Rouçek: Dialogu i vazhdueshëm do të sigurojë një përgjigje pozitive

“Reforma zgjedhore duhet të përfundojë brenda disa javësh”

Eurodeputeti Libor Rouçek thotë se Shqipëria po plotëson hap pas hapi 12 rekomandimet, që do ta çojnë drejt anëtarësimit në BE. Sipas tij, është e rëndësishme të ruhet ritmi i reformave dhe të garantohet që rekomandimet e KE-së do të zbatohen.

– Komisioni Europian ka vendosur të intensifikojë dialogun me Shqipërinë, duke qenë se dialogu midis mazhorancës dhe opozitës po jep fryte. Ç’mendim keni ju?

Është një gjë shumë pozitive, që tashmë dialogu funksionon, që të dyja forcat më të mëdha politike punojnë së bashku mbi çështjet që kanë të bëjnë me integrimin europian të Shqipërisë. Kjo është diçka vërtet shumë pozitive dhe unë mbështes qëndrimin e Komisionit Europian për ta lehtësuar këtë dialog. Është në sajë të këtij dialogu të brendshëm që ne kemi parë progres në disa fusha, siç ishte çështja e avokatit të popullit, aprovimi i kodit penal apo kodeve të tjera dhe shumë shembuj të tjerë. Kjo është rruga që duhet ndjekur.

– Por Komisioni ka vendosur që të ndjekë të njëjtin dialog me Shqipërinë, si me atë për Malin e Zi, për marrjen e statusit të kandidatit. A do të thotë kjo edhe për Parlamentin, që ka vend për optimizëm për zbatimin e 12 rekomandimeve?

12 rekomandimet janë në tryezë. Ato po plotësohen hap pas hapi. Duhet ruajtur ritmi i reformave dhe forcat politike në Shqipëri duhet të sigurojnë që rekomandimet do të zbatohen. Ajo që është thelbësore për mua, në javët e ardhshme dhe muajt e ardhshëm, është përfundimi i punës për reformën zgjedhore, duke përfshirë rekomandimet e OSBE/ODHIR-it, Komisionit të Venecias, në mënyrë që të evitojmë situata si ajo e zgjedhjeve të shkuara, ku të dy palët nuk ishin dakord për procedurat dhe si rrjedhim nuk ishin dakord për rezultatin. Është shumë e rëndësishme që palët të përqendrohen te kjo reformë, në mënyrë që ajo të përfundohet brenda disa javësh, pasi vitin tjetër, ju keni zgjedhje të përgjithshme. Këtë vit, ndodh edhe zgjedhja e presidentit, por ai zgjidhet nga Parlamenti dhe jo nga qytetarët.

– Për Komisionin Europian, 12 rekomandimet më të rëndësishme, por 2 më të rëndësishmet se të tjerat, reforma elektorale dhe dialogu midis dy palëve. Jeni dakord me këtë?

Jam dakord, pasi ju më parë përmendët Malin e Zi. Kjo ishte ajo që ndodhi me Malin e Zi. Partitë politike ishin të bashkuara për të arritur për qëllimin e tyre europian. Ne po shohim shenjë pozitive dhe në Shqipëri. Partia Demokratike është duke punuar me Partinë Socialiste. Për Partinë Socialiste, që është në opozitë, është shenjë shumë e mirë përgjegjësie për të punuar së bashku për realizimin e këtij qëllimi. Shpresoj që ky dialog të vazhdojë, që të sjellë rezultate pozitive edhe për reformën elektorale.

– Rezoluta për Shqipërinë do hartohet në maj apo jo?

Në këtë rast, është e rëndësishme se sa aktiv është raportuesi, pra nevojitet puna aktive e raportuesit. Unë kam qenë në të shkuarën raportuesi për Shqipërinë, por nuk jam më. Tani kemi një të ri, që nuk është në grupin tim politik. Ne duhet ta inkurajojmë pak raportuesin që të punojë më shumë mbi Shqipërinë, që të familjarizohet me të gjitha ndryshimet pozitive që kanë ndodhur dhe t’i përfshijë në raport.

– A jeni optimist se Shqipëria do të marrë statusin e kandidatit në tetor?

 Kjo, sigurisht, nuk varet nga Parlamenti, por nga Komisioni Europian. Ajo që është e rëndësishme është që Shqipëria të ruajë ritmin e reformave dhe që dialogu dhe bashkëpunimi midis forcave politike të vazhdojë. Nëse kjo do të vazhdojë të funksionojë, atëherë rezultati do të reflektohet në raportin e Komisionit Europian. Asnjë nuk do ta përjashtojë Shqipërinë. Ne kemi zhvillime pozitive në Mal të Zi, në Serbi, Maqedoni dhe së fundmi dhe në Bosnjë. Ndaj shpresojmë që do të vijnë shenja pozitive edhe nga Shqipëria.