Rikthehet moda e xhinseve për sezonin pranverë-verë 2012

Edhe pse kanë një histori të gjatë, trendi i xhinsit nuk ikën kurrë nga moda, mbetet gjithnjë në krye të listës. Veshjet xhinse mbeten protagonistët e koleksionit të modës, duke vijuar të luajnë rolin më të rëndësishëm edhe për këtë sezon pranverë-verë 2012. Modelet më të adhuruara të xhinseve.

Xhinset me prerje të drejtë

Moda e ditëve të sotme, në fakt synon që të jetë më klasike në krahasim me vitet e kaluara kur “denim”, ishte veshja më e preferuar për femrat. Modeli i xhinseve me prerje të drejtë është klasik dhe tepër i rehatshëm në veshje, dhe në këtë mënyrë mund të jetë një zgjedhje perfekte edhe për punët në zyrë. Ndërsa më më të rinjtë në modë qëndrojnë “skinny jeans”. Ky model i xhinseve të ngushta pas trupit nxjerr më në pah feminilitetin dhe linjat e çdo vajza. Por në këtë drejtim stilistët këshillojnë që personat që do të preferojnë të zgjedhin këtë linjë, në fillim duhet të sigurohen në përzgjedhjen e përshtatshme të modelit për trupin e tyre.

“Wide leg jeans”

Një tjetër model xhinsesh që shohim shpesh në pasarelat e modës dhe në koleksionet e ndryshme, është pikërisht modeli i xhinseve të gjera. Të bukura, po, por ndonjëherë janë të vështira për t’u veshur sepse kërkojnë taka të larta. Dhe jo të gjitha femrat preferojnë të kalojnë ditën e tyre të veshura me sandale me taka të larta vetëm e vetëm për të veshur këtë lloj modeli xhindesh.

“Bell bottom”

Xhinset që vijnë të gjera nga gjuri e poshtë, ose të quajtura ‘bell bottom’, janë perfekte për një pamje alternative. Por ky model kërkon kombinim të veçantë, kryesisht me bluze të punuar me grep dhe aksesorë të viteve ’70. Një tjetër model i xhinëve është edhe ai ‘boyfit’, tepër i preferuar, një model klasik me pak influenca mashkullore, por jo të tepruar.

Ngjyrat

Ngjyrat janë të shumëllojshme sidomos ato me tonalitetin klasik të xhinsit blu, që variojnë nga blu e errët në atë më të çelët. Edhe xhinset me ngjyrë të zezë janë në modë, por më trendi mund të konsiderohen në këtë sezon, vetëm xhinset e ngjyrosura. Ngjyrat më në modë? E kuqja, jeshilja, bluja dhe e verdha.

Pantallonat xhinse të shkurtra

Edhe pse kanë qenë në modë vitin e kaluar, sërish edhe për këtë sezon vijonë të jenë të tilla. Pantallonat e shkurtra xhinse, janë gjithnjë në modë dhe tepër të përshtatshme sidomos për pushimet në det. Por jo vetëm, këto lloj pantallonash mund të përdoren edhe në festivale të ndryshme roku, ose në festa që zhvillohen në natyrë duke i kombinuar në mënyrë perfekte me çizme të gjata deri tek gjuri. Ndërkohë që stilistët për këtë sezon rekomandojnë edhe përdorimin e fundeve xhinse, ku  jo vetëm minifundet por edhe fundet e gjata xhinse janë në modë.

Xhaketat xhinse, jelekët dhe xhupi xhins

Xhupi xhins, është gjithnjë në modë dhe tepër i kërkuar nga femrat sidomos kur kombinohet me një fustan të gjatë. Ndërkohë që xhaketat xhinse mund të vishen për raste më formale. Por jo vetëm, stilistët gjithashtu për këtë sezon këshillojnë edhe përdorimin e aksesorëve të përbërë nga materiali xhins. Kështu, kapelet, këpucët, çantat xhinse, të kombinuara me aksesorë të ndryshëm do t’i dhuronin çdo femre një pamje tërheqëse dhe gjithashtu edhe trendi.

Comments are closed.