Real Madrid zhgënjen

 

Murinjo: Nuk kam shpjegim!

Trajneri i Real Madridit, Zhoze Murinjo, do ta mbajë gjatë në kujtesën e tij humbjen e skuadrës së tij kundër Borusisë së Dortmundit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, 4:1. Ai asnjëherë në karrierë nuk ka përjetuar debakël të tillë në këtë fazë të garave, por pas ndeshjes nuk ngurroi ta përgëzojë Jurgen Klopin për lojën e paraqitur nga skuadra e tij. “Borusia ishte skuadër dukshëm më e mirë. Ata e fituan çdo betejë individuale në fushë, kurse ishin më të fortë si në aspektin psikik edhe në atë fizik. E merituan plotësisht këtë fitore. Si ndodhi që nga rezultati 1:1 të shkojmë tek 4:1? Thjesht nuk kam shpjegim. Gjithçka luhej shpejt, e humbëm shumë lehtë zotërimin e topit dhe nuk arritëm t’i frenojmë sulmet e tyre të shpejta”, ka deklaruar Murinjo, skuadrën e të cilit e pret një mision tepër i vështirë për ta përmbysur këtë epërsi të dortmundasve në ndeshjen e kthimit më 30 prill.

Real Madrid, tifozët “falin” vetëm Diego Lopez

Portieri Diego Lopez është i vetmi që shpëton pas disfatës së Realit të Madriditi në gjysmëfinalen ndaj Borusias së Dortmundit. Në një sondazh të hapur nga gazeta Marka, tifozët e skuadrës merengues e vlerësojnë Lopez si lojtarin më të mirë të Realit me notën 6.6 pasi ai e shpëtoi ekipin nga turpi edhe në dy raste të tjera duke bllokuar goditjet e Rojsh dhe Gyndogan. Pas portierit renditet mbrojtësi Varane dhe Cristiano Ronaldo, ndërsa vlerësimin më të dobët e ka marrë mbrojtësi Pepe me notën 1.4. Tifozët nuk shpëtojnë as trajnerin Zhoze Murinjo që vlerësohet ne notën 2.2, ndërsa Serxho Ramos, Alonso, Ozëll, Higuain, Di Maria e Benzema nuk e kalojnë kufirin e votës 3.

Pepe nuk dorëzohet: Mund të shkojmë në Wembley

Pepe qëndron optimist për shanset e Real Madrid për të arritur në finalen e Champions League, pavarësisht humbjes 4-1 në takimin e parë gjysmëfinale kundër Borussia Dortmund. Gjermanët triumfuan me të katërt golat të shënuar nga Lewandowski, por Pepe beson se ekipi i Mourinhos është në gjendje ta përmbysë rezultatin në ndeshjen e kthimit në “Bernabeu”.“Sigurisht që nuk jemi të lumtur me këtë rezultat, por nëse ka ndonjë ekip që mund ta kthejë rezultatin në shtëpi, ai është Real Madrid. Duhet të shënojmë 3 gola në takimin e kthimit dhe kjo nuk është e pamundur. E kemi bërë shumë herë më parë, sidomos kur luajmë në fushën tonë”, tha Pepe për Uefa.com.