Rama, takime në Kongresin Amerikan, diskuton “Një Rilindje Shqiptare”

Kryetari Rama është takuar me disa nga kongresmenët më të rëndësishëm amerikanë, me të cilët ka diskutuar në lidhje me programin e PS-së për “Një Rilindje Shqiptare”, si dhe sfidat e Shqipërisë në këtë vit të rëndësishëm për statusin e kandidatit në BE, si dhe për procesin e përfundimit me sukses të reformës zgjedhore në Shqipëri. Një takim ka pasuar axhendën e ngjeshur të kreut të PS-së në Shtetet e Bashkuara. Lideri i opozitës ka takuar kongresmenët Eliot Engell dhe Gary Peters. Ata janë zëdhënës aktivë të çështjeve shqiptare dhe përfaqësojnë komunitete në New York dhe Michigan, ku ka votues me origjinë shqiptare. “Një bisedë shumë miqësore me kongresmenët Engell e Peters, ku folëm për programin tonë të ri dhe gjendjen në Shqipëri përgjithësisht”,- shkruan Rama në faqen e tij zyrtare. Rama ka falënderuar dy kongresmenët për avokatinë e sinqertë ndaj Shqipërisë, pa marrë anë politike, por duke synuar më të mirën për vendin. Kongresmeni Engel e çmoi shumë rolin dhe punën e Ramës në Shqipëri dhe u angazhua për një marrëdhënie të ngushtë e mbështetëse. Kongresmeni Peters ofroi mbështetje të programit të PS-së, në ndihmë të sipërmarrjeve të vogla e të mesme. Peters është autor i ligjeve kryesore që Presidenti Obama dekretoi për stimulimin e bizneseve të vogla të rrezikuara nga kriza ekonomike. Siç bën të ditur në njoftim për shtyp selia rozë, PS-ja do të konsiderojë disa nga idetë e Peters-it për programin e saj për të ndihmuar dhe jo rrënuar biznesin. Rama ka zhvilluar një takim me një tjetër të zgjedhur të Kongresit Amerikan, me kongresmenin Gregory Meeks që është demokrati më i lartë në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë, grupi i Europës. Rama falënderoi Meeks për ndihmën legjislative në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe kërkoi të njëjtën mbështetje lobimi për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Meeks përshëndeti fokusimin e PS-së tek çështjet konkrete që ndihmojnë qytetarët dhe ftoi z. Rama për një vizitë të dytë në Kongresin Amerikan me fokus Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë ku ai është drejtues i lartë. Programi për Sportin është kapitull i veçantë i dokumentit themelor të socialistëve miratuar në kongresin e 5 nëntorit. Kreu i PS-së është takuar edhe me një nga emrat më të njohur të futbollit amerikan, Heath Shuler, që tani përfaqëson Karolinën e Veriut në Kongres. “Një takim special me yllin e futbollit amerikan, kongresmenin Heath Shuler, ku folëm për programin tonë të sportit në shkollë”,- u shpreh Rama, pas takimit. Kongresmeni Shuler ofroi ide konkrete për të pasuruar kurrikulat e shkollave me edukimin sportive.

Comments are closed.