Reduktohet kohëzgjatja për marrjen e një leje ndërtimi dhe pronësisë

Kryeministri Berisha zhvilloi mbledhjen e Task Forcës së Reformës Rregullatore, ku u vendos reduktimi i kohëzgjatjes së procedurave për marrjen e një leje ndërtimi dhe regjistrimin e pronësisë. Kështu për sa u përket lejeve të ndërtimit, numri i procedurave reduktohet nga 24 që janë sot në 5 dhe kohëzgjatja për të marrë një leje ndërtimi do të ulet në mënyrë drastike nga plot 436 ditë që duhen sot në 35 ditë. Ndërkohë, për regjistrimin e pronësisë, numri i procedurave përgjysmohet – pra nga 6 që janë sot bëhen 3, ndërsa numri i ditëve të duhura për këtë proces reduktohet me 3 herë, pra nga 33 ditë që është sot bëhet 13. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë u shpreh se përmirësimi i klimës së biznesit ka qenë dhe është një nga objektivat më madhorë të kësaj qeverisjeje, që konsideron sektorin privat, biznesin, një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të shpejtë e të qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare. “Rezultat i kësaj politike ka qenë rritja e numrit të bizneseve, përthithja e katër miliardë investime të huaja në 6 vjet, rritja ekonomike dhe rënia e papunësisë, trefishimi i eksporteve, etj. Ministria e Ekonomisë, ka bërë një studim të hollësishëm të të gjithë problematikës së klimës së biznesit dhe masave që duhet të merren për të vendosur një seri standardesh të reja në të gjitha fushat”, u shpreh ai, për të shtuar se gjithnjë e më shumë po rritet interesi i investitorëve vendas e të huaj për të investuar në këtë vend. Sipas kreut të qeverisë, gjithnjë e më shumë bëhet e domosdoshme që burokracia shqiptare t’i shërbejë biznesit sa më mirë, të bëjë gjithçka për të lehtësuar barrën burokratike ndaj tyre.

Disa nga lehtësitë e tjera që i ofrohen së shpejti biznesit kanë të bëjnë me:

– Numri i procedurave të regjistrimit të biznesit do të reduktohet nga 5 që janë sot në vetëm 2 dhe kostoja e regjistrimit ulet në vetëm 100 leke, nga rreth 112 lekë që ka qenë.

– Për sa u përket lejeve të ndërtimit, Tirana, e cila deri vjet klasifikohej ne vendin e fundit në rajon dhe në botë do të lehtësojë biznesin e ndërtimit duke reduktuar numrin e procedurave dhe kohën për të marrë një leje ndërtimi. Konkretisht numri i procedurave reduktohet nga 24 që janë sot në 5 dhe dhe kohëzgjatja për të marrë një leje ndërtimi do të ulet në mënyrë drastike nga plot 436 ditë që duhen sot në 35 ditë. Kjo e bën të krahasueshme Tiranën me SHBA ku duhen 40 dite.

– Për furnizimin me energji, numri i procedurave reduktohet në 4, nga 6 që është sot, numri i ditëve nga 177 që është sot ulet në vetëm 45 ditë ndërsa kostoja reduktohet afro 3 herë.

– Për regjistrimin e pronësisë, numri i procedurave përgjysmohet – pra nga 6 që janë sot bëhen 3, ndërsa numri i ditëve të duhura për këtë proces reduktohet me 3 herë, pra nga 33 ditë që është sot bëhet 13.

– Për pagesat e taksave do të ulet kontributi i punëdhënësit nëpërmjet heqjes së pagës së referencës; dhe thjeshtimit dhe shkurtimit të kohës, kostove dhe procedurave nëpërmjet veprimeve që do të kryhen online.

– Për tregtinë e jashtme, dokumentet për eksport do të reduktohen me më shumë se gjysma , nga 7 që janë sot, në vetëm 3 dokumente ndërsa dokumentet për import reduktohen nga 8 që janë sot në 4. Koha e nevojshme për eksportim do reduktohet me 5 herë, nga 19 ditë që janë sot në 4 dite ndërsa koha për import do të reduktohet me 6 herë, nga 18 ditë në vetëm 3 ditë. Po ashtu, përmirësime të ndjeshme do të bëhen në lidhje me zbatimin e kontratave, zgjidhjen e paaftësisë paguese, (falimentimin), marrjen e kredive, mbrojtjen e investitorit, etj. Këto hapa që po zbatohen me shpejtësi, do të shoqërohen dhe me përshtatje ligjore dhe synojnë arritjen e objektivit madhor të kësaj qeverisjeje: rritjen e besimit dhe sigurisë së investitorëve, si dhe nxitjen e tyre të zgjedhin Shqipërinë si vendin më të mirë për të bërë biznes. Kryeministri përcaktoi një grafik ditor raportimi dhe ndjekjeje operative të këtyre hapave të Reformës.

 

Comments are closed.