Reforma Gjyqësore, Topi-Vjeti: Vullnet politik për konkretizimin e vendimmarrjeve

Presidenti Bamir Topi ka zhvilluar një takim me Nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Italisë, Mikele Vjeti, ku bëri një përshkrim të hollësishëm të ecurisë së reformës gjyqësore dhe ushtrimit nga ana e KLD-së të kompetencave kushtetuese dhe ligjore duke vënë në dukje se nevojitet shprehja e qartë e vullneteve politike të konkretizuara me vendimmarrje në Parlament për të çuar përpara dhe për të zbatuar plotësisht e me sukses reformën në gjyqësor. “Kjo mund të materializohet me gjetjen e konsensusit për miratimin e Gjykatës Administrative, për heqjen me ligj të imunitetit të zyrtarët e lartë si dhe për miratimin e kandidaturave cilësore në Gjykatën Kushtetuese e në atë të Lartë, të bashkërenduara edhe me ndëshkimin e korrupsionit në radhët e gjyqtarëve. Arritjet e këtyre objektivave, të shoqëruara edhe me konsolidimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese e ligjore do të rikthenin besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe do të mundësonin edhe plotësimin e kritereve të kërkuara për përmbushjen e aspiratës së shqiptarëve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian”, theksoi presidenti Topi. Nga ana e tij, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Italisë, Mikele Vjeti pasi vlerësoi arritjet e shënuara deri më tani nga vendi ynë në fushën e drejtësisë si dhe bashkëpunimin e frytshëm ligjor italo-shqiptar, theksoi domosdoshmërinë e kalimit nga demagogjia në vepra dhe ligje konkrete. Gjithashtu Vjeti duke vënë në dukje rolin pozitiv dhe moderator të luajtur nga Presidenti i Republikës në këtë drejtim, nënvizoi se për të arritur këtë qëllim dhe për të pasur një drejtësi funksionale nevojitet ndarja e qartë e pushteteve dhe vullneti dhe bashkëpunimi i të gjithëve. Në këtë pikë, Vjeti pasi shprehu edhe njëherë mbështetjen e Italisë për reformimin e gjyqësorit shqiptar dhe rrugëtimin integrues të vendit tonë, vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm dhe të vazhdimësisë së projekteve të bashkëpunimit ligjor siç është ai i misionit EURALIUS 4 për të realizuar përsosjen dhe pjekurinë e një sistemi gjyqësor mirëfunksionues dhe një shteti të së drejtës në Shqipëri sipas standardeve evropiane.

 

 

Comments are closed.