Reforma në shërbimet sociale

Kërkohet menaxhimi i shërbimeve nga pushteti vendor

Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Ambasada Italiane në Tiranë në bashkëpunim me Rajonin Emilia–Romanja organizuan Konferencën mbi “Reformën e Shërbimeve Sociale në Shqipëri”. Konferenca u përqendrua në menaxhimin e shërbimeve dhe planifikimin e fondeve nga ana e pushtetit vendor përgjatë procesit e decentralizmit që ka filluar të realizohet në vend, duke përfituar nga eksperienca më e mirë italiane, e cila do të ofrohet nga rajoni Emilio-Romanja, në kuadër të programit të asistencës “SEENET” ofruar për Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe qarqet dhe bashkive partnere (Vlorë, Shkodër, Elbasan) gjatë viteve 2011-2012. Ministri Ksera, i pranishëm ne Konference theksoi rëndësinë që ka procesi i decentralizmit të shërbimeve, ku përgjegjësia e menaxhimit të tyre i kalon pushtetit vendor. “Tashmë njësitë vendore duhet te tregojnë kujdes te veçantë edhe vëmendje më të madhe për menaxhimin e shërbimeve aktuale dhe ngritjen e shërbimeve të reja për t’u ardhur në ndihmë kategorive te tilla si fëmijët, te moshuarit, personat me aftësi te kufizuara, etj. Kjo kërkon nga njësitë vendore që krahas buxheteve për infrastrukturë dhe zëra të tjerë, të parashikojnë fonde edhe për shërbimet sociale.” Në kuadër të decentralizmit dhe kalimit të shërbimeve ekzistuese njësive vendore, Ministri theksoi rolin e rëndësishëm të Qarkut dhe garantoi se Ministria e Punës do të vazhdojë të jetë bashkëpunuese dhe do të ofrojë të gjithë ndihmën dhe ekspertizën e saj me qëllim që ky proces të ecë sa më mirë dhe që njësitë vendore të luajnë rolin që u takon në një proces kaq të rëndësishëm. Ky aktivitet organizohet në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Rajonit Emilia–Romanja për promovimin e aksioneve në mbështetje të procesit të përafrimit me standarde evropiane dhe forcimin e qeverisjes institucionale në nivel qendror, rajonal dhe lokal në fushën e mbrojtjes shoqërore. Në konferencë u diskutua dhe u ndanë idetë mbi propozimet e institucioneve rajonale dhe lokale shqiptare dhe institucioneve evropiane mbi temat e decentralizimit.