Punësimi në Itali, vijon publikimi i emrave për ata që hyjnë në kurset profesionale

Ministria e Punës ka publikuar listën e kandidatëve që janë përzgjedhur për të vazhduar kurset e formimit profesional, për punësim në Itali. Bëhet fjalë për kandidatët e përzgjedhur për të vazhduar kurset e formimit me “Patornato ACLI” në Shkodër dhe Tiranë, si dhe kandidatët e përzgjedhur për të kurset e formimit me “AxL”. Vetëm pak kohë më parë është mbyllur faza e aplikimeve për punësim në Itali, nga ku pritet të përfitojnë 200 shtetas shqiptarë. Njoftimi për përzgjedhjen e punonjësve bëhet në kuadër të Memorandumit të mirëkuptimit, të nënshkruar në datën 19 korrik 2011 ndërmjet Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale të Republikës Italiane, që ka të bëjë me zbatimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit dypalësh në fushën e migracionit për arsye punësimi, të nënshkruar në datën 2 dhjetor 2008.

Procesi dhe kriteret e përzgjedhjes

Procesi i përzgjedhjes parashikon pesë faza të veçanta:

1. Para-përzgjedhja e bazuar mbi kandidaturat (për t’u futur në intervistë).

2. Intervista përzgjedhëse tekniko-motivuese (për t’u futur në kurset e formimit).

3. Frekuentimi i kursit të formimit.

4. Provimi përfundimtar për të verifikuar aftësitë dhe shkallën e njohjes së gjuhës italiane (vetëm për personat që do të kenë ndjekur të paktën 80 për qind të orëve të kursit formimit)

5. Regjistrimi në listat e preferencës me qëllim punësimin në Itali, mbi bazën e rezultatit të provimit përfundimtar.

Faza e pjesëmarrjes në kurset e formimit

Kandidatët që kaluan fazën përzgjedhëse të intervistës tekniko-motivuese, marrin pjesë në kurset e formimit të miratuara nga Ministria Italiane e Punës dhe të realizuara në kuadër të projekteve të zbatuara nga entet e autorizuara. Me përfundimin e kursit të formimit, pjesëmarrësit do t’i nënshtrohen një provimi përfundimtar, i cili ka si objektiv verifikimin e aftësive dhe nivelin e njohjen e gjuhës italiane që kanë arritur. Kandidatët që do të kalojnë provimin do të regjistrohen në listat e preferencës me qëllim punësimin e mundshëm në Itali. Për këtë qëllim, profilet e kandidatëve do të vihen në dispozicion të ndërmarrjeve italiane të interesuara. Pjesëmarrësve në kurse do t’u bëhen të ditura procedurat dhe dokumentacioni i nevojshëm për marrjen e vizës për hyrjen në Itali për arsye punësimi.

 Osman Dedja