Realizohen 8 operacione policore, shkatërrohen disa grupe që vidhnin automjete dhe prona

Nuk kanë qenë të qeta 90 ditët e fundit për policinë e kryeqytetit.  Kështu, në sallën operative janë regjistruar me qindra telefonata denoncuese për krime të ndryshme. Gjatë këtij tre mujori policia ka rritur zbulueshmërinë në vjedhjen e pronave apo dhe krimet kundër personit, ndërsa këtë vit aksidentet hetohen nga komisariatet e policisë. Në një prononcim për mediat, shef i Sektorit të Hetimeve në Policinë e Tiranës thotë se:  “Vlen për tu theksuar kapja në flagrancë të cilat janë punë e patrullës së përgjithshme dhe seksionit të hetimit dhe parandalimit të krimeve. Dhe për tre mujorin e 2013-tës kemi gjithsej 98 raste, ndërkohë që armë të kapura respektivisht janë 14 pistoleta, 4 automatikë modele të ndryshme, tre pushkë, një pistoletë elektrike, një pistoletë shenjëlënëse, një mitraloz, tre armë gjahu pa leje. Gjithashtu janë 27 thika, 38 doreza hekuri. Midis këtyre ka shkopinj gome, fishekë etj”. Zbardhja e këtyre veprave penale dhe arrestimi i autorëve nuk është kaq e lehtë. Pjesë e rëndësishme në hetim ka dhe policia shkencore apo dhe procedurat që ndiqen për raste të ndryshme. Shefi i sektorit të hetimit dhe parandalimit të krimeve në policinë e Tiranës, Benet Koka thotë se zbardhja e një ngjarjeje kërkon kohën e saj dhe për këtë kërkohet dhe mirëkuptimi i qytetarëve. “Këqyrja e vendit të ngjarjes kërkon punën e vet, në analizimin e provave të para të vendit të ngjarjes, analizimi i provave të tjera shkencore, administrimi i informacionit, analizimi i informacionit, të gjitha këto janë etapa të cilat duan kohën e tyre. Një ngjarje nuk mund të thuash zbulohet sot dhe nesër, siç ka dhe raste të tilla sepse bëhet kapje në flagrancë e personave,nga administrimi i informacionit, apo provave të tjera”, tha Koka. Gjatë kësaj periudhe policia e kryeqytetit ka realizuar 8 operacione policore ku janë shkatërruar disa grupe të vjedhjes së automjeteve apo dhe grabitjeve së pronës.