Reforma Zgjedhore, Mediu: Procesi jotransparent, po penalizohen partitë e vogla

Kreu i republikanëve, Fatmir Mediu ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me reformën zgjedhore, duke theksuar se është një proces jotransparent dhe në bisedime po paraqiten formula të kodit që penalizojnë partitë e vogla. “Për mua është një proces e para jo transparent, e dyta që cënon në mënyrë të padiskutueshme një monopol të jetës politike jo për shkak të votës së qytetarëve, po për shkak të formulave tërësisht të shtrembura që futen në këtë kod për t’i marr deputetë partive të ndryshme dhe për t’i hedhur mbi partitë e mëdha. Janë diskutime që bëhen thjesht të aspektit teknik, duke lënë mënjanë një aspekt shumë të rëndësishëm që është barazia e votës së qytetarëve dhe përfaqësimi i tyre i drejtë në Kuvendin e Shqipërisë”, shprehet Mediu. Një tjetër shqetësim i shprehur nga kryetari i PR-së, është dhe  cënimi i  barazisë së votës. Ai thotë se nëse ka një marrëveshje mes PD-së e PS-së, synimi i tyre është kontrolli i jetës politike në vend. “Mendoj që ka një marrëdhënie tej marrëdhënies së kompromisit normal ndërmjet dy partive dhe nëse ndodh vetë për kodin, ndodh dhe për shkak të interesit të tyre të përbashkët për të kontrolluar jetën politike, siç e thashë dhe më parë, jo në mënyrë të ligjshme. Megjithatë unë besoj që ka akoma kohë për të reflektuar”, thekson kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu.