Qiramarrësit refuzojnë të largohen, përplasen me policinë

 

Tentativa e përmbaruesve për nxjerrjen jashtë një godine të disa familjeve që banonin prej vitesh në rrugën “Margarita Tutulani” në zonën e Tiranës së Re është shoqëruar me tension mes përmbaruesve dhe familjarëve, të cilët u konfrontuan fizikisht. Në zonë kanë shkuar dhe deputetët e Partisë Socialiste ndërsa sipas tyre, ato do i gjejnë zgjidhje problemit. “Dhuna e ushtruar nga policia për nxjerrjen jashtë të banorëve ka qenë e atyre niveleve sa nuk janë kursyer as fishekët. Sigurisht që do kërkojmë një hetim të plotë të asaj që ka ndodhur edhe për përdorimin e armëve. Nuk kemi asgjë me pronarët që pretendojnë pronën e tyre. Sigurisht që pretendojmë që banorët të trajtohen nga ligji, nga qeveria, duke respektuar njëkohësisht të drejtën e tyre kushtetuese për strehim”, deklaroi deputeti opozitës, Tahiri. Rreth 16 familje janë konfliktuar me policinë private dhe përmbaruesit pasi nuk pranuan të lirojnë godinën. Si pasojë e konfliktit njëri prej efektivëve të policisë privatë qëlloi në ajër me plumba manovër ndërsa kjo shkaktoi panik tek banorët. Tashmë zona është e rrethuar nga policia ndërsa efektivi privat u shoqërua në komisariat.