Rama: Partia Socialiste, program për rimëkëmbjen e ekonomisë

Partia Socialiste ka zhvilluar sot tryezën për Infrastrukturën në Programin e saj për një Rilindje Shqiptare. Në këtë tryezë kreu socialist, Edi Rama ka theksuar se vendi sot ndodhet në udhëkryq mes rrënojës dhe rilindjes ndërsa shtoi se vizioni i PS-së lidhet me domosdoshmërinë për t’i dhënë fund një kapitulli të gjatë në rrugën e një rrënimi. Rama i është referuar studimit të fundit të bërë nga “Moody’s”, që sipas tij është tronditës. “Shqipëria përbën një nivel rreziku për falimentim, borxhi i lartë publik është kërcënim dhe rrezikon falimentimin, pavarësisht se është krijuar për investime në punë publike”, tha Rama, duke kujtuar se pikërisht për këtë opozita i kishte rënë kambanave të alarmit, për veshët e shurdhët të qeverisë. Në këtë drejtim ai shtoi se në programin e saj, PS ka vendosur në fokus rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit. Kreu socialist ka numëruar numëruar gjithashtu edhe tre drejtimet kryesore të programit, që synojnë rimëkëmbjen ekonomike si një ekonomi rurale moderne dhe prodhuese, një ekonomi prodhuese që ka nevojë të zgjerohet dhe të risë efikasitetin dhe shërbime tregu që duhet të rriten në sasi dhe cilësi. Sipas tij, vendit i mungon një plan kombëtar i zhvillimit të infrastrukturës rrugore e transportit dhe harta e investimeve në infrastrukturë është krejt e çoroditur. Ai ka shtuar më tej se investimet për rrugët janë aspekti ku është abuzuar më shumë elektoralisht, shpërdoruar më shumë financiarisht dhe dëmtuar më shumë ekonomikisht, në raport me potencialet. Ai ka shtuar më tej se shteti shqiptar është zhytur në borxhe dhe sipas tij ky është një fakt i konsiderushëm që qeveria të cilësohet si e paaftë dhe me një mision të përfunduar.

Comments are closed.