Qeveria e Kosovës e vendosur të pengojë zgjedhjet serbe

Kryeministri Hashim Thaçi ka ritheksuar qëndrimin e vendosur të Qeverisë në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare që të mos lejojë realizimin e  pretendimit të Qeverisë së Serbisë për të organizuar zgjedhje në Kosovë. “Do të përdorim të gjitha mjetet kushtetuese dhe ligjore për të penguar këtë agresion të Republikës së Serbisë ndaj Kosovës”, ka thënë Thaçi. Në mbledhjen e sotme, qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin që t’i rekomandojë Kuvendit të Kosovës fillimin e procedurave për amandamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në funksion të përmbylljes së procesit të pavarësisë së mbikëqyrur. Qeveria e Kosovës ka miratuar Koncept-dokumentin për hartimin e Projektligjit për Regjistrimin e Bujqësisë. Sipas Koncept-dokumentit arsyeshmëria e rregullimit të fushës me ligj të veçantë është e domosdoshme dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të hartojë këtë Projektligj. Në mbledhje është aprovuar edhe Udhëzimi administrativ për kartelat zyrtare të mbikëqyrësve shtetërorë të Agjencionit për mbrojtjen e të dhënave personale. Pajisja e mbikëqyrësve shtetërorë më kartela zyrtare do të ndihmojë ata në kryerjen e punëve dhe obligimeve ligjore të tyre. Me propozimin Ministrisë së Financave, Qeveria ka miratuar vendimin për reduktimin e alokimeve të shpenzimeve në Buxhetin 2012 dhe ka aprovuar Raportin e vlerësimit të përshtatshmërisë së sistemit të financimit për komuna gjatë vitit 2011. Qeveria ka emëruar edhe anëtarët e Bordit të Pavarur për Rishikimin e Ankesave. Kabineti qeveritar ka ndarë 20.000 mijë euro për të mbështet manifestimet e Ditëve të komunitetit turk në Kosovë, dhe 10.000 mijë euro për manifestimet e Festës memoriale të romëve të Kosovës. Për të mbështetur procesin zgjedhorë në Komunën e Ferizajt, Qeveria e Kosovës ka zotuar 300 mijë euro për Komisionin Qendrorë të Zgjedhjeve.

Comments are closed.