Rrota e qerres …

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Ishte bërë zakon që për të lejuar shfaqjen teatrale para publikut, të vinin në provat e përgjithshme, shokë nga sektorët e ideologjisë dhe kulturës të komitetit të partisë. Ndodhte të vinte vetë edhe sekretari i parë. Ishte e kuptueshme që pas një pune të lodhshme disamujore, të të gjithë trupës së aktorëve dhe drejtuesve, ky moment pritej me gjak të ngrirë. Se mund t’i mbushej mendja dikujt dhe ta hidhte tërë mundin poshtë. Nuk ishte vështirë të gjeje mangësi. Pse kjo është thënë kështu e jo ashtu? Ku synohet të dilet me këtë skenë? Kjo batutë mund të interpretohet edhe ndrysh nga armiku i klasës. Dhe ju e dini se Partia e ka në qendër të vëmendjes edukimin komunist të masave. Ose, Zhdanovi ka thënë … E ku di unë sa yçkla të tilla mund të nxirrnin, pa folur për gjestikulacionet, dekorin, rekuizitën etj. Kishin ndodhur histori nga më të pabesueshmet. Puna kishte arritur deri aty sa një herë, i deleguari, kishte kërkuar që personazhi kryesor, të mos vdiste, pasi, kjo, sipas tij, krijonte pesimizëm tek spektatori, gjë e cila nuk mund të pranohej dhe, për rrjedhojë, shfaqja nuk duhej dhënë, edhe pse ishin shitur biletat. Dhanë e morën aktorë, skenaristë e regjisorë për ta bindur të deleguarin, duke thënë se atë e kishte shkruar një i huaj që s’rronte më, por kur e panë se ishte e kotë, vendosën që ngjarjen, nga Amerika e jugut, ku kishte më shumë egërsi gjatë luftës civile, ta zhvendosnin më në veri, atje ku kjo luftë zhvillohej disi më e qetë. Mirëpo, e gjithë kjo, duhej ndryshuar brenda natës, kështu që aktori që ishte mësuar gjatë provave “të vdiste”, kur u dha premiera të nesërmen, “vdiq” përsëri. Kështu që pa përfunduar shfaqja, i deleguari që kishte zënë vend në lozhën kryesore, u ngrit i revoltuar duke i bërtitur drejtorit të teatrit: Po ç’na bëre more drejtor, prapë e vdiqe këtë njeri?

Prandaj e gjithë kjo frikë që vinte nga të pa pritura aspak të këndshme, krijonte një pështjellim tek të gjithë. Aktorët ndjeheshin shumë të emocionuar. Në fytyrë, dukeshin të zbehtë dhe lëkura u shkëlqente nga një djersë e ftohtë. Mundoheshin të mos e jepnin veten, por ishte e kotë. Ky çast për ta ishte një provim i vështirë. Madje më i vështirë se sa dalja para publikut. Se për të qenë të sinqertë, duhet thënë se spektatorët tregoheshin shumë miqësorë. Ata, për më tepër, as që e vrisnin mendjen për të gjetur ndonjë të metë, gjatë atyre dy orëve. Jetonin me lojën e aktorëve dhe jo vetëm që i inkurajonin ata, por edhe kur shihnin ndonjë fjalë a lëvizje që linte shteg për keqinterpretime, tregoheshin akoma më entuziastë. Mirëpo, hajde t’u mbushje mendjen atyre trumykurvre censorëve. Se ishin vigjilentë të mëdhenj të dërguarit e partisë. Jo më kot, kishin kryer dhe ndonjë kurs dymujor për këto punë. Paçka se shkollë mund të mos kishin shumë, u qe besuar ruajtja pastër e vijës së partisë në art. Dhe kjo kishte rëndësi shumë të madhe, se ne, me këtë vijë do të mbronim paprekshmërinë e kufijve tanë nga cilido armik. Pikërisht për këtë, udhëheqja ishte ndalur disa herë në rrezikun që paraqisnin ndikimet e huaja. Të lejoje shkarje në këtë fushë, donte të thoshte që të sillje dëme të pariparueshme. Se armiku atë priste. Ai, kurrë nuk flinte. Veshët përpjetë i mbante. Sidomos tani, pas këtyre ngjarjeve të fundit. Le që ku kishin fund ngjarjet. Imperializmi ishte shumë tinëzar. Pastaj, gjykonin të dërguarit, ç’po na duhet ne imperializmi e lufta e ftohtë. Për të qenë vetë brenda, duheshin bërë ca vërejtje. Le të ndryshohej ndonjë gjë. Ose le të zgjidhnin ndonjë pjesë tjetër më të përshtatshme. Me më shumë partishmëri. Punë e madhe se do ta nisnin përsëri nga e para. Rroga, fundja, njëlloj ecte. Dhe aktorëve, pësimi le t’u bëhej mësim. Hiqen sikur lodhen shumë. Thua se nuk i shohim ne; tërë ditën kafeneve rrinë. Flasin për artin botëror. Flasin, se shkon gjuha ku dhemb dhëmbi. Pandehin se kanë kryer ca shkolla dhe dinë më shumë se ne. Harrojnë se ne jemi kockë e fortë, bij të klasës punëtore. Intelektualë të tipit të ri. Ashtu siç i kërkon koha. Dhe jo nga ata që u ka marrë koka erë dhe flasin për ca Milera e halera.

   Aktorët, jo se nuk e vinin re injorancën e tyre, por detyroheshin t’u buzëqeshnin dhe t’u drejtoheshin me respekt të shtënë:

   – Ju shoku… e dini më mirë se ne që forma me përmbajtjen, duhet të jenë në koherencë të plotë.

   Ose:

   – Do ta konstatoni edhe vetë se ne jemi përpjekur që të realizojmë tek heroi kryesor, personazhin tipik të ambientit tipik.

   Të dërguarit tundnin kokat dhe mërmërisnin si nëpër dhëmbë:

   – Po ja… ta shohim një herë.

   Në të vërtetë, ata nuk i lidhte asgjë me teatrin. Kishin ngecur fare kot. Gjatë luftës, kishin parë nja dy shfaqje, në ndonjë fshat të çliruar ose që nuk kishte qenë asnjëherë i pushtuar, nga ata që quheshin teatri partizan. Kishin qeshur sa u kishin dalë lot nga sytë, kur shihnin shokët e shoqet e tyre që dilnin që mbrapa ndonjë batanije a çarçafi që shërbente si skenë dhe tallnin armiqtë e bejlerët dhe vetëm kaq. Por ja, kështu rrodhën ngjarjet dhe atdheu kërkonte prej tyre, të vlerësonin çdo shfaqje. Për ta pak rëndësi kishte në ishte dramë e Shekspirit a e shejtanit.

   Kjo i vinte në siklet aktorët e njohur të teatrit popullor. Eskilin, Sofokliun, Shekspirin e kolosët e tjerë dhe vetë lojën që ata do të bënin, do i lejonte ose jo që të viheshin në skenë, i biri i Rrem zorraxhiut me shokë. Mirëpo, ç’të bënin; zverdhja e fytyrës dhe djersitja e lehtë e lëkurës, para provave të përgjithshme, vazhdonin njëlloj kur pritesh të vinin ata nga lart.

   S’dinin ç’të bënin për të dalë nga kjo bela, gjersa një ditë i shpëtoi një regjisor i quajtur Pirro Mani. I zgjuar sa s’bëhet, ky Pirrua gjeti një zgjidhje praktike për të dalë nga telashet që u shkaktonte padija dhe ligësia e censorëve. Në fakt, kjo që përdori ai ishte një gjë fare e thjeshtë, por hajde të të shkonte mendja. Ai se ku gjeti një rrotë qerreje dhe aso kohe nuk ishte e vështirë të gjeje në Tiranë të tilla dhe e solli. E vendosi diku prapa skenës dhe sa herë do të bëheshin ato provat e përgjithshme që u thoshin prova gjenerale, e nxirrte dhe e vendoste në skenë diku që të binte në sy. Nuk donte t`ia dinte fare, në kishte kjo gjë lidhje apo jo me pjesën që luhej. Mirë kur ngjarjet zhvilloheshin në fshat, por ai rrotën e qerres e vinte edhe në qytet, edhe në dhomë, edhe në repart ushtarak, edhe në fabrikë, edhe në një shkollë.

   Pasi jepej shfaqja, ata që vinin për të dhënë mendimin në vlente apo jo, kur e shihnin atë rrotë të shëmtuar, mbështetur pas ndonjë muri laboratori, si me dyshim pyesnin:

   – Po ajo rrota e qerres, ç`kuptim ka?

   Pirro Mani menjëherë ndërhynte:

   – Jo, lidhje direkte nuk ka, por ne e kemi vënë si për të thënë se tabani popullor, duhet të jetë kudo i pranishëm.

   – Sikur stonon e bie në sy për të keq.

   – Ashtu duket, por po të thellohesh, e kupton se ajo ka karakter konvencional.

   – Mirë mor shok, mirë – flisnin të ardhurit të pasigurt. – Veç mund të gjejmë diçka tjetër, më të pranueshme.

   Tani, si pa kuptuar, ata ishin bërë pjesë e drejtimit të shfaqjes. Pirro e shfrytëzonte këtë:

   – Dakord! Na sugjeroni diçka tjetër dhe ne e zëvendësojmë menjëherë.

   Shtrydhnin trutë ata të ekipit, por nuk gjenin gjë për të qenë. Debati niste nga e para:

   – Mos është më mirë ta heqim fare?!

   – Unë mendoj se po ta heqim, pa e kuptuar, krijojmë në psikikën e spektatorit një boshllëk.

   – Asgjë nuk krijohet mor burrë – bënin kompetentin të ardhurit. – Hiç mos e zgjasni: hiqeni fare.

   Jo ta heqim, jo ta lëmë, vazhdonte biseda nja dy orë të mira. Dhe më në fund, merret vesh që rrotën e hiqnin. Por kur shihnin orën, çuditeshin:

   – Bah, si ikën koha. U bëmë vonë tani dhe ju jeni të lodhur. Nesër do jepni shfaqjen, ndaj duhet të pushoni, për të qenë të freskët. Atë rrotën e qerres, ashtu e lamë ë? Nuk u vjen keq besoj? Do ta heqim, se është më mirë. Një herë tjetër… Hajde urime.

    Të tërë me një gojë përgjigjeshin:

   – Ç’është ajo fjalë. Ju të partisë e dini më mirë.

   Dikush u shkelte syrin shokëve. Tani ata ishin çliruar nga ankthi. Dukeshin shumë të kënaqur nga që me pjesën, pra vlerat artistike, mesazhet, lojën aktoreske etj., nuk ishte marrë njeri. Se nuk linte kohë ajo shpikja e mençur e Pirro Manit, i cili si duke qeshur me vete, kujdesej që ta fshihte diku në kulisa, atë rrotën e qerres, që do t’i duhej përsëri, për provën e ardhshme gjenerale.

Nga Shpendi Topollaj

 

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin