Rastet e para në botë me virusin HIV-AIDS / Si u shfaq sëmundja e shekullit

Si u shfaq sëmundja e shekullit

HIV-AIDS, kosto e lartë për trajtimin e sëmundjes. Rasti i parë në botë me virusin. Si mund të parandalohet 

Dita 5 qershor 1981 shënon ditën e parë “zyrtare” të epidemisë që ka tronditur botën, me mbi 25 milionë njerëz të vdekur, deri tani në mbarë botën. Në të vërtetë, rasti i parë është identifikuar nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Atlanta të SHBA-ve, konkretisht, në një shpërthim pneumonie të mushkërive në disa homoseksualë në Los Anxhelos. Që atëherë, sëmundja e re, e pandeshur më parë, u quajt “sindroma e mangësisë së imunitetit” – ndryshe SIDA, virus i cili shkaktohet nga infeksioni që jep virusi famëkeq HIV. E megjithëse kanë kaluar plot vite, bota është ende larg zbulimit të vaksinës ndaj kësaj sëmundjeje infektive që të sjell vdekjen. Sipas Raportit Global të UNAIDS-it, njerëzit me HIV në botë kanë arritur në mbi 33.300.000 dhe ka pasur rritje në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Afrikën Lindore, Oqeani, Evropën Lindore, Azinë Qendrore dhe Amerikën e Veriut. Kur Shtetet e Bashkuara raportuan rastet e para të AIDS-it, shumë nuk besonin se kjo ishte një emergjencë e re dhe, në fakt, kaluan disa muaj para se bota të alarmohej prej saj. Vetëm më pas, pasi u zbulua se virusi HIV që shkakton AIDS-in ishte i pranishëm që nga vitet tridhjetë të shekullit të kaluar në Afrikë dhe u përhap pastaj në Karaibe dhe Shtetet e Bashkuara. AIDS (SIDA) shkaktohet nga një virusi, i cili, në mënyrë të pandërprerë, sulmon dhe shkatërron qelizat e sistemit imun të organizmit. Virusi “jeton” në T-cells ndihmesë, duke i shkatërruar dhe neutralizuar ato. Me uljen e numrit të T-cells, sistemi imun i organizmit të njeriut nuk është në gjendje të prodhojë antitrupa të tjerë për të luftuar qoftë edhe infeksionet më të lehta dhe, si rezultat, njerëzit e infektuar me AIDS vdesin nga infeksione sekondare apo disa forma të jashtëzakonshme kanceresh.

Në Shqipëri, rasti i parë me infeksionin HIV-AIDS, u zbulua në vitin 1993 dhe që prej saj kohe (deri ne vitin 2012), numërohen 56 viktima. Në 18 vjet, numri i përgjithshëm i rasteve me HIV-AIDS, të konstatuara në Shqipëri, ka shkuar në 485.

HIV-AIDS, kosto e lartë për trajtimin e sëmundjes

Trajtimi i të sëmurëve me SIDA me anti-retroviralë në Shqipëri kushton rreth 62.5 milionë lekë. Kjo gjë bëhet e ditur nga burime zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, të cilët shprehen se vetëm për një të sëmurë duhen 1.5 deri 5 milionë lekë në vit, në varësi të stadit të sëmundjes. Deri këtë vit, ky fond është përballuar me donacione nga UNFPA, Fondit për Zhvillimin e Popullsisë dhe Ministria e Shëndetësisë. Ndërsa, për vitin e ardhshëm është planifikuar të përballohet me fonde të buxhetit të shtetit. Ndërsa në botë numri i të infektuarve është në rënie me 20 për qind nga viti 1997 deri tani, në Shqipëri ky numër rritet me 15 për qind çdo vit.

Çfarë është HIV/AIDS-i

Sipas specialistëve të ISHP-së, ekzistojnë shumë paqartësi dhe keqkuptime rreth mënyrës së marrjes së transmetimit dhe parandalimit të HIV-it dhe AIDS-it. Fatkeqësisht, sipas tyre, shumica e informacionit që kalon nga një person tek një tjetër, bazohet në hamendësime të pavërteta dhe jo mbi të dhëna faktike. Zakonisht, “të pavërtetat” ngrihen në mungesë të informacionit dhe të njohurive rreth një çështjeje. Për këtë arsyeje, është shumë thelbësore që të kuptohen fakte reale rreth HIV-it dhe AIDS-it, që të jepet një informacion më i saktë apo të zvogëlohen keqinformimet.

– HIV-i është një virus që infekton qelizat e sistemit imun të njeriut dhe shkatërron ose dobëson funksionin e tij. Infeksioni me këtë virus çon në dobësimin e sistemit imun drejt “Pamjaftueshmërisë imune”. Sistemi imun konsiderohet “i pamjaftueshëm”, kur ai nuk e ndalon infeksionin ose sëmundjen. Personat me imunodefiçensë (me pamjaftueshmëri të sistemit imun), janë shumë të prekshëm nga një numër i madh infeksionesh. infeksionet e lidhura me imunodefiçensën e rëndë njihen si infeksione “oportuniste”, pasi ato marrin avantazhin e një sistemi imun të dobësuar.

– AIDS-i është një përcaktim survejance, bazuar në shenja, simptoma, infeksione dhe kancere që lidhen me pamjaftueshmërinë e sistemit imun, që buron nga infeksioni HIV. I referohet një sërë simptomave dhe infeksionesh oportuniste që shfaqen kur imuniteti i një personi është dëmtuar nga HIV-i dhe, si rrjedhojë, nuk është në gjendje të luftojë sëmundjet. AIDS-i është stadi më i avancuar i infeksionit HIV. Kohëzgjatja e kalimit në AIDS nga periudha e infektimit me HIV-in, varion në individë të ndryshëm dhe është e ndryshme. Ajo që mund ta vonojë progresionin e sëmundjes, duke pakësuar nivelin e qelizave të infektuara është terapia me anti-retroviral.

Rasti i parë në botë me virusin HIV-AIDS

Që nga viti 1981, që u bë edhe raportimi i rastit të parë me AIDS-in, e deri më sot janë raportuar më shumë se 900,000 raste të njerëzve të infektuar me AIDS. 1/4 e të infektuarve nuk janë të vetëdijshëm që janë të infektuar nga kjo epidemi e shekullit. Kjo epidemi ka pasur një rritje të ndjeshme mes popullatave minoritare, sidomos tek raca e zezë, apo siç quhen në Amerikë, Afrikan-Americans. Konstatohet si shkaktarja kryesore e vdekjeve më të shumta në mes grupmoshave 25-45 vjeç. Sipas të dhënave të nxjerra nga “Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), AIDS-i prek në dukje 7 herë më shumë racat e zeza sesa ato Hispane apo të bardha.

Kurimi i HIV-AIDS

Në vitet e para të raportimit të AIDS-it, nuk kishte asnjë lloj ilaçi që të luftonte këtë virus vdekjeprurës. Shkencëtarët kanë zbuluar shumë rrugë parandalimi dhe kurimi si për AIDS-in, ashtu edhe për sëmundje të tjera vdekjeprurëse. Grupi i parë i ilaçeve të përdorura për kurimin e të sëmurëve me AIDS quhet NRTI (nucleoside reverse transcriptase inibitor), i cili frenon shumëfishimin e virusit, d.m.th. vetëkopjimin e vet virusit në qelizat bartëse dhe të infektuara nga HIV. Këto ilaçe ngadalësojnë përhapjen e HIV-it në pjesë të tjera të organizmit të njeriut. Më poshtë, do përmendim disa medikamente që përdoren në fazën primare të infektimin me HIV. Ato janë:

* AZT (Azidothymidine)

* ddC (zalcitabine)

* ddI (dideoxyinosine)

* d4T (stavudine)

* 3TC (lamivudine)

* Abacavir (ziagen)

* Tenofovir (viread)

* Emtriva (emtricitabine)

Gjithashtu, ka edhe një klasë tjetër të quajtur NNRTI-s (non-nucleoside reverse transcriptase inhibitors) të tille si:

* Delavridine (Rescriptor)

* Nevirapine (Viramune)

* Efravirenz (Sustiva) (in combination ëith other antiretroviral drugs)

Gjithashtu, ka edhe një kategori tjetër ilaçesh të cilët përdoren në kurimin e infeksioneve me HIV. Këto ilaçe të quajtur PI (protein inbibitors,) të cilët ndalojnë shumëfishimin apo vetëkopjimin e qelizave të infektuara me HIV.

Ndër to mund të përmendim:

* Ritonavir (Norvir)

* Saquinivir (Invirase)

* Indinavir (Crixivan)

* Amprenivir (Agenerase)

* Nelfinavir (Viracept)

* Lopinavir (Kaletra)

* Atazanavir (Reyataz)

* Fosamprenavir (Lexiva)

Vaksina kundër HIV-AIDS-it

Rusët zbulojnë vaksinën kundër HIV/AIDS-it

Kjo vaksinë erdhi pas një pune shumëvjeçare shkencore nga specialistët e Qendrës Shkencore të Novosibirskut “Vektor”, të cilët kryen me sukses testet e para. Paralelisht, provat klinike të vaksinave të llojeve të ndryshme po zhvillohen edhe në Shen Petersburg dhe Moskë. “Historia e njerëzimit dëshmon qartë se epidemitë globale njeriu ka mundur t’i mposhtë vetëm me ndihmën e vaksinave. Fjalë bëhet, së pari, për vaksinën profilaktike, e cila do të parandalojë infeksionin. Kurse, së dyti, mbi preparatin e aktivizimit të imunitetit, mbi vaksinën terapeutike, e cila do ta bëjë trajtimin medikamentoz të pacientit më të përshtatshëm dhe me kosto më të ulët”,- thotë Andrei Kozllov, Drejtor i Qendrës Biomedicinale peterburgase, i cila po merret që prej kohesh me zhvillimin e ADN-vaksinës kundër HIV-it. Deri tani, në botë, njihet vetëm një rast i shërimit të kësaj sëmundje. Bëhet fjalë për amerikanin Timothy Ray Broën, i cili prej shumë kohësh, ishte mbartës i virusit HIV. Më vonë, ai mësoi se vuante nga leucemia dhe në vitin 2007, iu nënshtrua në Gjermani transplantit të qelizave të palcës së eshtrave. Një vit më vonë, analizat e bëra treguan se në organizmin e tij nuk kishte më asnjë gjurmë të leuçemisë dhe virusit vdekjeprurës.

Studimi, bie me 21 për qind numri i vdekjeve nga SIDA

Vdekjet e shkaktuara nga SIDA janë në nivelin më të ulët që nga 2005-a, vit në të cilin arritën edhe kulmin. Bëhet fjalë për 21 për qind raste më pak. Rezultati ka dalë nga raporti i Kombeve të Bashkuara, sipas të cilit shkaku i kësaj rënieje është shtimi i përdorimit të medikamenteve kryesisht antiretrovirale, të cilat ngadalësojnë në maksimum përhapjen e sëmundjes në organizmin e njeriut. Sipas studimit, bota ndodhet në mesin e një ndryshimi të madh dhe shumë pozitiv sa i përket përhapjes së kësaj sëmundjeje, që prej 20-vjetësh ka shkaktuar mijëra viktima, sidomos në vendet e varfra dhe në kontinentin afrikan. Edhe pse në mesin e një krize financiare, vendet që kanë qenë dhe janë problematike kanë shënuar rezultate shumë të mira në parandalimin dhe kurimin e AIDS-it. Ndërkohë, sipas shifrave të fundit, numri i personave që jetojnë me SIDA-n, në trup, është 34 milionë. Përmirësimin më të madh e ka edhe zona që ka qenë dhe është më shumë problematike në botë, Afrika Subahariane. Në këtë vend është shtuar me 20 për qind numri i personave që marrin trajtime mjekësore. Vitin e kaluar, janë parandaluar 700 mijë vdekje pikërisht për shkak të aksesit më të mirë në trajtimin me medikamentet e posaçme. Në vitin 2010, pati 2.7 milionë të infektuar të rinj me AIDS-in, ndërsa që në vitin 1997 kjo shifër ishte 3.2 milionë. Vjet, humbën jetën 1.8 milionë njerëz nga SIDA, ndërsa në vitin 2005 vdiqën 2.2 milionë. Përmirësimi është i dukshëm dhe i madh në disa vende, veçanërisht në Namibi, ku ka edhe ndërgjegjësim shumë të madh nga popullsia edhe për përdorimin e masave parandaluese. Raporti është shumë optimist, duke theksuar se ndoshta në vendet që do të investojnë më shumë në parandalimin dhe në kurimin e sëmundjes ajo do të zhduket fare në një kohë relativisht të shkurtër.

Parandalimi i kësaj sëmundjeje

Përderisa deri më sot, nuk rezulton një vaksinë për parandalimin e HIV-it, e vetmja mënyrë mbrojtëse dhe parandaluese ndaj virusit HIV është evitimi i sjelljeve që mund të shpien në kontraktimin dhe infektimin nga HIV-i, si parandalimi i përdorimit të shiringave dhe parandalimi i kontaktit seksual të pambrojtur.

Similar Posts