për punësimin fillestar të 255 shtetasve shqiptarë. Kurset e formimit profesional, që kanë më shumë prioritet për punësimin në shtetin italian. Ja si do të zgjidheni për punësim, pasi të keni dhënë intervistën për punë dhe të keni mbaruar kursin profesional

Nis zbatimi i marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë shqiptare të Punës dhe Ministrisë italiane të Punës dhe të Politikave Sociale, në fushën e imigracionit dhe të punës. Ky bashkëpunim do të fillojë me zbatimin e një projekti pilot, i cili u drejtohet 255 shtetasve shqiptarë, ku parashikohen kurse falas për formimin gjuhësor dhe profesional, që kanë si qëllim punësimin në Itali, për të paktën 50 për qind të pjesëmarrësve në kurse, në sektorë të ndryshëm. Kjo nismë është bërë e njohur dje, gjatë një konference për mediat në Ministrinë e Punës, në të cilën morën pjesë ministri i Punës, Spiro Ksera, Drejtori i Përgjithshëm i Imigracionit i Ministrisë italiane të Punës dhe të Politikave Sociale, Natale Forlani, si dhe Ambasadori i Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani. Kjo ndërhyrje përfshihet në kuadrin e zbatimit të “Memorandumit të Mirëkuptimit”, që u nënshkrua në datën 19 korrik të vitit të shkuar mes ministrive respektive të të dy vendeve, i cili ka një objektiv të dyfishtë: të favorizojë hyrjen e rregullt në Itali, për arsye pune të shtetasve shqiptarë dhe të lehtësojë gjetjen e profesionistëve të kualifikuar nga ana e ndërmarrjeve dhe e familjeve italiane. Po kështu, gjatë kësaj konference, u shpall fillimi i procedurave të regjistrimit për të gjithë shtetasit shqiptarë që duan të kandidojnë për të pasur mundësinë për të punuar në mënyrë të rregullt në Itali.

Regjistrimi i të interesuarve

Të interesuarit do të mund t’u drejtohen sporteleve të Migracionit pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit (Zyrave të Punës), në qendrat e banimit, për të paraqitur kandidaturën e tyre, sipas modaliteteve të parashikuara dhe për të regjistruar profilin e tyre në listat e disponueshmërisë. Regjistrimi pranë Sporteleve të Migracionit, në Zyrat e Punës së Tiranës, Durrësit, Fierit, Vlorës, Beratit, Gjirokastrës, Elbasanit, Korçës, Lezhës, Shkodrës, Kukësit dhe Peshkopisë do të kryhet nga data 27 mars deri në 10 prill 2012. Për të promovuar një menaxhim të koordinuar dhe efikas të flukseve migratore dhe për të lehtësuar mekanizmat e bashkëpunimit dhe për formimin profesional dhe gjuhësor, Ministria italiane e Punës dhe Politikave Sociale tashmë ka ngritur Zyrën e Koordinimit Vendor (ZKV) në Shqipëri që vepron në bashkëpunim me Përfaqësinë Diplomatike Italiane dhe Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, me mbështetjen teknike të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin. ZKV luan një rol lehtësues për shkëmbimin e informacionit ndërmjet shërbimeve të punësimit në Itali dhe Shqipëri, duke nxitur afrimin e kërkesës me ofertën për punë ndërmjet dy vendeve. Ministri Spiro Ksera deklaroi se “Bashkëpunimi midis dy qeverive tona, veçanërisht ndërmjet dy ministrive respektive, në fushën e migracionit dhe punës, ka arritur në një nivel të ri, i cili i përgjigjet dëshirës dhe ndjenjave respektive të popujve tanë për bashkëpunim, miqësi e fqinjësi të mirë, por edhe për ndihmë dhe zgjerim të mundësive të qytetarëve shqiptarë për të lëvizur midis dy brigjeve të Adriatikut, si qytetarë e punëtorë të lirë, me njohuritë, shprehitë dhe standardet që kërkon tregu italian dhe tregjet evropiane të punës e të shërbimeve”. Duke iu referuar fillimit të projektit, ministri i Punës theksoi se ky është vetëm hapi i parë në zbatim të Marrëveshjes dhe se realizimi me sukses i tij do t’i hapë rrugën shtrirjes në kohë dhe në hapësirë të marrëveshjes. Ndërkohë, nga ana e tij, Ambasadori Massimo Gaiani vuri në dukje nivelin e lartë të bashkëpunimit mes Ministrisë të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Ministrisë italiane të Punës dhe të Politikave Sociale, tregues i të cilit janë edhe këto zhvillime pozitive në fushën e migracionit të punës. Ambasadori vlerësoi kontributin e rreth 500 mijë shqiptarëve të ligjshëm që jetojnë e punojnë në Itali, 250 mijë të të cilëve tashmë janë integruar plotësisht në tregun italian të punës. Drejtori i Përgjithshëm, Natale Forlani, e përcaktoi ecurinë e marrëdhënieve mes dy Ministrive si “Cilësi”. Drejtori Forlani prezantoi modalitet teknike të zbatimit të projektit dhe deklaroi se planet e bashkëpunimit mes dy Ministrive për periudhën 2012-2013 në fushën e migracionit të punës do të bazohen tek ecuria e kërkesave dhe ofertave në tregjet respektive të punës.

Sektorët ku do të kryhen punësime

Sipas njoftimit të ministrisë, “Të paktën 50 për qind e pjesëmarrësve do të punësohen në Itali pas përfundimit të kurseve të formimit profesional. Punësimet do të kryhen për sektorët si më poshtë:

– Turizëm, hoteleri, restorante

– Ndërtim

– Agrozooteknikë

– Asistencë familjare

– Industri tekstile

– Artizanat dhe turizëm

Kriteret për të ndjekur kurset e formimit profesional

Të drejtën për të ndjekur kurset e formimit profesional dhe për t’u punësuar në shtetin italian, e kanë të gjithë shtetasit shqiptarë, të cilët:

– Kanë mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç,

– Janë të interesuar të zhvillojnë një aktivitet punësimi në Itali në sektorët e renditur në pikën 4 në vijim.

– Nuk kanë qenë të dënuar nga organet gjyqësore ose në ngarkim të të cilëve nuk janë hapur procedime penale,

– Nuk janë subjekte të asnjë gjendjeje juridike që të pengojë lëshimin e vizës italiane për arsye punësimi.

Procesi i përzgjedhjes

Procesi i përzgjedhjes parashikon tri faza të veçanta:

1. Para-përzgjedhja e bazuar mbi kandidaturat (për t’u futur në intervistë).

2. Intervista përzgjedhëse tekniko-motivuese (për t’u futur në kurset e formimit).

3. Përzgjedhja përfundimtare për punësim në Itali, e bazuar në ndjekjen e kurseve të formimit dhe në rezultatet e provimeve. I gjithë procesi i përzgjedhjes do të monitorohet nga ana e institucioneve të përfshira, në bashkërendim me Zyrën e Koordinimit Vendor të Ministrisë Italiane të Punës dhe të Politikave Sociale. Për më shumë hollësi mbi kurset e formimit, kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes, referojuni njoftimit të plotë të publikuar në të gjitha Sportelet e Migracionit, në Zyrat e Punës, në faqen e internetit të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, http://www.mpcs.gov.al dhe në faqen e internetit të Shërbimit Kombëtar të Punësimit: http://www.kerkojpune.gov.al.

Comments are closed.