Roli i gruas në kinematografinë shqiptare, Liri Berisha: Ju, artistët, jeni shpirtit i një kombi

Me rastin e Festës së Gruas, Znj. Liri Berisha, bashkëshortja e Kryeministrit të Shqipërisë, organizoi dje, në Galerinë Kombëtare të Arteve një aktivitet kushtuar rolit dhe kontributit të gruas në kinematografinë shqiptare. Të ftuar në këtë aktivitet ishin Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli, bashkëshortja e Kryeministrit të Kosovës, znj. Lumnije Thaçi, gra të klubit diplomatik “Mirë se erdhët në Tiranë”, si dhe aktore të kinematografisë shqiptare ndër vite. 30 aktore të njohura, 7 prej të cilave nuk jetojnë më, që kanë lënë gjurmë me artin dhe interpretimin e tyre në kinematografi, u nderuan në këtë 8 Mars, nëpërmjet transmetimit të një reportazhi filmik me pjesë të zgjedhura nga rolet e tyre më të spikatura, duke filluar që nga viti 1953 e deri ne ditët e sotme, prodhim i Arkivit Qendror Shqiptar të filmit. Me një nderim të veçantë, znj. Berisha u dedikoi 23 aktoreve të ftuara në këtë aktivitet, nga një mirënjohje të veçantë, të përgatitur enkas në mënyrë të personalizuar për secilën prej tyre. Një gur xhami të skalitur me foton e profilit më të mirë aktoresk ndër vite, një libër, një telefon për të mbajtur gjallë komunikimin mes tyre dhe një buqetë me lule – ishin këto simbolika e mirënjohjes përkushtuar nga znj. Berisha për të gjitha aktoret e mirënjohura. “Ky 8 Mars – tha në fillim të fjalës së saj znj. Liri Berisha – është i veçantë, pasi korrespondon edhe me 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Duke iu drejtuar aktoreve prezent në sallë, znj. Berisha tha: “Ju, artistët, jeni aristokratët e shpirtit të një vendi. Meritoni respekt, dashuri e mirënjohje pa fund! Me rolet dhe personazhet, me përkushtimin tuaj, ju përcollët shumë vlera duke u bërë modeli i gruas guximtare e përparimtare, që theu tabu e barriera të kohës, duke u bërë pjesa më aktive e emancipimit dhe zhvillimit të Shqipërisë”. “Tek shikoja kolazhin e përgatitur nga Drejtoria e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, – vijoi në fjalën e saj znj. Berisha, – ndjeva nostalgji, borxh, dhimbje e krenari, respekt, dashuri e mirënjohje për atë plejadë të artistëve që sot nuk jetojnë si:

Vitore Nino

Violeta Manushi

Marta Burka

Marie Logoreci

Esma Agolli

Dhorkë Orgocka,

Liza Vorfi.

Për aktoret e lartpërmendura u mbajt 1 minutë heshtje në nderim të kontributit të tyre të paçmuar në kinematografinë shqiptare. Të emocionuara dhe të prekura nga mirënjohja dhe vlerësimi i znj. Berisha në këtë 8 Mars, aktoret e mirënjohura; Drita Pelingu, Margarita Xhepa, Tinka Kuri, Roza Anagnosti, Liza Laska, Hajrie Rondo etj., recituan vargje dedikuar nënës, gruas dhe respektit ndaj vlerave jetësore që ato përcjellin. Drita Pelingu: “Jam shumë e prekur dhe e emocionuar nga mirënjohja që m’u dedikua në këtë 8 Mars. Ju falënderoj shumë, znj. Berisha”

Tinka Kurti: “Faleminderit për respektin dhe mirënjohjen, se na emocionuat pa masë. Sot, dua të recitoj një poezi për nënën e madhe, Nënë Terezën”

Liza Laska: “Faleminderit nga zemra, znj. Berisha. Ndjej krenari për profesionin tim, me anë të të cilit jam munduar të krijoj figurën e femrës shqiptare”.

Hajrie Rondo: “Ky është një aktivitet magjik nga zonja e madhe dhe fisnike, Liri Berisha. Faleminderit shumë për portretizimin që na bëtë secilës prej nesh me fjalë të arta dhe ngjyrë të kadifenjtë”.

Roza Anagnosti: “Jam shumë e emocionuar dhe e prekur nga ky nderim që na u bë. Ishte një ide e shkëlqyer, shumë e realizuar dhe faleminderit shumë për këtë respekt dhe mirënjohje nga znj. Liri Berisha dhe faleminderit Arkivit Qendror Shqiptar të Filmit për memorizimin tonë në këtë reportazh”.

Margarita Xhepa: “Jam shumë e emocionuar. Faleminderit shumë znj. Berisha për këtë mirënjohje! Sot, do të doja të recitoja një poezi për nënën – Nëna ime me shtatë shpirtra”.

Lista e aktoreve të nderuara me mirënjohje të veçantë nga znj. Liri Berisha me rastin e festës së 8 Marsit:

Besa Imami

Margarita Xhepa

Roza Anagnosti

Tinka Kurti

Drita Pelingu

Edi Luarasi

Drita Haxhiraj

Melpomeni Çobani

Marika Kallamata

Mimika Luci

Liza Laska

Pavlina Mani

Yllka Mujo

Antoneta Papapavli

Elida Janushi

Hajrie Rondo

Rajmonda Bulku

Marjeta Larja

Elvira Diamanti

Etleva Alikaj

Matilda Makoçi

Luiza Xhuvani

Anila Bisha

Topalli, në takimin me ikonat e kinematografisë shqiptare

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ishte e pranishme në këtë takim të përzemërt, mes emrave më të njohur të ekranit shqiptar si Liza Laska, Drita Pelingu, Roza Anagnosti, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Edi Luarasi, Hajrie Rondo, Besa Imami, Marjeta Ljarja, Yllka Mujo, Elvira Diamanti etj. Në nderim të kujtimit të artisteve të skenës së kinematografisë shqiptare që sot nuk jetojnë më, por që me veprën dhe rolet e tyre mbeten të pavdekshme, u mbajt dhe një minutë heshtje. Duke i konsideruar artistet shqiptare si “shpirti i një kombi”, zonja Liri Berisha shprehu dashurinë, respektin dhe mirënjohjen për të gjitha zonjat e nderuara që kanë lënë gjurmët e tyre në historinë e artit dhe kinematografisë shqiptare. Me këtë rast, u shfaq dhe një kolazh i shkurtër me pjesët e filmave të më të arrirë të aktoreve ndër vite, ndërsa në shenjë falënderimi për kontributin e tyre të çmuar në skenë u shpërndanë edhe dhurata simbolike.

Comments are closed.