Rrugëtimi biblik i fisit etno-historik të Krasniqes

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Krasniqja për nga territori e popullsia e sotme është ma i madhi fis në Malësinë e Gjakovës (“malësia e mirë” – Tropojë). Në rrjedhat historike mesjetare, të parët e fisit të Krasniqes, kanë krye një shtegtim biblik.

Ia kanë nisë nga Fushë-Dardania pas “betejës së kombeve” të qershorit 1389, kur në këtë truall etnik shqiptar dardan u përballën njëherësh ndër veti dy qytetërime e dy koalicioneve – ai i krishterë ballkanik me atë otoman-aziatik.

Në këtë luftë legjendare kanë marrë pjesë edhe shqiptarët e Tropojës së sotme – skirtonët e luginës së Valbonës dhe pirustët e mbetur në shpate të Drinit, në anën e Pukës së sotme.

Ende një rrafshinë e ruan toponimin “fusha e mëllenjave”, për të cilën ka pas interesim të hershëm edhe historiani Zekeria Rexha. Nga kjo fushë e vogël, luftëtarët e mëdhenj të lirisë i morën me veti mëllenjat në betejën e Fushë-Dardanisë dhe i lëshuan para ballafaqimit luftarak me otomanët, të cilët i zmbrapsi momentalisht nga mësymja, sepse ato i morën si ogur i zi. Asokohe ishte traditë luftarake që në fushë-beteja të merrnin me vete kafshë apo shpendë ose të visheshin me gëzofë të tyre për të hutue armikun.

Prijësi bregdrinas që solli mëllenjat me luftëtarët e tij qëndroi në fushë-dardani pas luftës. Variantet e emrit të mapasëm nga Fushë-Dardania në fushë-Kosovë kanë lidhje me këtë prijës shqiptar:

E para: aty ngriti kullën e tij të madhe (“kaza”) dhe përreth pati disa bashkëluftëtarë të tij, që u rritën aq shumë derisa u bë qytet i madh me emrin “kassova”.

E dyta: otomanët ishin të interesuar me e takue pas lufte njeriun e mëllenjave në fushën e luftës. Gjithandej dvetnin: “kus…” (turkisht – zog, mëllenja) e “ovi” (turkisht – qartësim) dhe i mbeti emni i derisotëm: Kosova (kos-ov/a).

E treta: osmanlinjtë pushtues ia lanë prijësisht shqiptar një pjesë tokë (turqisht; kusi) në një fushë-gropë që do e merrte emnin Kosova.

E katërta: ky prijës shqiptar u ba i fuqishëm. Ai kishte edhe një emblemë të familjes së tij kosova”, që ka mbërritur dekteri në ditët tona, si pjesë e heraldikës kombëtare shqiptare.

2.

Nga arsye të ndryshme të kohës një pjesë e madhe e tyre u shpërngulen nga treva shqiptare nga fushë dardania (Fushë-Kosova) në Drenicë dhe Tevona në Andrijavicën e sotme, në malet e komovit, asokohe të banuara nga shqiptarë trojenikë. Aty vendasit iu lanë pjesë nga toka e vet duke iu thanë se kjo hise toke është “e juaja”. Ia venduen truallin çdo familje duke i thanë se është “i yti”.

Kisha ortodokse sllave dhe Rusia cariste duke pasur në prapaskenë interesat e veta të asimilimit të këtyre tokave etnike shqiptare protestuan  në Stamboll dhe në Romë për këtë shpërngulje të shqiptarëve. Një delegacion i tyre erdhi në vend, deri në Andrijevicë, dhe pasi i pyeti me radhë të gjithë mësoi se janë në tokën e vet, të dhanun nga vllaznit e vet shqiptarë të atyshëm. “vasi – vasi” (domethënë: “i yti – i juaj”) – pyesnin fetarët ortodoksë e ndonjëri edhe agjent rus me veladon.

Pas atij takimi shqiptarët folnin me shaka “vasi-vasi” e ju mbeti emni kolektiv “vaso” dhe sllavët ua shtuan ma vonë në platformat e veta politike edhe prapashtesat sllave “ov” e “viç” (vasojeviç).

Vasojeviçët u shtrinë edhe në një pjesë të komunave të sotme të kolashinit e të beranës, po një degëzim i tyre rishtegtoi nga “retë e bardha” (re-reçakët) për në Reç të bregdetit në Ulqin e Reç të bregliqenit në Shkodër. I quanin “të mrekullueshëm” (Krasni), përndryshe edhe “krasnireç” (krasniqasit e Reçit).

3.

 Aty, në ultinën bregdetare, bien në lidhje me “pronarët e rrafshit”, të cilët i përmend edhe Fishta tek “Lahuta e malësisë” dhe tani janë një vendbanim i madh në Podgoricë me rreth 300 banorë, 137 shtëpi banimi dhe 75 familje.

Krasniqasit rikthehen tue ngulë në rrafsh-kodrina ku Drini takohet fytyrë për fytyrë me Valbonën, në zotërimet e “pronarit të lekës”. Aty e kanë gjetur rranjëngulun fisin e pronarëve, ma i hershmi fis në malësinë e Gjakovës. Pronarët, të prejardhur nga fisi ilir i skirtonëve, kanë ecë deri në shek. Xxi, pa u shpërngulë e pa u shue në breza po tuj u rrudhë në toka vrrini e bjeshke.

Ky vend hyjnor me mite e bukuri, historik nga figurat e realitetet, në hershmëri historike mbante një emër të bukur të burimit të shqipes ndërlumna, me shtrirje nga takimi i Drinit me Valbonën dhe deri aty te bigohet Valbona me Bushtricën. Ishte kryeqendër industriale nga periudha iliro-dardane (shkrirje metalesh, etj.) E deri te ndërtimi i veprës së madhe energjetike të Fierzës. Ishte kryeqendër administrative, fetare e tregtare e pultit, pasi nga dardania vinin të blinin kripë dhe në Dubrovnik çonin mëndafsh, venë, etj.

Udhëtarë të shquar të kulturës europiane, që kanë kaluar në të shkuarën nëpër këto treva, kanë shkruar: në qoftë se doni të flisni me perënditë e Eskilit, shkoni e takoni njerëzit ku bashkohet Drini me Valbonën.

            3.

Krasniqja, – si fis, – u shtue në numër dhe eci në breza, e ndjenin veten ngushtë edhe për toka e kullota, prandaj avash e në grupe vëllazërish, tu gjetë, ba, ble e marrë toka, nisën me u shtri përgjatë luginës së Valbonës deri në dragobi e me e kapërcye qafën e kolçit deri në… Curraj të epërm, tuj kapë jo vetëm tokat e ultësirës, por edhe kullotat alpine pranverore e verore.

Kjo ndikoi që “krasniqja në ndërlumna” apo “Krasniqja e bokës”, etj. Të thirrej edhe “Krasniqja e bjeshkëve”, “Krasniqja e Valbonës”…, gjersa i mbeti emni ma i përdorun: “krasniqe” dhe “Krasniqja e malësisë”, sepse ky fis i cili u shtri përgjatë lugut të malësisë, në të dy anët e rrjedhës së lumit Valbona, duke zhvendos edhe fisin e gashit ma në thellësi të pellgut të malësisë, në rrëzë të Shkëlzenit.

Çoja e Krasniqes nga rrjedha e fundme e Valbonës, në të dy krahët e “pellgut të pronarëve” ndodhi në vjeshtën e vitit 1762, fill mbas marrjes së prodhimeve të stinës e të vitit, me ndërhymjen e papatit në romë dhe të Austro-Hungarisë, e cila e  kishte në zonën e saj të protektoratit për fenë katolike dhe të vezirit të Shkodrës.

Shkak u ba një letër e fretnëve të pultit e 13 shkurtit 1762 drejtue (në gjysmashqip e gjysmaitalisht) Mehmet Pashë Bushatlliut duke iu ankue për otomanët që kërkonin t’i nënshtronin me forcë, me ua ndërrue fenë, etj. Fisit të mërturit.

Këso kohe kryen disa ndryshime administrative territoriale. Kështu formohet fshati i rajës në anën e sipërme të Valbonës deri tek pusterri. Krijohet një zonë me banorë mërturas të besimit të krishterë. Në anën tjetër të Valbonës përqendrohet fisi i pronarëve, më i vjetri fis në malësinë e Gjakovës, i prejardhur nga skirtonët ilir, si dhe të ardhur nga fisi i Dushajve të Pukës.

Krasniqja në malësinë e Gjakovës njihej si “Krasniqja e malësisë”, ndërsa në Kosovë thirrej “Krasniqja e vendit”.

Ky fis etnohistorik i ka dhanë kombit dhjetëra personalitete të larta historike, politike, kulturore.

 

Ramiz Lushaj

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Comment here