QSUT, ashensorë në të gjitha shërbimet

Vasili: Investimi plotëson në mënyrë totale sistemin e komunikimit në këtë qendër spitalore

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë vendosur së fundmi 18 ashensorë të rinj. 6 prej tyre janë pjesë e investimit që ministria planifikoi për vitin 2011 dhe që instalohen për herë të parë në shërbime ose rikthehen pas shumë vitesh mungesë, kurse të tjerët i përkasin spitalit të ri. Kjo ka bërë që të mos jenë më familjarët apo punonjësit e spitalit ata që transportojnë me barela pacientët, por ata që qarkullojnë në pavijone për të kryer ekzaminimet e duhura nëpërmjet këtyre ashensorëve. Gjatë inaugurimit të këtyre ashensorëve, ministri i Shëndetësisë ka theksuar se ky është një investim shumë i rëndësishëm, pasi ka të bëjë me një mbarëvajtje të mirë të punës. “Jo në pak raste, ne kemi pasur vështirësi edhe në dhënien e shërbimit për pacientët. Ky investim do të bëjë të mundur ofrimin e shërbimit në spital brenda standardeve në të gjitha pavijonet. Një pjesë e këtyre investimeve rikthehen pas një periudhe shumë të gjatë, dhe doja të përmendja pediatrinë ku jemi aktualisht, pasi nga ndërtimi i kësaj godine 40 vjet më parë, sot ky shërbim është bërë me ashensor”,- ka pohuar gjatë fjalës së tij Vasili. Sipas tij, të gjitha sistemet e ashensorëve janë modernë edhe me të gjitha sipërfaqet dhe volumet e duhura për të kryer një transport bashkëkohor për pacientët, personelin por edhe familjarët. “Vendosja e 6 ashensorëve të rinj, plotëson në mënyrë totale të tërë sistemin e domosdoshëm të komunikimit në këtë qendër spitalore”,- ka nënvizuar kreu i shëndetësisë, Petrit Vasili. Investimi total për vendosjen e këtyre 6 ashensorëve në shërbime kap një vlerë prej 25.646.505 lekë. Ky investim është fokusuar në spitalin e Pediatrisë (2 ashensorë), Spitali i sëmundjeve të Brendshme (2 ashensorë, Neurologjia dhe Kirurgjia e Përgjithshme. Sipas përllogaritjeve të bëra rezulton se këta ashensorë përballojnë mesatarisht një fluks prej 300 personash ne ore për ashensor ne një periudhe pune intensive prej 18 orësh. Dy ashensorët e instaluar tek Spitali i Pediatrisë vendosen për herë të parë që nga dita e ndërtimit te tij.

 

Comments are closed.