Kur kanë kaluar 6 javë nga vdekja e papritur e gazetares 31­vjeçare Adelajda Xhamani, mjekët ligjorë kanë përcaktuar shkakun, në një raport përfundimtar Sipas mjekëve, shkaku i vdekjes është infarkti kongjestiv në zemër. Kjo ka ardhur për shkak të një sëmundjeje të rrallë, e quajtur kardiomiopati, që prek muskulin e zemrës, duke dëmtuar strukturën apo funksionin e barkusheve dhe sjell dobësimin e zemrës. Sipas mjekëve, kjo ka sjellë mosfunksionimin e zemrës dhe më pas vdekjen e 31­ vjeçares, shkruan Panorama.

Në rastin e Adelajda Xhamanit, mjekët ligjorë thonë se mostrajtimi i kësaj sëmundjeje ka sjellë infarkt kongjestiv, që do të thotë dështim i plotë i muskulit të zemrës. Nga ana tjetër, ata dyshojnë se kjo sëmundje mund të jetë gjenetike. Por, nga ana tjetër, për vetë faktin se ajo nuk ishte diagnostikuar më parë, mjekët nuk përjashtojnë mundësinë se kardiomiopatia në këtë rast mund të ketë qenë idiopatike. Në këtë rast shkaqet e fillimit të sëmundjes janë thuajse të pamundura të përcaktohen me saktësi.

Mjekët ligjorë që kanë kryer autopsinë e 31­vjeçares Adelajda Xhamani, para se të nxirrnin raportin përfundimtar, përjashtuan disa faktorë si shkak të vdekjes së saj. Ata thanë se nuk kishin hasur ndonjë komplikacion që varion nga epilepsia, siç u argumentua nga Policia një ditë pas vdekjes, nga dëshmia e një mikeshe të saj. Nga ana tjetër, ata thanë se nuk kishin konstatuar të ketë pasur shenja dhune, bllokim të rrugëve të frymëmarrjes, shenja injeksioni apo të përdorimit të alkoolit para vdekjes. Vetëm pak ditë pas ngjarjes së ndodhur më 29 tetor, burime nga Mjekësia Ligjore thanë dje se Adelajda Xhamani mund të ketë ndërruar jetë si pasojë e avancimit të ndonjë sëmundjeje për të cilën ajo nuk kishte dijeni. Ky ishte konkluzioni paraprak i Mjekësisë Ligjore, në pritje të përgjigjes së analizave biologjike që do të përdoren për hartimin e raportit përfundimtar që do të hedhë dritë mbi shkakun e saktë të vdekjes së saj.

Burime nga Mjekësia Ligjore thanë se ishin marrë për analizë pjesë të disa organeve jetësore, por që në ekzaminimin paraprak është përjashtuar mundësia e epilepsisë. Pas daljes së rezultateve të këtyre analizave është hartuar edhe raporti përfundimtar, që konfirmoi dyshimet paraprake të mjekëve ligjorë. Pra vdekja e 31­vjeçares kishte ardhur nga kardiomiopatia, sëmundje për të cilën ajo nuk kishte pasur dijeni. Për rrjedhojë sëmundja ka avancuar, duke sjellë dëmtimin e strukturës dhe funksionin e barkusheve. Zemra për rrjedhojë është dobësuar dhe për shkak edhe të mostrajtimi mjekësor, edhe për arsye se nuk ishte diagnostikuar, ka ndodhur infarkti kongjestiv. Pra sipas mjekëve ligjorë, ka ndodhur dështimi i plotë i muskulit të zemrës.