Reforma zgjedhore, kreu republikan në takimin me të rinjtë:Mungon transparenca PD-PS

Kreu republikan, Fatmir Mediu, ka folur me tone të ashpra, sa i përket punës me reformën zgjedhore. Gjatë një takimi me të rinjtë republikanë, zoti Mediu tha se puna e komisionit po bëhet në mungesë të plotë transparence, ndërsa po merren vendime bilaterale. Ai kërkoi nga dy forcat e mëdha politike të mos cenojnë barazinë e votës. “Kur flasim për reformë zgjedhore, duhet të prekë të gjitha aspektet që janë të nevojshme për të garantuar votën e qytetarëve shqiptarë, që të jetë një votë e lirë, e numëruar drejt, por dhe e përfaqësuar drejt në Kuvend. Ne kemi vuajtur nga një fenomen i “Dushkut”, i cili transferonte votat e partive të mëdha tek partitë e vogla dhe sot vuajmë nga një fenomen i kundërt; partitë e mëdha marrin votat e partive të vogla. E kam thënë, 20 për qind e votuesve shqiptarë nuk janë të përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë, janë rreth 25 deputetë që duhet të dilnin me mandate nga ky 20 përqindësh, ku për fatin e keq janë vetëm 7, pjesën tjetër e kanë marrë partitë e mëdha pa të drejtë sipas gjykimit tim”,- deklaroi kreu i republikanëve, Fatmir Mediu.

T’i jepet fund abuzimit me pronat në bregdet

Republikanët kërkojnë t’u jepet fund abuzimeve me pronat në bregdet. Kreu i republikanëve, Fatmir Mediu, theksoi se e djathta duhet ta shohë me realizëm çështjen e pronave. “Për fatin e keq, bazuar mbi një koncept tërësisht epatist dhe vazhdimësi e mentalitetit të një sistemi të vjetër, politika shqiptare, në mënyrë të padrejtë, zhveshi pronarët e ligjshëm nga një e drejtë e tyre e pronësisë, duke pronësuar një pjesë tjetër të shoqërisë që nuk kishte të drejtën e pronës. Unë sot, pata një takim edhe me përfaqësues të pronarëve të bregdetit, të cilët nuk duan gjë tjetër, vetëm të marrin pronat e tyre. Nuk duan gjë tjetër, veçse abuzimet që janë bërë në ndarjen nga komisioni, në mënyrë të paligjshme t’i kthejnë në ndarje të ligjshme, po kjo nuk është vetëm në bregdet, por në të gjithë Shqipërinë”,- tha Fatmir Mediu, kreu i PR-së.

Mesazhi për mbrojtjen e familjes

Gjatë takimit me të rinjtë e forumit të Partisë Republikane në Tiranë, Mediu lëshoi për ta edhe një mesazh për mbrojtjen e familjes. “Jemi rritur në familje me nënën, babain, dhe gjithë familjen tonë si guri themelor i shoqërisë, i cili bazohet në disa vlera morale të padiskutueshme. Në disa tradita, të cilat kanë qenë dhe janë rregulla të pashkruara që kanë garantuar jo vetëm qëndrueshmërinë e familjes tonë, po dhe të kombit tonë. Prandaj, këto vlera duhet patjetër të forcohen”,- tha Mediu.

 

Comments are closed.