Putin, Cari i televizionit

 

Presidenti rus iu përgjigj pyetjeve të qytetarëve për pesë orë rresht në televizion. Që nga parqet e lojrave deri tek investimet në ushtri, ai shprehu qëndrimet e tij për çështjet që shqetësojnë rusët. “Zoti President, ju lutem më siguroni se do të ndërtohet një park lojrash pranë shtëpisë time”, tha një vajzë nga Lindja e Rusisë. Vladimir Putin premtoi se do ta ndihmonte. Pas një ore agjencitë e lajmeve njoftuan se parku i lojrave do të ndërtohej dhe për këtë do kujdeseshin vetë drejtuesit lokalë. Kjo ishte vetëm një pjesë e vogël e asaj çfarë ndodhi mbrëmjen e së enjtes (25.04.2013) në televizionin shtetëror rus, ku Putin u përgjigjej pyetjeve të qytetarëve të tij. Ai e zhvillon një gjë të tillë që prej vitit 2001, duke tërhequr një audiencë prej miliona shikuesish. Këtë herë ai vendosi një rekord të ri: programi zgjati 4 orë e 47 minuta. Pyetjet vinin me anë të telefonatave, mesazheve telefonike ose lidhjeve të drejtpërdrejta televizive në pjesë të tjera të vendit.

Putin si Babai i Kombit

Putin bëri një rezyme të punës së tij të realizuar pas një vitit në Presidencë dhe ai tha se ishte shumë i kënaqur: numri i lindjeve dhe rrogat janë rritur, ndërsa ushtria është pajisur me armë të reja. Por ai ishte i revervuar sa i përket rritjes ekonomike, duke i vënë fajin pjesës tjetër të botës. “Kriza në Perëndim dhe në gjithë Europën, ka lënë shenjë edhe tek ne”, tha ai. Shumë prej pyetjeve ishin rreth problemeve të jetës së përditëshme të qytetarëve rusë: çmimet në rritje, pensionet e ulëta dhe zyrtarët e korruptuar. Putin e prezantoi veten si babai i kombit, duke treguar që kujdeset për gjithëçka. Kjo nuk është diçka e re sepse për vite me radhë ai ëshë sjellë si dikush që shqetësohet edhe për njerëzit e thjeshtë dhe shikon gjithashtu interesat personale.

Kritika qeverisë

Kishte edhe pyetje kritike, por dukshëm vetëm ato që Putini donte të dëgjonte. Ish ministri i Financave Alexei Kudrin kritikoi qeverinë, por pa përmendur kryeministrin aktual Dimitry Medvedev. Ai tha se ekonomia ruse ishte shumë e varuar nga eksportet e gazit dhe naftës e qeveria po bën shumë pak për të ndryshuar një situatë të tillë. Putin u përgjigj me një buzëqeshje fallco. Ai kundërshtoi thirrjet për dorëheqje të qeverisë, duke thënë se kabineti sapo është krijuar dhe ka ende kohë të tregojë veten. Medvedev nuk gëzon shumë popullaritet dhe muajt e fundit ka patur spekulime se ai mund të japë dorëheqjen. Kur u pyet për korrupsionin në Ministrinë e Mbrojtes, ai theksoi se investigimet për këtë çështje kanë nisur kur ai hyri në zyrën e Presidentit. Ai shkarkoi ministrin e Mbrojtes Serdyukov në vjeshtën e vitit 2012.