Rama: Presidenti duhet të jetë konsensual

– Fillimisht, dua t’ju pyes për takimin që keni në Departamentin e Shtetit. Çfarë prisni nga ky takim?

Ky është një takim që bëhet me ftesë nga Departamenti i Shtetit dhe për mua është një kënaqësi e veçantë që në hapësirën e këtij takimi të mund të forcojmë komunikimin, në funksion të interesave të përbashkëta, që janë interesa që lidhen drejtpërdrejtë me mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri, me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe me transformimin e jetës në Shqipëri në funksion të qytetarëve për një shtet funksional dhe në shërbim të standardeve demokratike.

– Z. Rama, në kuadër të reformave që Shqipëria duhet të kryejë për të arritur synimin e saj madhor në drejtimin e politikës së jashtme, që është integrimi në Bashkimin Europian, siç thatë edhe ju, duhet pjesëmarrja e të gjithë shoqërisë, por kryesisht, e dy forcave politike dhe angazhimi i tyre. Por dy partitë më të mëdha, PD-ja dhe PS-ja, deri më sot, fajësojnë njëra-tjetrën për ngecjen, bllokimin e procesit. A mendoni ju se Shqipëria do të jetë në gjendje që, në fund të vitit, të marrë statusin e kandidatit?

Unë besoj që, pavarësisht se çfarë thonë palët, është shumë e qartë që integrimi në Bashkimin Europian është një proces, i cili zhvillohet mbi bazën e rekomandimeve të vet Komisionit Europian. Ndaj dhe rekomandimet e Komisionit Europian janë të qarta. Opozita shqiptare ka marrë përsipër të gjithë pjesën e vet, ndërkohë që i takon qeverisë të marrë përsipër pjesën e saj. E nëse në atë pjesë që ne kemi marrë përsipër gjërat duket se po shkojnë, më së miri, pasi kemi krijuar kushtet për një konsensus të rëndësishëm në sallën e Kuvendit, në pjesën që i takon cilësisë së qeverisjes që lidhet me luftën kundër krimit dhe korrupsionit, që lidhet me performancën e sistemit gjyqësor e kështu me radhë duket se gjërat nuk po shkojnë në drejtimin e duhur. E pra, le të jemi të qartë është e lehtë të fajësojmë njëri-tjetrin, siç është e lehtë që në gjykimin e palëve të mbetemi tek përcaktimi se të gjitha janë njësoj, por nuk kanë të gjithë njësoj të njëjtën përgjegjësi. Është absolutisht e qartë që përgjegjësia kryesore për mbarëvajtjen e punëve në një vend është përgjegjësia e qeverisë dhe barra kryesore për të shkuar drejt marrjes së statusit është përsëri e qeverisë. Ne do të bëjmë gjithçka është në dorën tonë që Shqipëria të mos e humbasë për të tretën herë mundësinë për të marrë statusin e kandidatit.

– Le t’ju pyes për një prej këtyre reformave, që është një ndër reformat kryesore dhe më të mprehta në Shqipëri. E kam fjalën për reformën zgjedhore, shumë përplasje midis dy forcave kryesore. Ajo duhet të përfundonte në fund të shkurtit, por mandati është shtyrë tashmë për në fund të prillit. Ku i shikoni ju problemet më të mëdha që dy forcat kryesore nuk po bien dakord për përfundimin e kësaj reforme që po vonohet?

Në tryezën e reformës zgjedhore, ne kemi vendosur pikat ku mendojmë se duhet të fokusohen palët në funksion të asaj çka ka konstatuar dhe pastaj rekomanduar misioni i OSBE/ODIHR-it. E, në rast se në çështje si ato që lidhen me përmirësimin e sistemit zgjedhor mund të kemi mungesë dakordësie bazuar në vullnetin politik të secilës palë, në çështje që lidhen me përcaktimin e rregullave të lojës dhe me adresimin e atyre problemeve që kanë shkaktuar gjithë ato situata tërësisht të papëlqyeshme me zgjedhjet në Shqipëri dhe kanë cenuar integritetin e tyre, është e domosdoshme që palët të gjejnë dakordësi, në rast se secila palë do vërtet zgjedhje të lira dhe të ndershme. E kush në këtë përpjekje i bie ndesh parimit të dakordësisë, sigurisht që pastaj është plotësisht i dyshueshëm për mungesë vullneti për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme.


– Një prej çështjeve, “thembra e Akilit” do thosha unë, e reformës zgjedhore është pikërisht çështja e sistemit. A do vazhdojë PS-ja të këmbëngulë në ndryshimin e sistemit, gjë që mazhoranca e kundërshton?

Ne e kemi bërë të qartë dhe unë e përsëris edhe përpara jush që ka hapësirë për përmirësim të sistemit zgjedhor në funksion të dhënies vlerë të barabartë të çdo vote në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe të një përfaqësimi më të drejtë të të gjitha forcave politike që marrin votën e shqiptarëve. Ky është qëndrimi i Partisë Socialiste. Megjithatë, për të realizuar këtë gjë, ju doni dhe votat e shumicës, e cila ka kundërshtuar.

 

– Por a parashikoni që reforma zgjedhore mund të kthehet në një problem midis jush dhe aleatëve që kërkojnë përfaqësim më të madh?

Me aleatët, ne kemi një dakordësi të plotë dhe në tryezën e reformës zgjedhore ne flasim edhe me zërin e tyre. Të kthehemi tek një çështje tjetër, mjaft e debatuar në Shqipëri, tek “21 janari”. Ishte një problem që tronditi shoqërinë shqiptare. Nëse janë duke kryer hetime për rolin e policisë, e shtetit, për përdorimin e forcës në këtë ngjarje, po ashtu kanë filluar hetime edhe për sa i takon organizmit të vetë ngjarjes. Dhe unë do ndalem më shumë tek kjo, tek çështja e organizmit të protestës. Në një intervistë që dha para disa ditësh, Ambasadori amerikan, theksoi se ka mosmarrëveshje pak a shumë të thella për mënyrën sesi e koncepton pala amerikane, qeveria amerikane ngjarjen dhe si e ka interpretuar Partia Socialiste këtë ngjarje. E pra, si do t’i përgjigjeshit ju këtij komenti të ambasadorit dhe e parë nga sot a shikoni ju përgjegjësi për mënyrën si u zhvillua rrjedha e ngjarjeve më 21 janar? Unë mendoj se faktet flasin më mirë se sa çdo koment që unë mund të bëj. 132 persona, ndër protestuesit janë ndaluar, janë hetuar, janë gjykuar dhe kanë paguar pjesën e tyre të përgjegjësisë, në një proces i cili është deri më sot, tërësisht i pabarabartë, sepse ndërkohë që protestuesit e kanë pasur të gjithë pjesën e tyre të përgjegjësisë karshi ligjit, si pjesë të një procesi, nga ku kanë dalë edhe të dënuar për shkeljen e ligjit. Nga ana tjetër, vrasësit dhe urdhëruesit e tyre vazhdojnë të jenë të pagjykuar dhe të pandëshkuar, as moralisht, as politikisht dhe aq më keq as ligjërisht. Partia Socialiste ka qenë dhe mbetet e qartë në qëndrimin e saj, të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe për asnjë moment, në asnjë rast nuk i është kundërvënë hetimit dhe gjykimit të të gjithë atyre që ishin pjesë e një proteste që fatkeqësisht degradoi në dhunë.

 

– Megjithatë, hetimet për përdorimin e forcës vazhdojnë dhe është shpejt të thuhet nëse do të ndëshkohet apo s’do të ndëshkohet njeri, por pyetja ime më konkrete ime ishte kjo: a kishte synim PS-ja, atë ditë të organizonte një protestë të dhunshme dhe të provokonte forcat e rendit?

Absolutisht jo dhe, për më tepër, më lejoni t’ju sjell në vëmendjen tuaj se të gjithë ata që janë hetuar për një dyshim të tillë janë hetuar nga policia e shtetit, e cila ka konkluduar që nuk ka pasur asnjë provë të vetme që të mund të vërtetojë hipotezën se pas shprehjes së dhunshme të protestës ka qëndruar një plan i PS-së apo Partia Socialiste si e tërë. Dhe, më lejoni të shtoj këtu, se për të marrë dëshmi që do të mund të çonin në këtë drejtim, njerëzit e ndaluar janë rrahur barbarisht në komisariatet e policisë dhe kjo është e provuar edhe nga raporti i Komitetit të Helsinkit, ashtu sikundër edhe nga vetë Avokati i Popullit.

– Të ndalemi tek zgjedhja e Presidentit. Koha po afron. Një prej emrave të përmendur është ai i ish-kryetarit të PS-së, Fatos Nano. Ju kërkoni një President konsensual. Nga ana tjetër, zoti Nano është ofruar dhe ka shfaqur ambicie të jetë një kandidat mbi palët, siç jeni shprehur ju vetë për të. A do ta mbështesë PS-ja kandidaturën e tij?

Qëndrimi i Partisë Socialiste është i qartë dhe është transparent. Ne mendojmë që Shqipërisë i duhet një president, i cili të jetë garant i unitetit kombëtar dhe, pa dyshim, edhe garant i atij zinxhiri institucionesh që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me Presidentin e Republikës. Për këtë duhet një proces dhe duhet një dakordësi mes palëve për të vënë interesat kombëtare dhe interesat edhe të integrimit të vendit, sepse ky është edhe një test për pjekurinë e klasës politike dhe vetë vendit në një proces si ai i integrimit mbi interesat e palëve. Ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë. Ne nuk hyjmë në emra dhe nuk paragjykojmë askënd, sepse besojmë që emrat duhet të jenë rezultat i procesit dhe jo procesi funksion i emrave.

– Zakonisht, në gazetari, kur pyetet për një emër konkret dhe kur nuk ka as pohim, as mohim, më tepër përgjigja anon drejt pohimit. Pra, nuk e përjashtoni mundësinë që PS-ja edhe mund ta mbështesë?

Ne, e përsëris, duam që Shqipëria të ketë një President të pranuar dhe të votuar nga të gjitha palët. Ky është vizioni ynë dhe ky është qëllimi ynë. Se sa kjo është e realizueshme, sigurisht që ju duhet të pyesni edhe palën tjetër, pasi ne mund të flasim vetëm në emër të njërës palë.