Punësimi në Itali, procedura e re për aplikim

Vendimi/ Numri i personave që do të punësohen këtë vit në shtetin italian

Punësimi në Itali, procedura e re për aplikim

Dekreti i flukseve/ Përpilohen kërkesat e punësimit për punonjësit sezonalë dhe ata që janë formuar profesionalisht në atdhe. Adresat ku duhet të aplikoni

Dekreti i flukseve sezonale, i nënshkruar ditë më parë nga Kryeministri Monti, autorizon hyrjen në Itali, të 35 mijë punonjësve sezonalë dhe të 4 mijë punonjësve josezonalë, që kanë marrë formim profesional në atdhe. Punëdhënësit duhet të presin që teksti të arrijë në Gazetën Zyrtare, për të nisur kërkesat e punësimit, por ndërkohë, mund të përgatisin kërkesat e tyre. Të gjithë ata që vendosin ta bëjnë vetë, pa ndihmën e shoqatave të kategorisë apo të konsulentëve të punës, u nevojitet vetëm një kompjuter i lidhur me internetin për t’u futur në sitin www.nullaostalavoro.interno.it. Pasi të regjistrohen, duhet të fusin adresën e tyre e-mail dhe fjalëkalimin dhe të hyjnë në zonën e rezervuar, dhe pastaj të klikojnë në “Richiesta Moduli” (kërkesa e moduleve). Për sezonalët, përdoret moduli C “Richiesta di nulla osta al lavoro subordinato stagionale”. (Kërkesë-autorizimi për punë të varur sezonale), për punonjësit që kanë marrë formim në atdhe përdoret moduli BPS “Richiesta nominativa di nulla osta al lavoro subordinato ai sensi degli articoli 22 e 23 del D. Lgs. 25.07.1998, n. 286 e art. 30 D.P.R. n. 394/99 e suçessive modifiche e integrazioni, riservata all’assunzione di lavoratori inseriti nei progetti speciali” (që në shqip do të thotë “kërkesë emërore autorizimi për punë të varur, sipas nenit 22 dhe 23 të dekretit legjislativ nr. 286 të 25 korrikut 1998 dhe nenit 30 të Dekretit të Presidentit të Republikës 394/99, modifikimeve dhe integrimeve të mëpasshme, rezervuar punësimit të punonjësve të përfshirë në projektet speciale). Moduli i zgjedhur përpilohet online në të gjitha fushat dhe faqet e tij dhe, më pas, duhet shtypur butoni “Salva” (Shpëto). Nga ai çast, nuk duhet bërë tjetër, veçse të pritet botimi i dekretit të flukseve në Gazetën Zyrtare. Në fakt, nga ora 8.00 e të nesërmes së botimit duhet hyrë sërish në nullaostalavoro.interno.it, duke përdorur të njëjtën adresë e-mail dhe fjalëkalim, duhet shkuar në seksionin “Domande” (Kërkesa) dhe të niset kërkesa e përpiluar më parë.

Punonjësit që do të hyjnë në Itali

Italia hap dyert për 35 mijë punonjës jokomunitarë sezonalë dhe 4 mijë punonjësve jokomunitarë që kanë ndjekur kurse formimi në atdhe. Kjo është shkruar në një dekret fluksesh të nënshkruara nga Kryeministri, më 13 mars, që tashmë po regjistrohet pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ndërmarrjet do të mund të paraqesin kërkesat e punësimit vetëm online, edhe me ndihmën e shoqatave të kategorisë po të kenë nevojë, duke nisur nga ora 8.00 e ditës pasuese të botimit të dekretit. Por nuk do të jetë e nevojshme që kërkesa të paraqitet me ngut, hyrjet e autorizuara janë mëse të mjaftueshme për të kënaqur kërkesat e ndërmarrjeve.

35 mijë punonjës sezonalë

35 mijë punonjësit e huaj do të punësohen në bujqësi dhe në sektorin e hotelerisë. Sipas dekretit, do të mund të vijnë punonjës nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia, Bosnje-Hercegovina, Algjeria, Bangladeshi, Egjipti, Filipine, Gambia, Gana, India, Maroku, Moldavia, Nigeri, Nigeria, Pakistan, Senegal, Serbia, Sri Lanka, Ukraina, Tunizia. Në kuotën e 35 mijë hyrjeve, bëjnë pjesë edhe ata punonjës që kanë qenë në Itali për dy vjet rresht dhe për të cilët ndërmarrjet do të paraqesin kërkesë për nulla osta shumëvjeçare. Kjo do të bëjë të mundur që punonjësit të vijnë në Itali vitet e ardhshme me një procedurë shumë më të thjeshtë, “me thirrje të drejtpërdrejtë”, pa qenë të varur nga botimi i dekretit të flukseve. Një risi e rëndësishme ka të bëjë me punonjësit që kanë qenë në Itali vitin e shkuar. Nëse Sporteli Unik për Imigracionin nuk përgjigjet brenda 20 ditëve nga paraqitja e kërkesës së punësimi, kjo nënkuptohet e pranuar dhe punonjësi mund të shkojë në konsullatë të marrë vizën e hyrjes.

4 mijë me formim profesional në atdhe

Dekreti autorizon edhe hyrjen e “4000 shtetasve të huaj jokomunitarë rezidentë jashtë Italisë që kanë përfunduar programe formimi dhe shkollimi në vendlindje, sipas nenit 23 të dekretit legjislativ nr. 286 të 25 korrikut 1998”. Është fjala për punonjës që kanë marrë formim profesional në atdhe, falë kurseve të miratuara nga Ministritë e Punës dhe e Arsimit dhe të realizuara nga ente lokale, sindikata, organizata të punëdhënësve dhe shoqata të tjera të autorizuara dhe falë marrëveshjeve dypalëshe mes vendeve të ndryshme dhe Italisë. Teksti Unik i Imigracionit parashikon në këto raste një kanal të privilegjuar dhe Plani i Integrimit u jep rëndësi të veçantë këtyre hyrjeve.

Comments are closed.