Rezultati në pak orë, modelet e numërimit të votës

Maksimumi për 8 orë shpallet rezultati. Kjo do të jetë tashmë koha e shpalljes së fituesit të zgjedhjeve në Shqipëri nëse aplikohet numërimi elektronik. Në kuadër të reformës zgjedhore, disa prej kompanive të huaja, që menaxhojnë teknologjinë e zgjedhjeve në SHBA e Angli, i kanë demonstruar ekspertëve të komisionit të reformës, por dhe KQZ-së makineritë e aplikueshme dhe në Shqipëri. Sipas ekspertit të PS-së, pranë komisionit të reformës zgjedhore, kjo lloj teknologjie do të zhdukë numëruesit dhe kontestimet e rezultatit. “Nuk do quhen më numërues, nëse aplikojmë këtë teknologji. Do të ketë përfaqësues të partive, të cilët do të mbikëqyrin procesin e numërimit. Do ketë, sigurisht, një person të kompanisë, i cili do të përgjigjet për mbarëvajtjen e teknologjisë. Për sa i përket votimit elektronik, që është një fazë shumë më e avancuar nga kjo që po kërkojmë ne, është herët për të folur për Shqipërinë, sepse kërkon dhe pjesëmarrjen dhe trajnimin e vetë votuesit”,- shprehet Bledar Çuçi, ekspert i reformës pranë PS-së. Por rezultati mund të jetë më i shpejtë. “Kjo makinë numëron nga 230 deri në 368 fletë votimi në minutë dhe numri total ne mendojmë që do të jetë për një orë e gjysmë – dy orë. Duhet vetëm një makinë në një qendër votimi”,- shprehet Genc Gjoçaj, përfaqësues i kompanisë. Një tjetër teknologji, që mund të përfshihet në kod është dhe identifikimi elektronik i zgjedhësve. Të dyja aparaturat llogariten të përballueshme nga financat e shtetit shqiptar dhe mund të gjejnë zbatim që në 2013-ën.