Rama: Një takim i shkëlqyer në Departamentin e Shtetit

Kreu i PS-së takon Zëvendës ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Reeker

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar një takim me Zëvendës ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Europën, z. Philip Reeker. Duke dalë nga takimi, lideri i opozitës, Edi Rama, u shpreh se ishte një takim, gjatë të cilit u diskutuan shumë çështje që kanë të bëjnë me demokratizimin e mëtejshëm të Shqipërisë. Kryetari i Partisë Socialiste, Rama, vlerësoi se ishte një takim shumë miqësor. Ky takim u zhvillua me ftesë të Departamentit Amerikan të Shtetit. “Ishte një takim shumë pozitiv, me energji shumë pozitive, me shumë çështje për të diskutuar në mënyrën më të hapur dhe në mënyrën më miqësore. Dhe ishte një tjetër gur i rëndësishëm në murin e miqësisë, të bashkëpunimit, të komunikimit intensiv për të çuar përpara të gjitha proceset që kanë të bëjnë me integrimin europian të Shqipërisë; që kanë të bëjnë me demokratizimin e mëtejshëm të vendit; që kanë të bëjnë me rolin e Shqipërisë në rajon; dhe që kanë të bëjnë, në fund të fundit, me Shqipërinë që duam si aleate të SHBA-ve, por dhe si një vend që duhet të mishërojë vlerat që mishëron aleati ynë më i madh”. Kryetari i PS-së, Edi Rama, është pyetur nga mediat që qëndronin në pritje të përfundimit të takimit. “Në mund t’ju them se jemi jo vetëm të kënaqur, por edhe të frymëzuar nga ky takim”,- përfundoi lideri i opozitës, Edi Rama, prononcimin e tij për mediat, pas takimit me Zëvendës ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Evropën, z. Philip Reeker”. Axhenda e kryetarit Rama ka vazhduar me takime, në Kongresin Amerikan, siç shkruan vetë lideri i opozitës në faqen zyrtare “pas një takimi të shkëlqyer në Departamentin e Shtetit”.

 

Comments are closed.